Home KRYESORE Zhvillohet forumi i biznesit Shqipëri-Ukrainë në Tiranë

Zhvillohet forumi i biznesit Shqipëri-Ukrainë në Tiranë

​​U mbajt sot në Tiranë forumi i biznesit “Shqipëri-Ukrainë: Një hap përpara”, iniciuar nga Qendra Shqiptare e Eksporteve dhe me mbështetjen e Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, “Albanian Food Industry”, “Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Donetskut”, Ukrainë.

I pranishëm në forum ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Gentian Këri, i cili e konsideroi eventin si një hap të parë dhe shumë të rëndësishëm për të hedhur bazat e një zhvillimi tregtar të qëndrueshëm ndërmjet Shqipërisë dhe Ukrainës, si një mundësi e mirë që palët të njohin potencialet konkrete dhe të shkëmbejnë eksperienca, në mënyrë që t’i jepet një shtysë pozitive nxitjes së partneritetit ekonomik, investimeve e marrëdhënieve tregtare.

Qeveria shqiptare vlerëson rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike me Ukrainën, theksoi z. Këri, duke shprehur angazhimin për të forcuar më tej këtë partneritet.

Kuadri ligjor brenda të cilit janë zhvilluar marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve përbëhet nga disa marrëveshje, të cilat duhet të kishin garantuar një nivel më të lartë të marrëdhënieve ekonomike, pasi vërehet se shkalla e tregtisë dypalëshe dhe investimeve është ende modeste.

Duke iu referuar propozimit të palës Ukrainase për mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje të tregtisë së lirë mes dy vendeve, ashtu siç Shqipëria e ka me vendet e rajonit, Sekretari i Përgjithshëm i MZHETTS tha se “Qeveria shqiptare do të analizojë dhe do të vlerësojë me seriozitet këtë sugjerim, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, me dispozitat e MSA-së, me politikën e përbashkët tregtare të BE-së dhe bazuar gjithashtu në përfitueshmërinë ekonomike dhe tregtare reciproke.

Përsa i përket fushave të bashkëpunimit dy palësh, bashkëpunimi në fushën e turizmit është pozitiv dhe numri i vizitorëve nga Ukraina në Shqipëri, përgjatë këtyre 5 viteve të fundit, ka një trend në rritje, nga viti 2015 në vitin 2016 numri i tyre është rritur me 75%. Ndërkohë, duke pasur parasysh mundësitë ekonomike që ofrohen, ka potencial bashkëpunimi të marrëdhënieve në fushën ekonomike, tregtare, të turizmit, bujqësisë etj. dhe një perspektivë të gjerë për lidhjet tona të biznesit.

Ndërmarrjet ukrainase janë të mirëpritura në Shqipëri me investime direkte në agro-përpunim, bujqësi, turizëm, infrastrukturë, në zhvillimin e burimeve natyrore; etj. Kompanitë ukrainase mund të përdorin infrastrukturën, fuqinë relativisht të lirë të punës, regjimin e nxitës fiskal dhe qasjen në tregje pa tarifa, për shkak të marrëveshjeve të tregtisë së lirë që Shqipëria ka nënshkruar me vendet e CEFTA-s.

“Ne jemi të bindur se ky Forum Ekonomik do t’i japë kompanive Shqiptare dhe Ukrainase mundësinë për të ndarë përvojat e tyre, për të zgjeruar rrjetin e tyre te bashkëpunimit dhe për të krijuar mundësi reale për investime konkrete”, përfundoi fjalën e tij z. Këri.

Forumin e përshëndeti edhe Drejtori Ekzekutiv i AIDA-s, Genti Beqiri, i cili theksoi faktin se Shqipëria dhe Ukraina janë dy vende të ndryshme, por që mund të bashkëpunojnë shumë fort mes tyre. Ai tha se AIDA mirëpret të gjithë sipërmarrësit ukrainas që duan të investojnë në Shjqipëri, duke theksuar se tashmë ky institucion është një dritare unike për tërheqjen e investimeve të huaja.

Pjesëmarrës në forum dhe në takimet e formatit “B2B” ishin kompani të dy vendeve nga sektorët e ushqimit, pijeve, produkteve të agrikulturës, turizmit, makinerive, shërbimeve juridike e financiare, supermarketeve, etj.

Share: