“Me 50 mijë vetë, jo Kosovën, por shkatërrojmë dhe Evropën”. Kane dale ne drite te tjera detaje nga arrestimi i 4 shqiptarëve nga Kosova në Itali, nën akuzën se po organizonin një sulm terrorist.
Prokuroria italiane ka marrë në pyetje shtetasin kosovar Arjan Babaj, i cili u prangos dy ditë më parë si anëtar i një celule terroriste xhihadiste që po organizonin hedhjen në erë të urës Rialto në qytetin e Venecias. 28-vjeçari, konsiderohet strategu e guida shpirtërore e 3 të arrestuarve të tjerë.
I riu kosovar nuk ka pranuar të flasë para prokurorëve, ndërsa pritet të pyeten në burgun e Bellunos Fisnik Bekaj, 25 vjeç dhe në burgun e Trevizos Dake Haziraj 26 vjeç.
Sakaq, sipas policisë italiane, ka edhe biseda të tjera të përgjuara mes anëtarëve të kësaj celule, ku duken qartë qëllimet e tyre.
Në orën 3 të natës më datë 7 mars 2017 Arjan Babaj bisedon me anëtarët e celulës së tij e shprehet: “Për myslimanët është një detyrim të shkatërrojnë kishat e t’i kthejnë në xhami. Ne këtu jemi vetëm 5 veta. thotë ai. Por jashtë mund të jenë 50 mijë të tjerë. E me 50 mijë persona a e di çfarë bën? Jo Kosovën, por Europën shkatërron! Nëse të gjithë myslimanët do të ndiqnin besnikërisht konceptet e fesë së tyre, Europa do të ishte zhdukur”, shkruan ‘Corriere’.
Po ashtu, mësohet se në bazën e tyre në apartamentin prej 35 metra katror në lagjen San Marco të Venecias më datë 2 mars 2017, kosovarët bisedojnë mbi ngjarjet e fundit në Turqi. Më i vogli i grupit, në moshë minorene dhe i konsideruar nga hetuesit italianë si më i radikalizuar i grupit shprehet: “Jam shumë i kënaqur për c’ka ndodhi në Turqi, tani duhet të bëjmë diçka në San Marco”. Ndër të tjera, Fisnik Bekaj përpiqet të shpjegoj se Italia nuk ka gisht në këtë mes e se nuk po lufton kundër ISIS, por Arjan Babaj e kundërshton e thotë: “Ka të bëj dhe Italia, dhe Italia ka çuar ushtarë e mjete në mënyrë jo direkte pasi është pjesë e OKB ku marrin pjesë të gjithë shtetet”.
Më datë 22 mars 2017 pas sulmit terrorist në parlamentin e Londrës, anëtarët e celulës xhihadiste kosovare mblidhen në bazën e tyre e bisedojnë. Dake Hazizaj shprehet: “E patë çfarë ndodhi në Londër? I vranë 2 ose 3 vetë e u plagosën 12-13 të tjerë, E bëri njëri me mjekër”. Fisnik Bekaj përgjigjet: “Sa mirë ja ka bërë”. Përgjimet telefonike vërtetojnë se grupi i kosovarëve ishte i gatshëm të nisej drejt Sirisë. Arjan Babaj jepte orientime operative se si mund të mbërrinin në vendet e luftës.
“E kam studiuar mirë thotë ai, fillimisht mbërrin në Egjipt, nga Egjipti është e thjeshtë pasi ka mjaft korridore për të mbërritur në fushë betejë. Por në Egjipt është e vështirë të mbërrish duke u nisur nga Kosova”. Kosovarët frekuentonin 3-4 herë në javë palestrën në qendër të Venecias, ndërsa në banesën e tyre u gjetën dhe mjaft video stërvitje të ushtarëve të ISIS. /Panorama