Home KRYESORE 360grade.al: Ja ekspertiza që futi në burg Visar Zhitin

360grade.al: Ja ekspertiza që futi në burg Visar Zhitin

Partia dhe organet e punëve të brendshme Tiranë caktuan dy anëtarë LSHA, redaktorë në redaksinë e poezisë pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri” për të bërë ekspertizën e krijimtarisë poetike të autorit Visar Zhiti

Visar Zhiti u arrestua më 8 nëntor 1979. Një arrestim që erdhi si rrjedhojë e një përndjekje sistematike, dosja e të cilit kishte vite që po mbushej nga sigurimi i Shtetit. Natyrisht, arrestimi i tij në ditën e themelimit të Partisë dhe në prag të 36 vjetorit të çlirimit, ishte përmbushje e objektivave si dhe goditje për të gjithë “armiqtë” e Partisë. Kolegët, mësues apo shkrimtarë, spiunë dhe sigurimsa kishin kohë që ndiqnin “veprimtarinë armiqësore” të Visarit. Por që të kompletohej kjo punë duhej edhe një analizë shkencore për gjithë krijimtarinë e tij. Për fatin e tij të keq, Visari këmbëngulte në botimin e poezive të tij dhe njëherësh kishte siguruar material të bollshëm, për Sigurimit, duke aluduar e nënkuptuar poezitë e vargjet e tij. Neni 55/1 i agjitacionit dhe propagandës ishte i qartë dhe çdo tentativë apo propagandë e hapur dënohej. Nuk mjaftonin deponimet, e shkruara mbetej, nga organi i akuzës ngarkoi dy vetë dy redaktorë  në redaksinë e poezisë pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, për të bërë ekspertizën e krijimtarinë poetike të autorit Visar Zhiti. Raporti u dorëzua në 24 tetor 1979 dhe dy javë më pas, më 8 nëntor Visarit i vunë prangat. Në atë kohë Sigurimi i lante duart me ekspertizën e kolegëve për kolegët dhe sot akuzohet Diana Çuli, Koçi Petriti, etj për vrasjen e poetëve të Librazhdit, Vilson Blloshmi e Genc Leka. Po edhe ky raport i mëposhtëm nuk është më i lehtë se të tjerët. Pas këtij mund të përfundoje edhe në plumb, sepse kupa ishte mbushur. Ja ekspertiza që prangosi shkrimtarin dhe poetin Visar Zhiti:

“Ne, Ramazan Vozga dhe Pandeli Koçi, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve dhe redaktorë në redaksinë e poezisë pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri” sipas kërkesës së organeve të punëve të brendshme Tiranë, ekspertuan krijimtarinë poetike të autorit Visar Zhiti.

Ka shtatë vjet, duke filluar që nga viti 1972, që Visar Zhiti sjell për botim librin e tij. Ky ka qenë një problem serioz për redaksinë e poezisë në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Edhe pas plenumit të 4 të KQ (1973) ky letrar ka vazhduar me ndërgjegje të ecë në gjurmët e një poezie të huaj për shoqërinë tonë dhe të mbushur me ide të gabuara politike, me koncepte dekadente ose “të majta” dhe me një ndikim të hapur të poezisë moderniste reaksionare.Në të gjitha variantet e sjella në redaksi, ai ka po ato poezi, po atë koncept për poezinë, gjë që dëshmon se ai me bindje ka vazhduar të ecë në një rrugë të gabuar politike dhe artistike.

Fantazia e sëmurë, paqartësia dhe hermetizmi, ekuivokët e rrezikshëm me nëntekst politik, konceptimi modernist kanë qenë disa nga tiparet kryesore të poezisë së tij.

Duke analizuar për së afërmi dhe tërësisht poezinë e këtij letrari, arrijmë në përfundimin se gabimet e tij janë të rënda dhe bien ndesh me gjithë zhvillimin e poezisë sonë të realizmit socialist. Gabimet e tij, që reflektohen nëpër poezi, mund t’i ndajmënë 3 grupe.

Së pari, në shumë poezi ka pikëpamje të gabuara politike në vështrimin e realitetit tonë. Ta konkretizojmë këtë me shembuj nga krijimet e tij.

Në poezinë e vitit 1972 gjejmë vargje të tilla: “Dëgjo miku im, ca fjalë që dridhen/diell të dytë do të krijojmë/me gjakun që derdhet”.

Në poezinë tone dielli është simbol i Partisë i marksizëm – leninizmit, i komunizmit, në përgjithësi i idealeve tona të shenjta. Kurse ky autor thotë “diell të dytë do të krijojmë me gjakun që derdhet”. Tek ne nuk derdhet gjak dhe kjo mbetet një shpifje për realitetin tonë dhe dielli i dytë është kundërrevolucioni për këtë autor. Këtë ide ai e shpreh më hapur në poezinë “Eci” ku thotë: “E di që do të dal në një arë me diell”, pra është konsekuent në mendimet e veta armiqësore. Dhe këtë “diell” ai e parashikon të vijë nëpërmjet shkatërrimit të diktaturës së proletariatit. Për këtë flet hapur në poezinë “Homeri”: “Iliada ime lexohet kudo, tha ai (Homeri)/Iliada juaj s’ka mbaruar akoma/dhe iku …” Poema “Iliada’ e Homerit përshkruan shkatërrimin e Trojës së lashtë nga grekët një Iliadë të tillë, pra shkatërrimin tonë, pret dhe autori i këtyre vargjeve.

Në poezinë “Fytyrat” motivi është i përcaktuar në kohë dhe hapësirë, kjo të bën të mendosh që ato që thuhen, i atribuohen njerëzve tanë. Tek njerëzit tanë, te punëtorët dhe fshatarët tanë, autori sheh ambicie në sytë e tyre, sharje që varen buzëve si jargë etj, duke shtrembëruar kështu pastërtinë e figurës së njeriut tonë të ri. Ai nuk ka afeksion për këta njerëz, po për vajzat e spiunëve, siç thotë në poezinë “Gruas sovjetike” me vargjet: “Vajza jote – statujë tragjike e miqësisë/unë vajzën tënde e dua sinqerisht”.

Këto vijnë e trashen dhe në librin e sjellë në redaksi në vitin 1974. Në poezinë “Pakënaqësia ime” gjejmë vargjet: “Pakënaqësia ime s’kënaqet nga gjoksi/brinjët i thyej copë-copë si frëngji/deri në pamundësi”. Kjo është esenca e gjithë këtyre shfaqjeve armiqësore. Autori nuk është i kënaqur me realitetin tonë dhe është gati të thyejë edhe brinjët e tij, vetëm të dalë nga ky realitet, të cilin ai e quan frëngji.

Vazhdojnë këto edhe në librin e vitit 1976. Në poezinë “Natyrisht, nuk jemi gjithmonë fëmijë” lexojmë “Unë nuk çava përpara në art, sepse paskam dashur gërmadhat/por nuk më deshën/dhe s’më ndihmuan/sepse unë duke u bërë burrë/do të isha talent/i tmerrshëm! … Dhe nëpër depo e lanë zemrën time si një mi/që bren veten e vet…”Ai e ndjen veten të persekutuar padrejtësisht dhe e parandien se fundi i tij do të ishte i turpshëm. Akuza që ai bën kundër shoqërisë sonë që e shtyp këtë “talent të tmerrshëm” siç e quan ai veten, (kuptohet i tmerrshëm për shoqërinë tonë) është shpifje sepse ky pushtet i ka dhënë shkollë dhe punë, pra nuk e ka lënë “si një mi që ha vetveten” në depo, por i ka dhënë të gjitha mundësitë që të ecë në jetë si njeri i ndershëm, duke e bërë edukator të brezit të ri.

Më tej vjen poezia “Dritaret” me këto tri vargje: “Dritaret/janë britma ime që të braktiset me forcë/dhoma e errët e vetmisë”. Ja si ekarakterizon ky element armik vendin tonë “një dhomë të errët vetmie” dhe për këtë ai kërkon “braktisje me forcë” duke aluduar kështu në një veprim kundërrevolucionar. Por këtu ka edhe një farë sinqeriteti. Si element armik ai e ndjen veten të vetmuar dhe të braktisur në ambientin tonë revolucionar.

Probleme të kësaj natyre gjejmë edhe në poezinë “Fusha e betejës”, “Lagjja ime e vogël”, “Dreri”, “Macja dhe macja e pasqyrës”, “Tromba dhe burokratët”, “Studentët e Shkodrës (strofa e III), “Fëmijët e detit”, “Mermeri i ditëve dhe i statujave”, “Revolucioni”, “Baladë moderne për një skllave”, “Vrulli i mençur”. Më hapur shprehet ky element armik te poezitë “Mikut tim që punon”, “Fëmija me këpucë të mëdha”, “Djali i Rozafë Xhulisë”, ku pozicioni i tij armiqësor është i përcaktuar mirë. Kjo për faktin se shpreh “shqetësimin” e tij për një fëmijë malësor që zbret së pari në qytet dhe ngaqë nuk ka ç’të veshë ka mbathur këpucët e mëdha të të atit (në poezinë “Fëmija me këpucë të mëdha”, kurse në poezinë “Xhulia” një malësore shkon në universitet e veshur me xhaketën ushtarake që ia dhanë të vëllait, kur ai mbaroi shërbimin ushtarak. Këtu duket qartë qëllimi i tij. Me këto vargjekërkon të njollosë jetën tonë dhe shpif për mirëqenien ekonomike që u ka sjellë socializmi, ashtu si gjithë popullit, edhe malësorëve tanë.

Në librin e vitit 1977 gjejmë poezinë “Do të dal kundër robërisë” megjithëse i është thënë gjithmonë që është me nëntekst, por ai mjaftonte vetëm me ndërrimin e titullit.

Edhe në librin e vitit 1978 gjen të tilla gjëra. Në poezinë “Bisedë me një punëtor për Partinë” autori ka një koncept të “vetin” për Partinë në strofën I, kurse poezia “Sfinksi” me karakterin e saj të papërcaktuar dhe në lidhje me mjaft poezi të tjera të gabuara, fsheh një mendim të poshtër. Paralele të fshehura ka edhe në poezinë “Në amfiteatrin e madh” ku lexojmë vargjet “ndoshta një djalë të guximshëm/ (ai paska fytyrën time)/e burgosë në sallën me tigra/se desh të bënte kryengritje”.

E paadresuar është edhe poezia “Poetëve që mbyllën në kullën e fildishtë” që mund të interpretohet edhe si reagim kundër poezisë sonë sidomos me vargjet “vallë ç’duhet bërë për të shpëtuar poezinë nga fati i drunjtë i dobësive?!”

Në librin e vitit 1979 është poezia “Ne 20 vjeçarët që shkuam në fshatin e ri socialist’. Poshtë titullit të saj është vënë një citat i shokut Enver. Por fundi i poezisë nuk përkon me të, bile e kundërshton. “Valle burrash me Mic Sokolin në krye” nuk ka asnjë detaj nga koha e Mic Sokolit, kështu, edhe kjo fsheh mendimin e autorit. “Njerëzit e punës “– fillimi dhe fundi i kësaj poezie janë shprehje e një anarkie të thënë troç.

Së dyti, në mjaft poezi ky pseudoletrar shpreh hapur edhe botëkuptimin e tij ideologjik të huaj për shoqërinë tonë, sidomos lidhur me rolin e artit. Kjo del në poezinë “Vagneri”. Ky është një kompozitor i njohur gjerman që ka të mirat dhe dobësitë e tij. Ai shpreh në veprën e vet protestën kundër shoqërisë borgjeze të asaj kohe, por protesta e tij është individuale dhe e mbyllur në vetvete. Ka edhe një gjuhë të vështirë muzikore për t’u kuptuar. Pikërisht këtë zgjedh si “idhull”, si mësues të vet ku element armik. Veç kësaj, kuptohet që këtu s’i drejtohet Vagnerit, por simbolit të tij, pra, artistit që është kundër rendit ekzistues dhe i bën thirrje atij “të flakë” tej jorganët e heshtjes, të thyejë llambën e zbehtë të gjumit, të nënshtrojë qentë, t’i bjerë ballit të ftohtë të mosmirënjohjes” etj. Pra, ai bën thirrje për një art që të ngrihet kundër socializmit.

Në poezinë “Kockat që kalben” (1972) gjejmë një influencë të hapur nga poezia e sotme revizioniste. Plot nëntekste të kësaj natyre janë edhe poezitë “Gurët e një lumi”, “Natë dimri”, “Mos lyeni këpucët” etj.

Konfuzion ideologjik vumë re edhe në librin e vitit 1978. në poezinë “Pjekuria” autori huton një vajzë 16 vjeçare me “filozofitë” e tij, kurse në poezinë “Lirikë me zogj dhe me burokratë” burokratizmin e sheh si fatalitet kur thotë “Lart e më lart/veç kujdes, kujdes/se lart janë edhe zogjtë naivë” dhe në fund predikon “të ecim në rrugët e vërteta njerëzore”.

Problem është poezia “Tregimet e dimrit” (1979), ku spikat tendenca drejt një poezi me prirje borgjezo-revizioniste, që shprehet me shkrirjen e çdo kufiri të prozës me poezinë. Poezia mbart idenë e dashurisë “pannjerëzore” në dy strofat e para. Një udhëtar në një natë dimri troket në një shtëpi malësore. Derën ia hap një grua e re, e cila thotë autori “s’e ngriti fenerin të shihte se kush isha. Mjafton që fytyra ime ishte e njeriut”.

Pra, malësori ynë, sipas këtij pseudopoeti, ia hap derën kujtdo, mikut dhe armikut, mjafton që ai t’i shkojë në shtëpi. Kurse realiteti ka treguar se malësori ynë s’e ka pranuar armikun në shtëpi. Mendja e sëmurë e bën këtë element armik që të sajojë edhe fener në malësi, kur dihet që drita elektrike ka shkuar kudo në vendin tonë, edhe në skajet më të largëta të atdheut. Nëntekstet kanë edhe këngët që vihen në fund në gojën e plakut dhe të mbesës.

Në poezinë “Ç’do t’i thuash Migjenit më 1937” gjen jehonë një mendim i disa studiuesve kosovarë për “subkoshiencën” në veprën e Migjenit (“Ti ‘Migjeni’ brenda teje ndjen një ulërimë ujku të përzier me yje”),“Kravata s’do të kishte kuptim/në qoftë se s’do të bëhej litari i varjes” – si ka mundësi që t’i thuhet kjo gjë Migjenit!

Në poezinë “Një çështje e errët në jetën e M. Golemit” ai përkrah një tezë të rrëzuar nga historiografia jonë dhe thotë diku se “… dhelpëria e domosdoshme/s’qenka dhelpër, por qenka luan …” pra, mjeti justifikon qëllimin.

