Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, i cilëson nevojë për vëmendje lajmin për kërcënim të kryetarit të opozitës Lulzim Basha. Nga studio e Ora News, Klosi konfirmoi në lidhje me sulme të mundshme terroriste gjatë festës së Pashkës, se Shqipëria është një vend i sigurt, ku çdo lëvizje e dyshimtë është e monitoruar.
Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, e cilëson nevojë për vëmendje deklaratën e PD-së se kreu i saj Basha ka marrë kërcënime për jetën.
Për Klosin, kreu i opozitës Lulzim Basha duhet më shumë të ruhet nga të vetët sesa nga ndonjë atentat i deklaruar.
Fatos Klosi: E dëgjova dhe më erdhi për të qeshur, kaq. Nuk e di kush do të kishte interes ta bënte një gjë të tillë.Këto gjëra nuk zbresin nga qielli. Të bësh një gjë të tilllë është shumë e rëndë, kërkon organizime, punë të shumë njerëzve. Nuk e di kush janë motivet e tyre, pse kanë zgjedhur Bashën dhe jo një tjetër. Dëgjova që opinioni është për të destabilizuar vendin. Unë nuk e besoj. E di që e thonë dhe vetë ndonjëherë për tu faktorizuar. Gjoja janë në qendër të “armiqve”.Nuk e di kush janë “armiqtë”. Nuk them që e ka sajuar, por një këshillë do ti jepja Bashës, më shumë të ruhet nga të vetët sesa “armiqtë”.
Ish-kreu i SHISH pohoi në studion e lajmeve të Ora News, se në Shqipëri nuk ka vend për panik nga sulme të mundshme terroriste gjatë festës së Pashkës.
Fatos Klosi: Gjithmonë merren masa dhe është normale nga institucionet që kanë për detyrë të garantojnë sigurinë në vend.Një nga detyrat e sigurisë është dhe mbrojtja e Ambasadave. Kur ka grumbullime njerëzish si rasti i një feste, këtrë rradhë janë Pashkët katolike dhe ortodokse, do mblidhen njerëz nëpër kisha, do ketë shumë grumbullime njerëzish është normale të merren masa por jo të përhapet panik do të ndodhë kjo apo ajo. Nuk ka ndodhur në Shqipëri ndonjëherë ndonjë gjë e tillë. Pretendojmë që kemi një realitet të ri por nuk kemi.
Ish-zyrtari i lartë i Shërbimit Sekret theksoi se terrorizmi në shtete të mëdha evropiane ishte i pritshëm, pasi lagje të tëra në Bruksel apo Paris janë të populluara prej komuniteteve të ardhura nga vendet arabe.
Ndërsa shqiptarët e radikalizuar thotë ai nuk janë aq të rrezikshëm sa mendohet dhe se janë në monitorim.
Fatos Klosi: Janë të gjithë të monitoruar mos kini merak. Vendet europiane shumë më të fuqishme se ne i kanë me miliona, arabët, që kanë lindur aty. Ata që bënë të gjithë aktet terroriste kanë lindur në Belgjikë, në Francë, janë natyralizuar aty, por me një mentalitet tjetër. Në Shqipëri nuk ka situata të tilla, ka të huaj, por nuk ka arabë në Shqipëri, janë shumë të rrallë. Shqiptarët e radikalizuar janë për gjynah, nuk janë aq tën rrezikshëm sa kujtoni. Ca lanë kockat atje, ca kanë mbetur dhe nuk kthehen dot, edhe në u kthefshin janë të gjithë të monitoruar.
Megjithatë Klosi shpjegoi se zakonisht, situata është e vështirë të kontrollohet kur ka grumbullime të mëdha njerëzish, ndaj këshillon policinë t’u bëjë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm.