Home KRYESORE Rama: PS në zgjedhje në 18 qershor; Meta po përpiqet për zgjidhje

Rama: PS në zgjedhje në 18 qershor; Meta po përpiqet për zgjidhje

Kryeministri Edi Rama deklaroi të enjten në mbrëmje se “Partia Socialiste do të shkojë në zgjedhje në 18 qershor”, ndërsa u shpreh se mendon se “PD do të hyjë në zgjedhje dhe Ilir Meta do të bëjë një përpjekje në vijim të filozofisë së tij për të siguruar një zgjidhje”.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në News 24, Rama iu përgjigj skenarit nëse PD nuk shkon në zgjedhje, ndërkohë që LSI ka deklaruar se nuk shkon në zgjedhje pa opozitën:

“PS as nuk e diskuton fare se mund ta ndalojë kush që të hyjë në zgjedhje. Çadra është një protestë për të ndalur PS-në të hyjë në zgjedhje. Ne do të shkojmë në zgjedhje. Në çadër janë nga frika për zbatimin e reformës në drejtësi.

Ata mbase duan ta çojnë Shqipërinë drejt një destabilizimi. Unë nuk mendoj fare për krizën që ka PD, por për krizën që PD synon të krijojë duke transferuar krizën e brendshme të saj në një krizë të Shqipërisë.

Unë mendoj se “PD do të hyjë në zgjedhje dhe Ilir Meta do të bëjë një përpjekje nga ana e tij, në vijim të filozofisë së tij dhe si shprehje e natyrës së tij, për të siguruar një zgjidhje për këtë, që për atë është krizë politike dhe për mua është krizë e PD-së”, tha kryeministri Rama.

Sipas tij, “në Korenë e Veriut është një parti e vetme që hyn në zgjedhje sepse ndalohet ushtrimi i aktivitetit për partitë e tjera, ndërsa në Shqipëri jo vetëm që nuk ndalohet, por nuk ka asnjë gjë që e bën të pabarabartë garën elektorale mes partive sepse zgjedhjet i administron KQZ”.

“Kemi pasur zgjedhje të kontestuara në 2009, në 2011 në Tiranë dhe po të kthehemi pak më parë edhe në 2007, kur unë kam pasur garë me ish minstrin e Brendshëm Sokol Olldashi, por në asnjë rast policia nuk ka qenë problem i zgjedhjeve.

Në pluralizëm është e drejtë e secilit të formojë parti, dhe e drejta e secilit të paraqitetet me një ofertë në zgjedhje. Askush nuk është i detyruar”, shtoi Rama.

Share: