Home KRYESORE Pas rritjes së pagës minimale, ja sa bëhet paga maksimale dhe ajo...

Pas rritjes së pagës minimale, ja sa bëhet paga maksimale dhe ajo për të vetëpunësuarit

Pavarësisht kundërshtimeve të biznesit, qeveria e ka vendosur tashmë që pagën minimale ta bëjë 24 mijë lekë, nga 22 mijë lekë që ishte më parë. Vendimi pritej të kalonte në mbledhjen e djeshme të qeverisë, por është shtyrë për javën e ardhshme për disa rregullime teknike.

Pas ndryshimit, shuma mujore e kontributeve për të punësuarit me pagë minimale bëhet 6,696 lekë, nga 6,139 lekë, që ishte më parë.

Por, krahas pagës minimale do të ndryshojë dhe ajo maksimale, për efekt të llogaritjes së kontributeve si dhe paga minimale për efekt të kontributeve dhe sigurimeve shëndetësore për të vetëpunësuarit.

Sipas draftit “Për disa ndryshime në vendimin për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi I sigurimeve shoqërore dhe sigurimet e kujdesit shëndetësor” të miratuar në Këshillin e Punës, paga maksimale për personat e punësuar bëhet 105,850 lekë, nga 97,030 lekë që ishte më parë, me një rritje prej 9%, apo 8,820 lekë.

Si rrjedhojë, sigurimet për të punësuarit me pagë maksimale bëhen 29,532 lekë, nga 27,071 lekë, që ishin më parë.

Sigurimet shëndetësore për të punësuarit llogariten jo më pak se paga minimale prej 24 mijë lekë dhe  deri në shumën e pagës bruto, sipas deklaratës në listëpagesë.

Edhe për të vetëpunësuarit paga minimale mujore është jo më pak se paga mujore e barabartë me 24 mijë lekë dhe sipas përcaktimit të vetë personit deri në 105,850 lekë.

Të vetëpunësuarit me pagë minimale do të paguajnë tashmë 7,152 lekë contribute për sigurimet, nga 6,491, që paguanin më parë.

Sigurimet shëndetësore për të vetëpunësuarit llogariten mbi dyfishin e pagës minimale prej 48 mijë lekë (3.4% e 48 mjë lekë), i barabartë me 1,632 lekë.

Për invalidët, që marrin pension invaliditeti të pjesshëm, paga minimale mund të jetë deri në 50% më e ulët se paga minimale zyrtare.

Paga minimale në bujqqësi është 5,035 lekë.

Të vetëpunësaurit si shitës ambulantë duhet të deklarojnë kontribut minimal mujor prej 5,1250 lekë, nga të cilat 3,488 për sigurimin shoqëror dhe 1,632 për kujdesin shëndetësor./monitor.al

TABELA Paga minimale dhe kontributet e sigurimeve shoqërore (lekë)
Ishte Bëhet Ndryshimi
Paga minimale për të punësuarit 22000 24000 2000
Kontributet e sigurimeve me pagë minimale (Të punësuarit) 6,139 6,696 557
Paga maksimale 97030 105850 8820
Kontributet e sigurimeve me pagë maksimale  (Të punësuarit) 27,071 29,532 2461
Paga minimale për të vetë punësuarit 22000 24000 2000
Kontributet e sigurimeve me pagë minimale (Të vetëpunësuarit) 6,491 7,152 661
Kontributet e sigurimeve me pagë maksimale (Të vetëpunësuarit) 24,354 33,129 8775
Share: