Negociatorët e Parlamentit Europian për krizën politike në Shqipëri, David McAllister dhe Knut Fleckenstein do të zhvillojnë ditën e nesërme takime me krerët e mazhorancës dhe opozitës, pas një ndërhyrje të kërkuar nga Tirana për t’i dhënë zgjidhje situatës politike.
TvKlan raportoi se që prej kërkesës drejtuar Partisë Popullore Europiane nga dy krerët e mazhorancës, Zëvendës Presidenti i Partisë Popullore Europiane dhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian kanë zhvilluar bisedime me palët për të rakorduar pikat që do të diskutojnë në Tiranë.
Mësohet se një draft paraprak i hartuar mbi këto bisedime u është dërguar stafeve të kryeministrit Rama, kryeparlamentarit Meta dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Basha.
Takimin e parë dy negociatorët do ta kenë rreth orës 16.00 me kryetarin e Partisë Demokratike, i cili nuk do të zgjasë më shumë se një orë.
Në orën 17.00 është parashikuar takimi me bashkëdrejtuesit e koalicionit qeveritar.
Pika më e nxehtë e negociatave është kërkesa e opozitës për qeveri teknike pa Ramën kryeministër, prej të cilës premtoi edhe në protestën e sotme se nuk do të heqë dorë. Edhe qeveria, që prej ftesës drejtuar PPE–së për të negociuar, nuk ka patur lëkundje nga qendrimi i saj për të çuar deri në fund mandatin kushtetues, të fituar ligjërisht me votën e popullit, siç është shprehur kryeministri Rama.
Mbërritja e dy negociatorëve shihet me shpresë për të gjetur zgjidhje, por në Tiranë është paralajmëruar edhe dështimi i tyre.
Vetëm nëse do të gjendet dakortësi mes palëve, negociatorët do të mundësojnë një tryezë mes Ramës, Metës e Bashës, për ta zyrtarizuar marrëveshjen. Në të kundërt, kjo parashikohet të jetë përpjekja e fundit e Brukselit për të ndihmuar politikën shqiptare në zgjidhjen e situatës./Tv Klan