Home KRYESORE I nderuar Basha….kam unë nja dy ide dhe asnjë ëndërr për Republikën...

I nderuar Basha….kam unë nja dy ide dhe asnjë ëndërr për Republikën e Re!

Nga Armir SHKURTI

Pak ditë më parë, në faqen zyrtare të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha lexova këtë thirrje:

“Mirësevjen në lëvizjen popullore, demokratike dhe kombëtare për Republikën e Re. Na shkruaj edhe ti idetë e tua, ëndrrën tënde se si do që të jetë republika e re dhe çfarë duhet të ofrojë ajo për shoqërinë tonë, për gjithsecilin prej nesh.”

Me vullnet të mirë po botoj edhe unë nja dy idetë e mia.

E para. Duhet ngritur edhe një herë flamurin dhe shpalljen e dytë të Pavarësisë së Shqipërisë.

Përfshi edhe ndryshimet e fundit kushtetuese që edhe PD ka votuar, Shqipëria ka dorëzuar një pjesë të rëndësishme të sovranitetit të vendit. Jo vetëm “dekriminalizimi” e reforma në drejtësi, por i gjithë legjislacioni, të gjitha reformat ekonomike dhe ecuria politike janë një projekt ndërkombëtar BE & SHBA. Nuk ka shans të nisë një projekt i ri politik për një republikë të re pa miratimin e tyre, ose pa shpalljen reale të pavarësisë prej tyre dhe rivendosje e plotë të sovranitetit kombëtar.

E dyta. Ndëshkimi i klasës politike të republikës së parë.

Si përgjegjëse për gjithçka Ju, zoti Basha, me të drejtë akuzoni në çadër, Ramën për hashashin, pèr 2.4 miliard euro shpèrdorim etj. Por pèrtej llafeve, duhet ndëshkim. Sipas meje ai fillon që me zbatimin e rezolutave të institucioneve më të larta Europiane për dënimin e krimeve të komunizmit, deri tek zbardhja e çdo qindarke të politikanëve të çdo rangu e çdo punonjësi administrate. Një simbol shumë i dobishëm do të qe raportimi LIVE nga çadra, zoti Basha, i gjithë pasurisë tuaj dhe rrethit tuaj familjar e më gjerë, zbardhja dhe transparenca për mënyrën se si janë vënë ato dhe ftesa për ta bërë çdo përkrahës i republikës së re. Pas Jush, të gjithë ata që “gjenerata tjetër” e PD -së i quan “të vjetër”. Le të vijnë gjithë pushtetarët demokratë 1992 e deri sot e të tregojnë si e blenë shtëpinë, pastaj atë të plazhit, pastaj makinën e parë, të dytë, shkollën e fëmijëve jashtë, biznesin e gruas, të kunatit…… Kush i ka të pajustifikuara të ikë me vrap ose ta dëbojë me hu çadra. Pas këtij pastrimi, e njejta praktikë për gjithë krahët e politikës, duke përfunduar me SEKUESTRIM TË PASURIVE DHE PËRDORIMIN E TYRE PËR RIPARIMIN E DËMEVE EKONOMIKE E SOCIALE DHE ZBUTJEN E MJERIMIT.

E treta: investimi mbarëkombëtar për një sistem drejtësie me integritet, të pavarur, profesional dhe të mirëpaguar. 

Të gjithë sistemit i duhet siguruar paprekshmëria dhe mirëqenia personale e profesionale si dhe ndëshkimi me sekuestrim të ÇDO pasurie dhe përfitimi në rast të kundërt. Natyrisht, ribërja e gjithë legjislacionit, duke nisur nga Kushtetuta dhe garantët e saj

Së katërti: Çrrënjosja e oligarkisë dhe riformatimi i tregut.

Pasuria e shqiptarëve sot është përqëndruar në duart e pak njerëzve, të lidhur fuqishëm me politikën dhe mediat. Këta qeverisin de facto vendin. Ata kanë përfituar nga tenderat, nga prona publike, nga fonde e donacione, privilegje e lehtësi të pandershme e hera – herës kriminale, nga politikat e bëra enkas për ta prej politikanëve të blerë apo ortakë në këtë aventurë. REPUBLIKA E RE DUHET T’I PYESË PËR MILIONIN E PARË DHE QINDARKËN E FUNDIT! Nëse s’dalin një më një faturat, ajo ndèrmarrje, pronë, agjenci, SEKUESTROHET. Natyrisht evazorët çohen pas hekurave , bashkë me “ortakët” që kanë mundësuar atë përfitim

Së pesti: vendosja e demokracisë në fillim në PD e më pas në gjithë Republikën.

Është emocionuese beteja dymujore për votën e lirë në Shtëpinë e Lirisë në Bulevard. Shpresoj shumë që ky mekanizëm të perfeksionohet në rradhë të parë brenda partisë, që nga zgjedhjet në seksione, deri në vendimet kolegjiale të Këshillit Kombëtar e Kryesisë, e tek marrja e vendimeve për kandidaturat për deputetë…

ideja ime – meqë ma kèrkon publikisht – është që tashmë PD-së , krahas Republikës së Re, i duhet një ideologji e re, doktrinë e re apo një qëllim i ri ekzistence. Kjo parti lindi si front antikomunist në vitin 1990 dhe ishte mrekullisht pozicion të saj deri në vitin 1996. Gjatë kësaj kohe u artikulua edhe termi “parti e djathtë”, por qëndrimi ndaj pronarëve, ish të përndjekurve politikë migrimit të brendshëm etj ia hoqën kuptimin. Qeverisja 1992 – 1997 ishte një amalgamë politikash të majta me praktika të djathta ku vështirë të kuptosh ku nis njëra e ku bitiset tjetra. Pushteti 2005 – 2013 ishte “liberalist”, por jo i djathtë.

E vërteta është se Partia Demokratike ka berishizmin si doktrinë, me të mirat dhe të metat e tij. Nga lufta te kompromisi, nga shtrëngimi te toleranca, nga absurdi te gjenialja, janë të gjitha brenda logjikës së kësaj doktrine, të përfaqësuar dhe udhëhequr në 27 vite nga Sali Berisha dhe ata që ia kanë dalë ta ndjekin në këtë linjë. Sot shumë kushte kanë ndryshuar, përfshi edhe kryetarin e PD-së. Që nga antikomunizmi që nuk mund të jetë më ideologja bazë e kësaj force, tek konfigurimi i gjithë forcave të tjera. PS, LSI, PDIU, PAA, PR etj i kanë lënë të vetmen mundësi, gjetjen e një pozicioni të djathtë në spektrin politik. Të tjerat janë zënë, që nga pragmatizmi deri tek dhimbsuria sociale. Rama ka shkatërruar shtresën e mesme, që natyralisht mbështetet nga një parti e qendrës së djathtë. Pronarët dhe ish të pèrndjekurit vazhdojnë prej 27 vitesh kalvarin dhe kanë nevojë për një forcë të djathtë të fuqishme e serioze.Fitorja e Trump në SHBA dhe era që po sjell ajo edhe në Europë po detyron rikthimin në vëmendje të nocioneve ” të harruara” të kombit, atdheut etj.

Kjo është ndërmarrje gjigande, që duhej të përfshinte krejt burimet njerëzore t ë PD-së, me sekretarë e drejtorë, me kryesi e departamente, deri tek individë të paangazhuar që janë gati të kontribuojnë. Nëse këto janë në proçes, kërkoj ndjesë për injorancën time, por nisem nga çka shoh: 4 -5 njerëz që thonë nga një gjë në çadër, para se Basha të marrë mikrofonin e t’i numërojë ditët Ramës.

Këto janë, modestisht, nja ca idetë e mia. Jam shumë kurioz të mësoj ato të Bashës. Deri këto çaste nuk kam lexuar a dëgjuar asnjë platformë konkrete. Por besoj fort që ai e ka një të tillë, ama në fillim po na mbledh ne mendimet, idetë e ëndrrat, të dlira, të pandikuara nga çka ai duhet të ketë punuar. E besoj fort se Basha e ka platformën e Republikës së re, se përndryshe kjo s’do të qe tjetër veç mashtrimit “rilindja” të Ramës. Jo rrallë politikanët prodhojnë ëndrra kolektive me fjalë e terma të mëdha, për të habitur turmar, siç Rama bëri me mbalazhin bosh të quajtur “rilindja”./parrena.com

Share: