Home KRYESORE Media gjermane: Në Shqipëri po ashpërsohet kriza politike, rrezikohet siguria e vendit

Media gjermane: Në Shqipëri po ashpërsohet kriza politike, rrezikohet siguria e vendit

Gazeta e njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i ka kushtuar vëmendje zhvillimeve të fundit në Shqipëri, duke theksuar se në këtë vend po ashpërsohet gjithnjë e më shumë kriza politike.

Kreu i komisionit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister nuk ia doli dot të ndërmjetësojë mes dy partive kryesore në Shqipëri, thekson në artikullin e së enjtes (27.04.2017) “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. “Partia Demokratike këmbëngul në largimin e kryeministrit, Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike për zgjedhje të ndershme. Socialistët ranë dakord për një qeveri të përkohshme, me përfshirjen e politikanëve opozitarë, por refuzojnë dorëheqjen e Ramës”.

FAZ e vë theksin tek dështimi i afateve të regjistrimit për zgjedhjen, si nga e Partisë Demokratike që nuk u regjistrua në KQZ, por edhe nga ana e Partisë Socialiste, që la të kalojë afati për regjistrimin e koalicioneve. “Nëse në këto kushte do të bëheshin vërtet zgjedhje, atëherë Rama ka një fitore 90% gati të sigurtë. Problemi është se zgjedhje pa opozitën nuk shihen me sy të mirë në BE, bashkim të cilit Shqipëria do t’i bashkangjitet”.

Konfrontimi në luftë të hapur

Por afatet kanë kaluar, vëren FAZ, dhe korrigjimet prapavepruese nuk janë më të mundura. Gazeta gjermane thekson se zgjedhjet nuk do të zhvillohen dot më 18 qershor, gjë që ajo e sheh si një dështim të rëndë për qeverinë.

“Bllokimi i parlamentit ka traditë në luftën partiake shqiptare. Në vitin 2009 bllokuan socialistët parlamentin, që nuk donin të pranonin humbjen në zgjedhje…konfrontimi i atëhershëm mes dy partive ka kaluar në një armiqësi të hapur që vazhdon deri më sot. Skandalet korruptive të demokratëve dhe drejtësia nën ndikimin politik ishin argumentet kryesore me të cilat i fituan zgjedhjet socialistët në vitin 2013”.

Për gazetën gjermane, Rama që kishte një mazhorancë solide, premtoi transparencë, reforma radikale, sidomos në drejtësi. “Por tani në fund të mandatit të tij, ato kanë mbetur vetëm fjalë boshe. Shqipëria sot ndodhet në vendin e parë të prodhimit të kanabisit në Europë…

Me prodhimin e hashashit rritet edhe influenca e baronëve të drogës, që kanë mjaftueshëm para për të blerë politikanë, gjykatës dhe policë. Shqipëria, vend anëtar i NATO-s po kthehet gjithnjë e më shumë në një rrezik”, shkruan FAZ, duke theksuar se “me shqetësim janë pritur edhe veprimet e njëanshme politike” të Ramës, si deklaratat për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, nëse BE nuk i pranon këto vende shpejt në union.

Për to “protestoi jo vetëm Beogradi, por edhe ambasadori amerikan në Tiranë, i cili konsiderohej gjithmonë si mik i besuar i qeverisë Rama”, shkruhet në FAZ./DW/

Share: