Home KRYESORE Djegia e hashashit, Xhafaj replikë me Llallën

Djegia e hashashit, Xhafaj replikë me Llallën

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj i është drejtuar me një letër prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla lidhur me akuzat e tij për asgjësimin e hashashit.

Ai i kujton kreut të Akuzës se takimin e parë në krye të Ministrisë së Brendshme e kishin zhvilluar së bashku. Xhafaj i referohet deklaratës së Llallës pak ditë më parë në prani të ministrit të Drejtësisë, Petrit Vasili.

“Ky fakt, nëse mbetet i provueshëm dhe i vërtetë, së pari më bën përshtypje se përse nuk u diskutua në takimin e përbashkët dhe nuk gjen asnjë gjurmë të ndonjë komunikimi zyrtar të mëparshëm mes dy institucioneve”, thotë Xhafaj.

Në letrën drejtuar kryeprokurorit, Xhafaj shkruan se iu referua edhe dy raporteve të Prokurorisë së Përgjithshme për gjendjen e kriminalitetit, të paraqitura në vitin 2016 dhe në fillim të këtij viti në Kuvendin e Shqipërisë dhe në të gjitha faqet e atyre raporteve, që shpjegojnë shumë detaje, nuk gjendet asnjë rresht i vetëm lidhur me këtë akuzë të artikuluar publikisht. Raporti është paraqitur vetëm pak ditë më parë në Kuvend.

“Deklarata juaj, e përcjellë në këtë mënyrë, çmoj se cënon frymën pozitive të besimit dhe bashkërendimit të punës që ne kemi diskutuar e jemi dakortësuar të kultivojmë në punën e përbashkët të prokurorëve dhe strukturave të policisë gjyqësore, në përpjekjet e përditshme për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike”, vijon Xhafaj.

Xhafaj i shkruan Llallës se shkeljet e pretenduara prej tij kalojnë cakun e përgjegjësisë administrative dhe i kërkon t’i evidentojë ato dhe personat përgjegjës në Policinë e Shtetit.

“Jam i gatshëm të ndëshkoj çdo shkelje të ligjit në radhët e tij. Jam i sigurt, referuar shqetësimit publik që ju ngritët, se të njëjtën gjë do të bëni edhe ju edhe për drejtuesit e prokurorive përkatëse që kanë lejuar situata të tilla paligjshmërie”, thekson Xhafaj.

Xhafaj siguron Llallën se veprimi i tij do të jete i menjëhershëm deri në kufijtë që i lejon ligji, në ndëshkim të çdo rasti në mënyrë të shëmbullt. Ministri thotë se pret krahas informacionit zyrtar edhe përmbushjen e detyrës proceduese penale të kryeprokurorit, ndaj secilit individ që i provohet shkelja./ Top Channel

Share: