Nga Kastriot Dervishi
Gjatë postimeve të fundit kanë dalë disa çështje në lidhje me vrasjen e Esat Toptanit. Nga ky shkak e quaj të nevojshme të jap disa sqarime, të cilat mund t’i gjejë kushdo që është i interesuar për këtë çështje.
Esati ishte i vetmi fitues shqiptar i Luftës së Parë Botore, sepse u rreshtua me Antantën. Këtu buronte edhe legjitimiteti i tij për t’iu drejtuar Konferencës së Paqes në Paris, si dhe për të qenë me një detyrë shtetërore në Shqipërinë e pasluftës. Mirëpo, interesat e fuqive në raport me Esatin ndryshuan. Franca nuk mund t’i përmbahej më premtimeve të mëparshme sepse u kishte dhënë të tilla Serbisë (më pas Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene). Po ashtu fundi i luftës e armiqësoi Esatin edhe me Italinë. Franca, Italia nuk u shfaqën për rikthimin e tij në Shqipëri, ndërsa Britania e Madhe nuk e shfaqi haptazi pengesën apo rikthimin apo pengimin e tij.
Kësisoj, Esati shpresoi te SHBA dhe presidenti Wilson. Kontakti i parë i Esat Toptanit me diplomacinë amerikane u realizua para mbarimit të luftës, në korrik 1918, me anë të një letre dërguar ambasadorit amerikan në Paris. Në mes të prillit 1919, Esat Pasha u takua me presidentin amerikan Wilson, të cilit i tha se kishte luftuar në radhët e aleatëve për parimet e shpallura të tij (Wilsonit) dhe, më e pakta që ai priste, ishte që Shqipëria të mbetej në kufijtë e 1913-s. Esati kërkoi që presidenti amerikan ta pranonte mandatin amerikan mbi Shqipërinë duke shfaqur besimin e shqiptarëve ndaj SHBA-së.
Në një promemorie që Esat i drejtoi Konferencës së Paqes më 16 prill 1919, ndër të tjera kërkoi mbetjen në fuqi të vendimeve të Konferencës së Londrës së vitit 1913 si dhe riformulimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, me një përfaqësues të SHBA-së, në vend të dy fuqive humbëse.
Në Shqipëri gjendja ishte kaotike. Klasa politike e vendit, konsiderohej e gjitha humbëse sepse pat qenë me Austro-Hungarinë. Mirëpo kjo klasë u transformua nga proaustriake në probritanike. Për këtë gjë, konsulli britanik Eden, arriti të mbledhë shqiptarë ish proaustrikë në kongresin e Lushnjes në vitin. Për këtë kongres ishte edhe një miratim i Esatit sepse delegatët e Tiranës u zgjodhën prej tij. Disa muaj pas kongresit, Esati e pa veten jashtë kompromisit të kongresit të Lushnjës.
Klasa politike e vendit ish proaustriake nuk e dëshironte më atë ta kishte të pranishëm në vend. Mbështetësit e Toptanit, të drejtuar nga Osman Bali filluan të ushtrojnë trysni mbi qeverinë e Tiranës për të krijuar kushte për kthimin aktiv të Esat pashë Toptanit në politikën shqiptare. Ata nisën atë që njihet me emrin “kryengritja esatiste”, prej së cilës nuk është vrarë asnjë person sepse më shumë ishte një mjet presioni mbi qeverinë.
Më 12 prill 1920 parlamenti shqiptar diskutoi çështjen e përkrahësve të Esatit. U lexua edhe një letër e dërguar nga Kruja ku kërkohej përfshirja e Esat Toptanit në qeveri e, për këtë qëllim u organizuan dy komisione për t’u marrë vesh me popullin e këtyre krahinave. Njeri që do të shkonte në Krujë, i përbërë nga Gjergj Koleci, Xhemal Naipi, Bektash Cakrani, Xhemal Beu e Ramiz Daci dhe tjetri që do shkonte në Durrës, i përbërë nga Hafiz Sabri beu, Hilë Mosi, Hysen Vrioni, Spiro Koleka e Neki Ruli.
Më 15 prill 1920, parlamenti vendosi dërgimin e një delegacioni në Paris për bisedime me Esatin, të përbërë nga imzot Gjergj Koleci, Ymer Deliallisi, Fuat Toptani dhe Bajram Fevziu, shpërndarjen e popullit ditën e bërjes së ditur të kësaj deklarate, falje për ata që morën pjesë në kryengritje dhe dënimin e të pabindurve.
Por duke e ndjerë veten jo të sigurt, sidomos në zonën e Durrësit, qeveria nisi bisedimet me esatistët, edhe pse ata më 2 maj 1920 kishin kërkuar rrëzimin e ekzekutivit shqiptar.
Midis palëve u arrit një besë, e cila nuk do të respektohej. U zgjodh varianti i vrasjes së Esatit, pikërisht për çështje politike e jo për “shitje” apo “blerje”.
Më 31.5.1920 Avni Rustemi u nis për në Francë. Alibia që do përdorte ishte se vrasja nuk u bë me paramendim, por nga urrejtja e çastit. Ai takoi disa sekretarin e Esatit, Gjergj Goga, sepse i kërkoi “ta ndihmonte” për punë shkolle.
Më 13.6.1920 Avni Rustemi vret Esatin pas shpine duke qëlluar dy herë. I bllokohet arma e nuk shtien më tepër. Në këto rrethana kapet nga qytetarët francezë dhe rrihet. Izolohet derisa erdhi xhandarmëria. Në momentin e vrasjes, Esati nuk ishte me nipin e tij Xhemil Vlora dhe të dashurën. I pyetur për herë të parë në hetuesinë franceze, Xhemil Vlora deklaroi se e njihte Avni Rustemin si një njeri që kishte qenë në shërbim të osmanëve e tani ishte vënë në shërbim të qeverisë së Tiranës. Dëshmia e Xhemil Vlorës u censurua në librin me dokumente që do të botohej për Avni Rustemin nga Arkivi Qendror i Shtetit në vitin 1974.
U tha që nga kjo vrasje fitoi Shqipëria sepse solli stabilitet. E vërteta është krejt tjetër. Për 4 vitet e para pas vrasjes së Esatit, ja çka ndodhur në Shqipëri:
-Tentativë për grusht shteti në nëntor 1920.
-Kriza e dhjetorit 1921.
-Kryengritja e marsit 1922
-Tentativë për grusht shteti në nëntor 1923.
-Grusht shteti në qershor 1924.
Tani vijmë te statusi i Shqipërisë në atë kohë, duke referuar disa data. Kjo sepse është akuzuar Esat Toptani se duhej të ketë qenë më i fuqishëm se Wilsoni e mund të bënte “pazare”. Ja kronologjia e paraqitjes së disa fakteve:
-Më 14 janarit 1920 u paraqit marrëveshja anglo – franko – italiane, e cila për Shqipërinë, e cila ishte traktati i fshehtë të Londrës të vitit 1915. Kjo marrëveshje nuk u diskutua sepse nuk mori pjesë përfaqësuesi amerikan Polk.
-Më 17 shkurt 1920, në përgjigjen që i dërgonin presidentit Wilson, qeveritë franceze dhe britanike propozonin ndarjen e Shqipërisë midis MSKS-së dhe Italisë (ku do të merrte pjesën e saj edhe Greqia) me përligjjen se shqiptarët ishin “të paaftë për të vetëqeverisur”.
-Më 25 shkurt 1920 presidenti amerikan ai që nuk e pranoi sërish këtë plan me notën e tij.
-Më 6 mars 1920, pas një kërkesë të re anglo – franceze, Wilson në përgjigjen e tij, pranonte që Italia dhe MSKS-ja të vetëpërcaktonin kufirin e tyre me përjashtim të territoreve që kishin të bënin me Shqipërinë. Sipas Willsonit, “çështjet shqiptare, nuk mund të hynin në diskutimin e propozuar midis Italisë dhe MSKS-së”, duke shtuar se nuk mund të pranonte asnjë plan që mund të kompensonte MSKS-në në veri të Shqipërisë, për ndonjë territor që mund të merrej në vend tjetër.
-Më 10 prill 1920, konferenca u mbyll duke shpallur moscopëtimin e Shqipërisë.
-Më 2 tetor 1921 Asambleja e Lidhjes së Kombeve miratoi një rezolutë për Shqipërinë, duke marrë në shqyrtim thirrjen e Shqipërisë drejtuar kësaj Asambleje, më 29 qershor 1921.