Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani vlerësoi me anë të një ceremonie të veçantë të mbajtur në mjediset e hapura të Institucionit, Fondacionin bamirës “Fundjavë Ndryshe” me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”: “Në shenjë vlerësimi ndaj veprimtarisë dhe kontributit të vyer dhënë nga fondacioni ‘Fundjavë Ndryshe’. Në një periudhë të shkurtër, me punë të palodhur, i ka dhënë shpresë e ndihmë konkrete shumë familjeve në nevojë ekstreme, duke vendosur ura lidhëse njerëzore mes tyre dhe bamirësve të ndryshëm”.
Në fjalën e mbajtur në praninë e drejtuesve dhe anëtarëve të bordit themelues të Fondacionit, aktivistëve të përkushtuar vullnetarë, kryesisht të rinj e të reja, të diplomatëve dhe krerëve e klerikëve të bashkësive të ndryshme fetare, pedagogëve dhe artistëve të ftuar, Presidenti Nishani tha se ky Fondacion ka lënë gjurmë në një kohë kaq të shkurtër duke gdhendur kudo vepra mirësie e ngrohtësie, vepra këto, që kanë sjellë ndryshimin e kursit të jetës për shumë familje në nevojë, të cilat ndoshta nuk janë sonte këtu mes nesh, por kanë përfituar në çastet më kritike e të vështira të jetës së tyre.
Kreu i Shtetit vlerësoi në mënyrë të veçantë aspektin e madh njerëzor dhe humanitar të Fondacionit, të cilit në emër të shtetit shqiptar duhet: “t’i shprehim falënderimet dhe mirënjohjen, sepse ai karakterizohet dhe shoqërohet nga një kurajë dhe iniciativë, ndoshta e paidentifikuar dhe e pagjetur dhe e paofruar më përpara në Shqipëri.
“Veprimtaria e sotme i kushtohet njohjes së kontributit, vlerësimit të këtij kontributi dhe nderimit të kurajës, të guximit, por edhe të iniciativës së një grupi shumë të madhe njerëzish, të cilët në gjykimin tim individual e njerëzor, por edhe institucional kanë jetësuar ndoshta në mënyrë të rrallë, për të mos thënë për herë të parë, por në këtë kovergim të ideve, angazhimeve, parimeve, kontributeve, disa dimensione, të cilat jo vetëm duhen njohur e përkrahur, por mbi të gjitha duhen nderuar e promovuar si dhe përhapur në të gjitha qelizat e shoqërisë sonë. Në ato qeliza që janë të shëndetshme, por edhe në ato qeliza që i kemi të sëmura. Ndaj kjo veprimtari përbën një rast të veçantë si për mua, ashtu edhe për Institucionin e Presidentit, por jam i bindur edhe ky vlerësim i njohjes së këtyre kontributeve, besoj se i bashkohet ndoshta shumë pak në raport me dimensionin e asaj që ju keni përfaqësuar, që keni ofruar, që do ta ofroni në përmasa shumë e shumë herë më të mëdha, por që gjithsesi i bashkohet kontributit tonë të përbashkët.” – u shpreh Presidenti Nishani duke falënderuar përzemërsisht të gjithë nismëtarët e parë të këtij Fondacioni.
“Idetë dhe nismat tuaja sollën jo thjesht një ‘Fundjavë Ndryshe’, por edhe sjelljen e komunitetit ndryshe nga ç’e mendonim, që e perceptonim apo që e kishim parë në raport jo vetëm me ndërgjegjen njerëzore, jo vetëm me përgjegjësinë individuale, por edhe me përgjegjshmërinë e një shoqërie të civilizuar, të emacipuar, me ambicie pozitive, dhe me objektiva të qartë që buronin tek e vërteta. Dhe sa më e madhe, më e fortë e transparente të jetë e vërteta nga e cila buron ky lloj frymëzimi, aq më e sigurtë është vendmbërritja dhe aq më i suksesshëm do të bëhet edhe rrugëtimi drejt kësaj vendmbërritje. Ndaj në emër të Institucionit të Presidentit të Republikës, por jam i bindur edhe në emër e shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë dëshiroj t’ju falënderoj sonte për këtë hap të madh që keni ndërmarrë në kulturën shoqërore, por edhe në disa parime. Së pari në lidhje me humanizmin.” – u shpreh Kreu i Shtetit duke renditur se krahas egos, qëllimeve dhe rrugëtimeve individuale, “asnjë prej tyre nuk mund të shihet si e realizuar apo e jetësuar apo e njehsuar, jashtë kontekstit dhe angazhimit dhe jashtë realitetit shoqëror.”
“Ju që u mblodhët në këtë grupim, i përputhët në mënyrën më të mirë të mundshme idetë, egon, pasionin, rrugëtimin me realitetin shoqëror. Parimi i dytë që dua të vlerësoj ka të bëjë me vënien në dispozicion të kapaciteteve që individi ka dhe demonstron. Pra, u gjendët në këtë rrugëtim e iu bashkuat këtij realiteti shqiptar duke ofruar atë që secili prej jush e ka si kapacitet, që ndoshta është gjëja më e çmuar dhe pasuria më e madhe e një individi, e cila nuk është një pasuri materiale, por një pasuri fizike, shpirtërore, intelektuale, qytetare dhe kulturore. Ju më mirë se kushdo tjetër keni treguar se mund të jetësohen, përputhen, bashkohen këto parime dhe këto dimensione të individit në raport me realitetin e shoqërisë brenda së cilës individi jetoj dhe mendon se mund të kontribuuojë.” – vuri në dukje Presidenti Nishani.
“Mendoj se ju keni sjellë një model të ri, një kulturë, një platformë dhe një filozofi të re, e cila sot më shumë se kurrë po duket konkuruese jo vetëm në Shqipëri, por edhe në hapësirat e shoqërive shumë të konsoliduara në kontekstin e civilizimit, demokracisë e të funksionimit. Kjo filozofi e re që ju keni sjellë ka të bëjë me shërbimin për qytetarët, për popullin. Duket që është dhe do të jetë shumë konkuruese e dominuese ndaj asaj që i takon së shkuarës, të vjetrës, asaj ‘në emër të popullit.’ Duket që shërbimi për popullin do të triumfojë ndaj së ashtuquajturës ‘në emër të popullit.’” – nënvizoi Presidenti i Republikës duke folur për të shkuarën e hidhur dhe trashëgimisë të dhimbshme që shqiptarët kanë pasur.
“Sot më shumë se kurrë ne kemi mundësi të nxjerrim mësime, të frymëzohemi e t’i bashkangjitemi kësaj filozofie të re që ju më shumë se kushdo tjetër, dhe të gjithë aktorët e shoqërisë sonë, ta tregoni se sa e suksesshme është kjo filozofi e kjo platformë dhe kjo përfshirje në shërbim të popullit, e cila nuk është më retorikë te veprimtaria juaj, te jeta jua, te individualiteti juaj, por është një realitet të cilin ju e keni sjellë, nuk jeni ndalur nga zhurma e përditshme, por keni shtuar akoma edhe më shumë forcën për të ndrequr atë ‘padrejtësi’ që mund t’ju ishte bërë në lidhje me prezantimin tuaj me shoqërinë. E keni kompensuar me dinamizëm, me veprimtari dhe me sakrifica më të mëdha.” – u shpreh Presidenti i Republikës duke folur edhe për parimin e asocimit të të rinjve: “Energjitë e mëdha, pasioni dhe dëshira që zotëron brezi i ri duhet me çdo kusht të gjejnë mjedisin, organizimin dhe mekanizmat e asociimit. Dhe nëse ne do t’i lëmë të rinjtë të paedukuar me kulturën e asoccimit, do t’u lëmë hapësira të mëdhë që probaliteti më i madh i zënies së këtyre hapësirave do të jetë e keqja, do të jetë e liga, do të jetë e shtrëmbëta, e dëmshmja, ajo që do ta dëmtojë individin, por që krahas individit, do të në sjellë dëme të gjithëve. Ndaj kjo kulturë që ju keni sjellë përmes asoccimit besoj se duhet të mbetet një çështje e angazhimeve dhe e përcjelljes si shembull përtej grupimit tuaj, kryesisht te të rinjtë, në botën universitare, te studentët, nxënësit e gjimnazeve, te të rinjtë kudo ku janë në zonat urbane dhe të periferisë. Koncepti i asociimit jo vetëm është dimension i një kulture perëndimore, një mundësi gjenerimi energjish pozitive dhe korrigjimit të energjive negative, por mbi të gjitha do të kemi mundësi që duke i korrigjuar përmes debatit, komunikimit, edhe përmes ndihmës, do t’i adresojmë në drejtimet më të mira.”
Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti Nishani theksoi se “Fundjavë Ndryshe” me “Egon, pasionin dhe ndërthurjen e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme, sjell edhe dimensionin e rëndësishëm që ‘Shpresa ekziston.’”, pavarësisht dilemave që njerëzit përjetojnë përkundrejt pragmatizmit deformues dhe besimit në vlera e në parime: “Do të pëlqeja më shumë që të mbetemi më fort të lidhur te parimet dhe te vlerat, sepse ato besoj se janë edhe përtej idealeve. Janë pikërisht të lidhura me realitetin ku individi dëshiron të gjejë idealin e tij. Duke besuar te parimet dhe te vlerat, jam i bindur që do të triumfojmë ndaj dilemës së pragmatizmit të deformuar përkundrejt besimit te parimet dhe te vlerat. Jam i bindur se shumica dërrmuese e shoqërisë sonë janë njerëz, të cilët ende nuk e kanë humbur besimin te parimet dhe te vlerat, pavarësisht vështirësive dhe ndoshta ju jeni dëshmitarët dhe shembujt më të mëdhenj e më të fuqishëm, të cilët mund t’i përcillni shoqërisë sonë në përgjithësi se si njerëz të shumtë në këtë vend, për shkak të rrethanave të vështira vazhdojnë t’i mbajnë gjallë besimin dhe shpresën. Dhe jam i bindur që këtë shpresë ua keni sjellë si një dimension më të madh ju. Sot më shumë se kurrë Shqipëria jonë ka nevojë për këtë shpresë, që të formësohet në nivelin më të mirë të mundshëm e të konsolidohet në nivelin më të mirë të mundshëm nga të gjithë: nga institucionet e shtetit, nga të gjithë aktorët, ata që kanë fuqi vendmmarrëse, nga klerikët, nga akademikët, intelektualët, nga vija më e parë e çdo shoqërie, nga ajo që është më e ndjeshme ndaj realitetit, por edhe që gëzon kapacitetet për ta orientuar shoqërinë në realitetin që jeton. Dhe në këtë lloj realiteti, njëri prej aktorëve të rëndësishëm sot në Shqipëri jeni bërë ju me mendjen, zemrën, forcën, besimin e me dëshirën tuaj, me parimet ku besoni e me vlerat që keni, të cilat nuk janë aksidentale te asnjëri prej jush, sepse asnjë prej këtyre parimeve nuk mund të jetë aksidentale. Është e ushqyer nga nënë e babai, nga familja juaj. Është e kultivuar nga mjedisi ku jeni rritur, ku keni mësuar e ku jetoni ku bisedoni e ku diskutoni. Dhe kemi një shans: që ta përcillni te mjedisi që ju rrethon dhe ku kemi të gjithë përgjegjësi. Të gjitha këto vlera dhe dimensione që ju keni sjellë mbi të gjitha duhen njohur së pari nga shteti shqiptar, nga institucionet e vendit, nga aktorët e kësaj shoqërie dhe nga shoqëria jonë në tërësi. Unë shpresoj dhe dëshiroj shumë që ky vlerësim e takim sonte të ketë shërbyer sadopak për të përcjellë dimensionin e njohjes, jo të informacionit, të këtyre kontributeve dhe përtej njohjes, vlerësimin e tyre, te mirënjohja e për të shkuar pastaj te nderimi.”
Duke pranuar vlerësimin dhe nderimin shtetëror të akorduar nga Kreu i Shtetit, ideuesi dhe themeluesi i Fondacionit Arbër Hajdari, pasi shprehu mirënjohjen ndaj Presidentit Nishani, vuri në dukje se veprat bamirëse dhe qëllimi kryesor i veprimtarisë së tyre bëhen kryesisht për t’u ardhur në ndihmë e për të zgjuar shpresën te shqiptarët.