Për të rritur numrin e dëbimeve, qeveria gjermane ka kërkuar me urgjencë qindra funksionarë që të ndihmojnë qeveritë e landeve në kryerjen e praktikave të parashikuara.
Lajmin e bën të ditur “Der Spiegel”, që citon një deklaratë të Ministrisë federale të Brendshme.
Berlini është në kërkim të 420 funksionarëve me arsim të mesëm ose të lartë që të ndihmojnë në rajonet e ndryshme të vendit në mënyrë vullnetare, për një periudhë nga 6 deri në 15 muaj.
Sipas “Der Spiegel”, për të interesuarit nuk janë të nevojshme njohja e procedurave të të drejtave të azilit apo për të huajt.
Këtë vit, numri i emigrantëve që nuk përfituan azil në Gjermani dhe do t’u duhet të lënë vendin pritet të arrijë shifrën 485 mijë. Vitin e kaluar, dëbimet ishin 25 mijë. Këtyre shifrave u shtohen 55 mijë riatdhesime vullnetare.
Në shkurt, kancelarja Angela Merkel dhe guvernatorët rajonalë ranë dakord për një plan për përshpejtimin e dëbimeve.