Ambasada Ruse në Tiranë ka hedhur poshtë si të pavërteta lajmet rreth kërcënimit të jetës së ambasadorit Aleksandër Karpushin nga një grup ekstremist nga Maqedonia dhe Kosova.
Në një njoftim për mediat, ambasada thotë se pretendime të tilla janë të pavërteta.
“Ambasada Ruse shpreh habinë e madhe në lidhje me publikimin nga televizioni Vizion Plus, dhe pastaj nga mediat e tjera shqiptare, të materialit mbi çështjen e sigurisë së misionit diplomatik rus në Tiranë. Në gjykimin tonë, një fushë kaq sensitive, siç është organizimi i ruajtjes dhe sigurimi i mbrojtjes së misioneve të huaja diplomatike, gjë që sipas së drejtës ndërkombëtare është obligimi i çdo shteti pritës, nuk duhet të behet objekt i debatit publik. Pavarësisht se i referohet një lloj burimi diplomatik, materiali në fjalë përmban informacione të pavërteta dhe krejtësisht provokative, përshirë këtu edhe gjoja planet e Ambasadës për të ftuar në Tiranë një grup ekspertësh të inteligjencës ruse”, thuhet në njoftim.