Nga Dr. MBA. MSc. Enriko Ceko
Në datën 28 Prill 2017, të premten mbrëma, duke bërë zapping në televizor më dalin përpara në TV Klan, në emisionin “Zona e Lirë”, të gazetarit Arjan Çani, fytyrat e Ben Blushit dhe Besart Kadisë në një debat për çështje ekonomike. Ben Blushi, drejtues i forcës politike LIBRA, bënte përpjekje të mundimshme për të hedhur në tregun mediatik pikëpamjet e tij për zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa Besart Kadia, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit për Lirinë Ekonomike, bënte përpjekje që të hidhte poshtë idetë e Blushit dhe, në atë që këta e quanin debat pikëpamjesh politike, ekonomike, sociale, etj, midis të tjerash, Z. Kadia deklaroi se në ekonomi nuk ka aspak moral dhe se morali nuk ka lidhje me ekonominë.
Si një nga shqiptarët që mendojnë se morali është shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet politike, ekonomike dhe sociale në një vend dhe në një shoqëri, dhe si një pedagog që prej shumë vitesh përpiqem që t’ju mësoj studentëve parimet e etikës së biznesit dhe parimet e qeverisjes së korporatave, kam dëshirë që nëpërmjet këtij artikulli të shpreh pikëpamjen time në lidhje me këtë çështje.
Shoqëria njerëzore, dhe shoqëria shqiptare si pjesë e saj, përbëhet nga njerëz që kanë synime individuale dhe të përbashkëta dhe përgjatë rrugës për arritjen e tyre individët dhe grupet e njerëzve të organizuar në forma të ndryshme hyjnë në marrëdhënie nga më të thjeshtat e deri te ato më të ndërlikuarat.
Për të rregulluar këto synime dhe marrëdhënie, njerëzit krijojnë sistemin e intitucioneve. Disa prej këtyre institucioneve janë: (1) Familja, e drejta për të krijuar atë dhe e drejta për edukim dhe mbrojtje të jetës familjare, (2) E drejta për të realizuar produkte dhe shërbime dhe e drejta për shpërndarjen dhe rishpërndarjen e të mirave materiale ku bazohet jeta njerëzore, (3) Rregullimet ligjore dhe përdorimi i forcës kur shkelet ligji, (4) E drejta për të gjetur format, mjetet, mënyrat dhe rrugët për të marrë vendime individuale dhe kolektive dhe për të ndërmarrë veprime individuale dhe kolektive, (5) E drejta për të krijuar, zgjeruar, zhvilluar dhe mbrojtur njohuritë, teknologjitë, kulturën, artin, etj. Për të realizuar këto synime njerëzit e iluminuar dhe me kulturë e moral krijojnë modele relativisht të qendrueshme të veprimtarisë, që ne i quajmë institucione. Disa nga këto institucione janë politike (1), ekonomike (2), sociale (3), ligjore (4), edukuese (5), sportive (6), kulturore (7), etj. Aspekti dhe / ose qëllimi kryesor për të cilat ngrihen institucionet dhe organizohet legjislacioni është dhe mbetet vetëm DREJTIMI, apo ajo që në gjuhën e përditëshme shprehet me fjalën manaxhim.
Politikanët në pushtet janë manaxherët e burimeve natyrore, njerëzore dhe financiare të vendit, ndërsa ata në opozitë bëjnë përpjekje për të qenë manaxherë të këtyre burimeve.
Ekonomistët në të tëra pozicionet e punës janë manaxherë të organizatës në nivele të ndryshme organizative dhe po kështu të tërë ata që punojnë me njerëz në një mënyrë apo në një tjetër, pavarësisht nga edukimi dhe zanati që ushtrojnë janë manaxherë të burimeve që kanë në ngarkim apo në dospozicion dhe e tërë kjo shtresë manaxheriale në punën e përditëshme përballet me praktika të ndryshme pune, një pjesë e të cilave mund të jenë praktika ilegale, joetike apo të dyshimta të manaxherëve individualë, apo të organizatës (qoftë kjo organizatë publike, private apo OJQ), dhe nëse ekziston morali dhe qasja ndaj së mirës manaxheri dhe organizata bënjë përpjekje për të zbuluar shkaqet që kanë çuar në këto praktika si dhe për të përcaktuar dhe aplikuar mjetet, mënyrat, rrugët dhe strategjitë që duhet të përdoren për të korigjuar të tjerët dhe vehten.
Në aspektin praktik, marrja e vendimeve politike, ekonomike, sociale, etj kryhet shpesh edhe nën kushtet e atyre që në gjuhën teknike quhen “konfuzione morale”, ndër të cilat mund të listojmë: (1) konflikti potencial i interesave, (2) përdorimi i gabuar i burimeve, (3) keqpërdorimi i kontratave, etj.
Për t’u përballur me këto “kufizime morale” njerëzit inteligjientë bëjnë analiza ekonomike, ligjore, filozofike, etj. Në lidhje me analizën ekonomike mund të themi shkrutimisht se gjykimet etike bazohen në forcat e tregut, duke bërë përpjekje maksimale për të maksimizuar fitimet e ulur kostot. Analiza ligjore e kanalizon arsyetimin për etikën në çështje që lidhen me ligjin dhe sipas këtij gjykimi çdo gjë që është e paligjshme nuk është etike. Analiza filozofike përpiqet që të bëjë një përfshirje më të gjerë të gjykimit filozofik të sjelljes e veprimit të individëve dhe grupeve, duke bërë krahasimin apo vlerësimin e tyre kundrejt një kuadri moral, etik, njerëzor të paracaktuar. Në fund të fundit, analiza ekonomike, ligjore dhe filozofike konkludojnë se është e nevojshme që në të tëra marrëdhëniet njerëzore baza të jenë morali dhe etika.
Morali është një rregull, parim ose normë e sjelljes e paravendosur nga një shoqëri, bashkësi, dhe e pranuar nga një njeri për mënyrën e tij të sjelljes dhe e zbatueshme nga të gjithë njerzit e arsyeshëm; ose mësim i vlefshëm në mirësjellje.
Etika është studimi dhe vlerësimi i sjelljes njerëzore në dritën e parimeve morale. Parimet morale mund të shikohen si standarti i sjelljes që njerëzit kanë ndërtuar për veten e tyre ose si lënda e shtërngimeve dhe detyrimeve që një shoqëri e caktuar kërkon nga pjestarët e saj. Ajo merret me çështjet se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, si mundemi ne të bëjmë dallimet mes tyre, si mund të marrim vendime që mund të dëmtojnë të tjerët, etj.
Morali përbën parimet e sjelljes së individit dhe grupit, ndërsa etika ka të bëjë me parimet që drejtojnë sjelljet e individit dhe / ose grupit të individëve. Sipas Aristotelit zakonet e mira morale zhvillohen vetëm përmes trajnimit dhe përsëritjes, ndërsa sipas Kohlberg-ut aftësia për gjykime të arsyeshme morale zhvillohet duke kaluar nëpër disa nivele dhe faza zhvillimi.
Pra, për të ecur përpara dhe për të zhvilluar vendin dhe shoqërinë është e nevojshmee morali, etika dhe arsyetimi moral dhe etik, që janë procese që vlerësojnë sjelljet, institucionet dhe politikat duke u bazuar në disa standardet morale dhe etike. Kjo behët mbi bazën e logjikës, të dhënave dhe fakteve duke qenë sa më bashkëkohorë në arsyetim. Në fund të fundit nëse pranojmë se nuk ka moral në ekonomi atëhere pranojmë se individi nuk ka asnjë përgjegjësi morale në velrimet që kryhen edhe kur kërto i bën me dashje, me koshiencë dhe me paramendim, gjë që në fakt nuk është e pranueshme nga asnjë prej insdividëve me dy pare tru në kokë në këtë botë. Nëse pranojmë se morali dhe ekonomia nuk kanë asnjë lidhje atëhere kemi pranuar se nuk ka asnjë farë përgjegjësie morale dhe nuk ka asnjë pikë faji ai që kryhen veprime të gabuara dhe të kundraligjshme në kushtet e injorancës dhe paaftësisë, gjë që nuk është e pranueshme nga asnjë individ i shoqërisë humane.
Nëse nuk do të kishte moral dhe etikë në ekonomi, politikë dhe shoqëri, atëhere nu do të kishte drejtësi në shpërndarjen dhe rishpërndarjen e të ardhurave, nuk do kishte drejtësi në fitimet bazuar në kontribute dhe drejtësi në dhënien e ndihmës për shtresat e paprivilegjuara.
I kujtoj Z. Kadia (por edhe Z. Blushi) se në vitin 1948, në Kombet e Bashkuara u pranua “Deklarata universale e të drejtave të njeriut”, sipas të cilës të gjitha qeniet njerëzore kanë midis të tjerash edhe të drejtën e pronës private, të drejtën për punë, të drejtën për shpërblim, të drejtën e organizimit, të drejtën e pushimit dhe të kohës së lirë, etj. Nëse nuk do të ekzistonte morali, etika dhe standardet, atëhere sot bota perëndimore nuk do i gëzonte këto të drejta.
Në fakt në Shqipëri ka shumë probleme që lidhen me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe unë mendoj se kjo vjen sepse në jetën politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri në nivelet e larta drejtuese ka shumë individë që mendojë dhe veprojnë si Ben Blushi dhe Besart Kadia. Njerëz që thonë bëni si them unë dhe mos bëni si them unë. Njerëz si Besart Kadia që kanë guximin të deklarojnë në publik se nuk ka moral dhe etikë në ekonomi, politikë dhe jetën sociale, se nuk ka moral dhe etikë në biznes, se qeverisja e korporatave bazohet vetëm në synimin e fitimit maksimal, etj, që janë të papranueshmë për mua si individ dhe për një pjesë të madhe të shoqërisë shqiptare. Njerëz si Ben Blushi, që pa asnjë botëkuptim ekonomik, kanë guximin dhe “moralin” që të dalin në publik dhe të artikulojnë koncepte dhe pikëpamje ekonomike, financiare, kontabiliteti, biznesi, etj.
Kam shumë dëshirë që juve Z. Ben Blushi dhe Z. Besart kadia t’ju kujtoj historinë e madhe që filloi në datën 7 Prill 1630, kur rreth katërqind njerëz u nisën me katër anije nga Anglia për në Amerikë, shumica të mirëarsimuar, tregtarë të suksesshëm, anëtarë parlamenti, familjarë, etj. Ata, të udhëhequr nga Xhon Uintrop, lanë shtëpinë, punën dhe të afërmit e u nisën në kërkim të mundësive më të mira, sepse ekonomia e Anglisë ishte e korruptuar dhe mungonin vlerat morale dhe etike në jetën politike, ekonomike dhe sociale. Sot, pasardhësit e tyre, jetojnë në një komunitet të qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe drejtohen nga ligjet e Perëndisë, ku ata dhe pasardhësit e tyre duket sheshit se do jetojnë në begati materiale, pa bërë kompromis me normat e Biblës dhe Kuranit.
Ata nxisin pasurinë private dhe begatinë e komunitetit dhe ata punojnë fort që njerëzit të jetojnë në pasuri dhe në të njëjtën kohë sipas normave morale, por për disa nga ne shqiptarët është e vështirë që të kuptohet dhe arrihet ky ekuilibër për shkak të asaj që kemi kaluar, por kur dëgjoj dhe shikoj në një television të nderuar se artikulohen nga persona publikë dhe me moshë jo të vjetër dhe që drejtojnë fondacione për lirinë ekonomike, të tilla ide se morali dhe ekonomia nuk kanë lidhje, atëhere vertët duhet që të ndalemi në këtë dukuri dhe të themi sa më fortë NDAL.
Nuk mban më ujë pilafi. Mjaft me të tilla ide dhe pikëpamje që po shkatërrojnë Shqipërinë dhe shqiptarët. Mjaft me individë të përkëdhelur që kanë lexuar ca fjali këtu e ca fjali atje për politikën, ekonominë dhe jetën sociale e që u hapen dyert në media për t’u hedhur trutë në erë qytetarëve të varfër të këij vendi të mrekullueshëm, që fatkeqsisht po mbetet në pazhvillim.
Unë personalisht besoj se paraja është një shpikje e njeriut ashtu si edhe shpikjet e tjera, nuk është asgjë tjetër veçse një mjet shkëmbimi dhe kur përdoret siç duhet, ajo mund të shërbejë për qëllime shumë të mira. Bibla thotë që “paraja është mbrojtje”, sidomos ndaj problemeve që vijnë nga varfëria (Eklisiastiu 7:12).
Shkrimet e shenjta dënojnë dembelizmin dhe na inkurajojnë të punojmë fort dhe pa u lodhur, sepse ne si individë duhet të kujdesemi për nevojat e familjes dhe, nëse kemi me tepricë, “do të kemi diçka për t’i shpërndarë ndonjë nevojtari” (Efesianëve 4:28; 1 Timoteu 5:8). Abrahami, njeriu i Kuranit dhe i Biblës, një shërbëtor besnik i Perëndisë, kishte plot bagëti, argjend, ar dhe një numër të madh shërbëtorësh që arrinin në qindra. Ky njeri ishin të pasur jo vetëm në sytë e njerëzve të tjerë, por ishin të pasur edhe në sytë e Perëndisë.
Abrahami nuk ishte as dorështrënguar e as tepër i dhënë pas pasurisë së tij. Ai e vinte besimin te Perëndia dhe jo te pasuria që kishte, sepse ai që mijëra vite më parë kishte mësuar se rendja pas pasurisë sjell rreziqe të tilla, të cilat Jezui dhe Muhameti I kanë cilësuar si “fuqia mashtruese e parasë dhe pasurisë”. Në Bazat e Etikës Islame – Ahlaku, në mënyrë eksplicite deklarohet se “politika, ekonomia, morali dhe vlerat e tjera mund dhe duhet patjetër të bashkëveprojnë”. E kush jemi ne që të dalim kundër këtyre mësimeve dhe të deklarojmë në publik se morali dhe ekonomia nuk kanë lidhje?
Ne jemi thjesht të përkohshëm në këtë botë dhe, në mënyrë që bota që do lemë pas për trashëgimtarët tanë, të jetë edhe më e mirë se ajo që po jetojmë ne, është shumë, shumë, shumë e nevojshme që të mbështetemi te MORALI dhe ETIKA, sepse pa moralin dhe etikën jeta politike, ekonomike, sociale, kulturore, sportive, etj në një vend shpartallohet gradualisht, tërësisht dhe, shembull në botë për këtë shpartallim të organizuar nga njerëz pa moral është dhe mbetet unikalisht Shqipëria e ditëve tona, ku tipa si Ben Blushi kanë mundësi të krijojnë parti dhe tipa si Besart Kadia kanë shansin që të drejtojnë fondacione për lirinë ekonomike dhe që të dyve u jepet mundësia të dalin në publik dhe të deklarojnë se nuk ka moral dhe etikë në jetën politike, ekonomike dhe sociale.