Nga Romeo Hanxhari
Edhe sivjet urova “Gëzuar Pashkët” mikun tim katolik Antonin dhe mora si përgjigje “hajt gëzuar ishàlla”. Urova edhe kolegen time katolike Cecilien, dhe sërish mora përgjigje “Gëzuar ishàlla”. Urova edhe kushërirën time ortodokse Lizën, dhe sërish dëgjova “Gëzuar ishalla”. E shumë të tjerë, të gjithë “Gëzuar Pashkët ishàlla” …
Dhe nuk janë raste. E kam dëgjuar shumë shpesh, praktikisht që pas vitit 1990 qëkur rifilluam të uronim festat fetare. Por vetëm tani vonë fillova ta pyes veten “pse?”… Ia bëra vetes këtë pyetje sepse nuk di ndonjë vend apo ndonjë gjuhë tjetër ku një urim i krishterë të shoqërohet nga një urim myslyman në të njëjtën fjali.
Fjala “in-sha-allàh”, me theks tek “a” e fundit, është Arabisht, dhe ka kuptimin “dashtë Allahu”, ose më saktë “Allahu e bëftë të mundur”. Shqiptarët në fakt nuk janë populli i vetëm që e kanë huazuar këtë fjalë si pjesë të fjalorit të tyre laik. Edhe Spanjollët edhe Portugezët e kanë, nën formën “oshala”, për shkak të pushtimit arab disashekullor të trojeve të tyre. …Por as spanjollët dhe as portugezët në përdorimin e asaj fjale nuk shkojnë deri tek “gëzuar Pashkët ishalla”… Do të ishte e tepërt dhe e çuditshme për ta.
Në shqip ajo fjalë vjen si “ishàlla”, me theks përgjithësisht tek “a” e parë. Po me cfarë kuptimi e përdorin pjesa më e madhe e shqiptarëve? Vallë e përdorin në kuptimin e vet fetar!? Shumica e shqiptarëve as ia dinë fare kuptimin fetar…. Jam i bindur pra, se kjo është një dukuri thjesht shqiptare që shkon përtej kohës dhe vendit.
Nëse një perëndimor do të dëgjonte kombinimin shqiptar “gëzuar Pashkët ishalla” do të mendonte se edhe shqiptarët e krishterë janë në fakt myslymanë radikalë. Ndërsa nëse një arab do ta dëgjonte të njëjtin kombinim fjalësh do të mendonte se të gjithë shqiptarët janë myslymanë praktikantë. As njeri dhe as tjetri nuk kanë të drejtë… Sepse ata nuk i njohin shqiptarët…
Sepse në fakt në përgjithësi shqiptarët e përdorin këtë fjalë si një rutinë leksikore, pa i dhënë domosdoshmërisht kuptimin fetar. Sepse shqiptarët e kanë marrë këtë fjalë nga osmanët, dhe as osmanët nuk e kanë në gjuhën e tyre, e rrjedhimisht as ata ndoshta nuk e kanë përdorur në kuptimin burimor. Shqiptarët, me sa duket e kanë marrë menjëherë që përpara 400 vjetësh këtë shprehje, ashtu natyrshëm sic i bëjmë ne shqiptarët gjerat. Dhe fjala “ishàlla” është bërë pjesë e shqipes edhe pse me një popull me shumicë të krishterë deri 200 vjet më parë.
Ne tashmë e kemi këtë trashëgimi shumë të vecantë dhe të cmuar. Mësimet që na vijnë nga ky lloj përdorimi laik i një fjale fetare janë disa. Nga njëra anë është një mrekulli e historisë shqiptare që një komunitet i krishterë të përdorë një fjalë fetare islame. Nga ana tjetër, vë bast se edhe shumica e myslymanëve të Shqipërisë nuk ia di kuptimin kur e përdor në jetën e përditshme, sepse ata as kanë ditur dhe as dinë arabisht. …Rrjedhur prej këtej, askush nuk duhet të abuzojë duke e bërë përdorimin aq të shpeshtë të fjalës “ishàlla” një kalë beteje për të provuar gjoja se shqiptarët janë radikalë. As dje, as sot, dhe as nesër. Përkundrazi. Kjo fjalë dhe kombinimet e urimeve edhe të krishtera me të, dëshmojnë se shqiptarët janë thjesht mendjehapur dhe i marrin gjërat shumë më lehtë se sa ata që i kanë krijuar ato gjëra. Ky është virtyti ynë. …
Por ama edhe ky virtyt nuk është i përjetshëm. Sot janë shtuar njerëzit, grupimet, shtetet, apo kombet që duan ta keqpërdorin dhe ta keqinterpretojnë këtë virtyt. Duan ta ndryshojnë virtytin duke e shndërruar në një mallkim për vetë shqiptarët. Për të futur farën e përcarjes e të refuzimit të njeri-tjetrit. Për të bërë që nesër të krishterët shqiptarë ta shmangin përgjithmonë fjalën laike “ishàlla”, dhe për të bërë që myslymanët shqiptarë ta përdorin këtë fjalë laike vetëm si një fjalë ekskluzivisht fetare. Lehtësinë pozitive me të cilën ne i bëjmë gjerat mos të lejojmë që të tjerët të na e kthejnë në “fakt të kryer” të radikalizimit.
Unë shpresoj pra që, megjithëse do të ketë gjithmonë njerëz të mbrapshtë e të errët, shqiptarët do të vazhdojnë t’i thonë me sinqeritet dhe pastërti njëri-tjetrit “Gëzuar Pashkët ishàlla!”… Dhe do t’i përgjigjen njeri-tjetrit si të duan ata. Pse jo edhe “hajt gëzuar ishàlla”…