Së treti, nga pikëpamja e konceptimit dhe e mjeteve të shprehjes kypseudoletrat përgjithësisht është në pozita moderniste, edhe formaliste. “Dëshirat e mia”, “E bukura” (1972). Flagrante për këtë janë poezitë e vëllimit të vitit 1976, tre vjet pas plenumit të 4 të KQ, kur krijuesit dhe opinioni ynë kishin dënuar me forcë shfaqje të huaja të këtij karakteri. Këtu përmendim poezitë “Përrallë e vërtetë e radios”, “Lahuta”, “Këngë me kitarë për Frederik Garcia Gorkën” (shtrembëron thelbin e poezisë së këtij autori të madh). “Mund të flasim edhe ashpër për të kuptuar bukurinë” etj. Kurse poema “Ruman partizan’ është një krijim i mirëfilltë simbolist dhe i çoroditur. Këto krijime janë shkruar sipas modeleve të shëmtuara të poezisë që kultivohet sot në vendet borgjezo-revizioniste dhe lexuesi e ka të vështirë të kuptojë se ç’thonë vargjet, cili është mendimi i autorit. Këto janë një kundërvënie e hapur ndaj mësimeve të partisë për artin dhe ndaj letërsisë së metodës së realizmit socialist, qëllimi i së cilës është edukimi komunist i masave punonjëse.

Duhet thënë se këto qëndrime armiqësore të këtij elementi armik që theksuam si në aspektin politik, ideologjik ashtu edhe në atë të konceptimit të mjeteve të shprehjes (të cilat spikatin fund e krye në krijimtarinë e tij) nuk janë të ndara me thikë, përkundrazi ato thuren me njëri-tjetrin dhe i shërbejnë njëri-tjetrit në qëllimin e këtij pseudoposti.

Pas kësaj analize, arrijmë në disa përfundime. Ky element armik është i bindur në mendimet e tij të gabuara dhe armiqësore. Vërejtjeve të redaksisë, këshillave që edhe ai ta vërë talentin në shërbim të popullit, V. Zhiti s’ua ka vënë veshin fare, përkundrazi, për vite me radhë ka vazhduar të ngulë këmbë që këto krijime armiqësore të botohen. Me këto krijime ai ka dashur të çorodisë lexuesit, të derdhë helm në mendjet dhe ndjenjat e tyre. Siç u vu re më sipër, në mjaft poezi ai shpreh hapur apo në mënyrë të tërthortë pikëpamje të gabuara politike në pasqyrimin e shtrembëruar të realitetit tonë socialist duke iu kundërvënë kështu gjithë letërsisë dhe arteve tona që militojnë në ndihmë të Partisë për edukimin e popullit. i ndikuar rëndë nga ideologjia borgjezo-revizioniste ka rënë në prehrin e një poezie të huaj dhe armiqësore për ne, që dëmton vijën e partisë.

Nëpërmjet një gjuhe të errët dhe plot nëntekste ai ka synuar të mbjellë idetë e tij kundërrevolucionare. Në raste të tjera ai është krejt i mbyllur dhe përdor figura që nuk zbërthehen dot. Këto poezi hermetike e të pakuptueshme janë në kundërshtim me orientimet e partisë për një letërsi të qartë e të kuptueshme. Ky pseudopodet me imitimet e shëmtuara të artit reaksionar është përpjekur të mbjellë barëra për të helmuar kopshtin tonë të pastër letrar dhe të prishë kështu atmosferën letrare.

24 tetor 1979

Visari u arrestua më datë 8 nëntor, 1979 në Kukës. Mbasi u dënua në një gjyq qesharak, në prill të vitit 1980, me trembëdhjetë vjet burg, ai u dërgua në burgun e Tiranës dhe më vonë transferohet në burgun famëkeq të Spaçit. Shumë nga të burgosurit që ishin me të në burg vdiqën nga keqtrajtimet, torturat dhe kequshqyerja ose pësuan çrregullime mendore. Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe u “lejua” nga pushteti komunist për të punuar në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1991, ai arriti të shkojë në Itali ku punoi në Milano deri në 1992. Përmes një burse studimi nga Fondacioni Heinrich Boll, Zhiti shkoi në Gjermani në vitin 1993 dhe vitin e ardhshëm shkoi në SHBA./“360grade.al”

Share: