Pas shuplakës që Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmur Gabriel i bëri opozitës me thirrjet për t’u futur në Kuvend dhe cilësimit si “absurd” të kërkesës për qeveri teknike, analisti Fatos Lubonja thotë se tashmë ndërkombëtarët e kanë humbur kredibilitetin e tyre.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve të “News24”, Lubonja sugjeroi që edhe kreu i Partisë Demokratike duhet patjetër të ofrojë mjete të tjera politike dhe mos të qëndrojë me kërkesat e tij maksimaliste, raporton “BalkanWeb“.
Kriza politike dhe vizitat e ndërkombëtarëve
Mendoj se çadra ndonëse ka të drejtën e vet në lidhje me pretendimet, i mungon mbështetja e lëvizjes popullore, pra populli i madh dhe ndërkombëtarët. Shkaqet sepse nuk i ka me vete, mendoj se ndahen sërish në dysh, se kjo opozitë ka qenë në pushtet dhe ka humbur kredibilitetin, ndërsa ndërkombëtarët i kanë dhënë një lloj besimi kësaj qeverie dhe ata janë gjithnjë mbrapa nesh në diagnostikimin e sëmundjeve tona. Kështu e shoh mbështetjen e ministrit gjerman për Ramën. Faktori ndërkombëtar ka kohë që ka humbur një lloj kredibiliteti, i mëshojnë më shumë stabilitetit se sa demokracisë. Ndërkombëtarët gjithnjë i japin mbështetje qeverisë, që do të thotë se shqiptarët duhet ta marrin vetë situatën në duart e tyre
Çfarë duhet të bëjë Basha pas shuplakës së kryediplomatit gjerman?
Në mungesë të mbështetjes popullore, i duhet patjetër të ofrojë mjete politike, dialog, takime, negociata, nuk mund të qëndrojë me ultimatumet e tij, kërkesat maksimaliste. Duhet të marrë parasysh edhe ekzistencën e partive të tjera. Mendoj se duhet të bëjë diçka më tepër. Por ndërkombëtarët duhet të sqarohen. Mbyllja e syve përpara tonelatave të drogës, blerja e policëve, shtohen vazhdimisht këto lajme. Kam dëgjuar shumë tani që lënë bujqësinë, mbjellin kanabis sepse fitojnë më shumë. Këta njerëz kapen nga krimi, kapen nga policia e lidhur me krimin, është katastrofë. Situata është alarmante.
Do të ketë destabilitet?
Unë mendoj që më mirë të rrijë kjo qeveri e ta rrëzojmë avash avash se sa të bëhet sërish ’97-a. Çadra, Blushi apo LSI-ja secili po jep ndikimin e vet në opozitë.
Referendumi në Turqi për rritjen e pushtetit të Erdoganit. A keni një koment?
Besoj se ndikon i gjithë ky kërcënim destabiliteti i botës. Ato që mund të quhen rreziqet e kërcënimeve të demokracisë shtohen dita ditës. Ekziston një prirje autoritariste në Turqi që mund të ketë impaktin e vet negativ. Merkel tani pas fitores së Erdogan kërkoi dialog, që do të thotë se thjesht duan të ruajnë stabilitetin.