Home KRYESORE Mos është humanizmi ynë prej gazi?

Mos është humanizmi ynë prej gazi?

Nga Rezart Palluqi

Ka gjashtë vjet që në Siri por edhe në shumë vende të tjera, vdesin kryesisht njerëz të pafajshëm. Vdesin para syve tanë. Herë prej bombave, herë prej plumbave apo thikave gjakatare të regjimit diktatorial të Asadit. Dhe çbëjmë ne? Ngremë shpatullat. Themi është konflikt i brendshëm i Sirisë.

Europianët merren me gjendjen e arkave të tyre bankare. Amerika, gjatë qeverisë Obama, u përpoq të mos pësonte atë që pësuan Bushët në Irak dhe Afganistan. Deri diku kjo qëndron. Por ajo që më zemëroi sot në mëngjes ishte bombardimi amerikan në bazën luftarake të Sirisë. Që të jem i sinqertë, në fillim u gëzova. Mbusha sytë me lot dhe thashë: më në fund e bëmë dhimbjen siriane, dhimbjen tonë.

Mbas gjashtë vitesh na u zgjua himanizmi. Por mbas disa minutash e ngriti kokën një zemërim i ri. Përse duhej të ndodhte kjo? Sepse Asadi përdori para disa ditëve gaz për të mbytur dhjetra fëmijë? Po fëmijët e tjerë së bashku me prindërit e tyre që dhanë shpirt si qen rrugësh prej plumbave, predhave dhe topave, po ata përse nuk i bënë zemrat tona të rënkojnë dhe marrin ata në mbrojtje? Vdekja është vdekje.

Rezultati është i njëjtë. Apo jo?

E kuptoj se kur përdor gaz, njeriu vuan më shumë derisa vdes. Ndaj dhe lind pyetja: a është humanizmi ynë prej gazi? A zgjohet ai vetëm kur ne përdorim gaz për të vrarë njerëz të pambrojtur dhe të pafajshëm? Mos jemi ambjentuar, mësuar kur njeriu vritet me predha, thika, plumba e topa? Këto pyetje vazhdojnë të më hutojnë, zemërojnë dhe më bëjnë të pështyj mbi njerëzillëkun dyfytyrësh perëndimor, ku qytetari proteston kur keqtrajtohen një qen, mace, apo kur pensionet e disa brezave ulen. Dhe hesht ndaj qytetarëve të vendeve të tjera, që vriten mizorisht para syve tanë.

Sa pak që kemi mësuar prej luftrave. I vetmi mësim që duket se kemi nxjerrë, duket të jetë gazi. Vetëm ai na e shkund ndërgjegjen e mpirë. Dhe ndoshta kjo ka ndodhur ngaqë atë përdori Hitleri ndaj popullatës izraelite dhe propaganda perëndimore na e nguliti thellë në zemër duke na bërë propagandë televizive 60 vjeçare?

Prandaj, Tiranë! Vrisni me pistoleta. Shqyjani zemrën bashkënjeriut tuaj me thika. Tenxheret e gjellëve mbushjani popujve tuaj me predha dhe bomba. Sepse asgjë s’ka për t’ju gjetur. Ne do të flemë! Ne do të zgjohemi vetëm kur ju do t’i hapni bomblat e gazit dhe me to do tia sulmoni njeriut vrimat e hundës. Dhe ne do të flemë derisa të na vijë radha. Ngaqë sot, qajmë për gjëra dytësore dhe Tiranitë i përfytyrojmë si zogj që nuk mund të fluturojnë drejt qiejve tanë.

Rezart Palluqi
Amsterdam, 7 prill 2017

Share: