Home KRYESORE Rrëfimi/ “Si u pajtua Artan Cuku me familjen Daka

Rrëfimi/ “Si u pajtua Artan Cuku me familjen Daka

Kreu i Shoqatës së Pajtimit të Gjaqeve në Shkodër i ka dalë në mbrojtje dje familjes Daka, duke mohuar implikimin e tyre në vrasjen e komisariat Artan Cuku. Sipas Nikollë Shullanit, konflikti mes dy familjeve është një kapitull i mbyllur që para rreth 12 vitesh, pasi Artan Cuku ka bërë be në xhami me 24 burra prezentë.

Në atë pleqëri ka qenë, përveç babait të Shullanit, edhe bajraktari i Nikajve të Tropojës (prej asaj zone është familja Daka), bajraktari i Shalës, i Shoshit, si dhe misionarë të tjerë të pajtimit.

Z.Shullani, ju si kreu i Shoqatës së Pajtimit të Gjaqeve në Shkodër, a keni dijeni në lidhje me pajtimin e dy familjeve, asaj të Prelë Dakës dhe komisariat të vrarë pak ditë më parë, Artan Cuku?

Po, kam dijeni në lidhje me pajtimin mes dy familjeve. E di se para 12 viteve familjes Daka i është vetëvrarë një djalë. Agim Daka është vetëvrarë në një prej komisariateve të policisë në Tiranë. Më pas, familjet janë marrë vesh me njëra-tjetrën dhe mes tyre nuk ka pasur hasmëri.

Çfarë ka ndodhur më konkretisht, si u pajtuan dy familjet?

Pas ngjarjes së ndodhur, në bazë të zakonit kanunor familjes Daka i janë përgjigjur me be. Familja Cuku ka bërë be në xhami me 24 burra prezentë. Në atë pleqëri ka qenë bajraktari i Nikajve të Tropojës, pasi prej asaj zone është familja Daka. Gjithashtu ka qenë bajraktari i Shalës, i Shoshit, ka qenë babai im dhe disa të tjerë misionarë, ku Artan Cuku është përgjigjur me be. Në bazë të zakonit kanunor, kur të përgjigjet me be, qoftë në kishë apo edhe në xhami, ajo punë mbyllet njëherë e përgjithmonë, kështu që familja Daka në lidhje me vrasjen e komisar Artan Cukut është e pafajshme sepse është mbyllur ai kapitull.

Si funksionon kjo mënyrë e kanunit që thoni ju?

Rregulli është sipas kanunit. Prelë Daka ka pasur dyshime fillimisht se Artan Cuku i ka vrarë djalin, Agim Daka, në komisariat. Por, siç e thashë, Artani i ka bërë be se nuk e kam vrarë unë Agimin. Komisari ka bërë be dhe ka vendosur dorën në librin e shenjtë të Kuranit brenda në xhami dhe në këtë mënyrë është mbyllur ai kapitull njëherë e përgjithmonë.

Pra, nëse dikush bën be do të thotë se nuk ka më hakmarrje sipas kanunit?

S’ka më hakmarrje nëse ti bën be, qoftë në kishë apo në xhami, me 24 burra si e ka zakoni i kanunit. Por ndodh që shumë familje të pajtohen në këtë mënyrë. Kjo është rruga e kanunit për të mbyllur sherr ose për të dalë nga faji, nëse ti akuzohesh. Nëse nuk bën be, atëherë ti mbetesh në gjak.

Ka pasur ndonjë rast kur është shkelur betimi i dhënë sipas zakonit kanunor?

Raste të rralla janë kur është thyer, pasi është bërë be. Janë raste të rralla sepse kur dikush bën be është shumë e vështirë që të prishet, ndaj janë shumë të rralla. Në fakt, unë s’kam dëgjuar përveç një rasti në Shalë të Dukagjinit… Në një prej familjeve atje që është mbyllur gjak me gjak, pra janë vrarë në të dyja familjet nga një person, më pas është bërë be, por është thyer dhe ka vijuar avazi me gjakmarrje. Unë jam plotësisht i bindur që familja Daka s’ka lidhje me vrasjen e Artan Cukut sepse e zonja e shtëpisë është nga zona ime dhe jam plotësisht i bindur se janë të pafajshëm. Ata e kanë besuar, pasi në bazë të zakonit kanunor Artani është betuar. Vëllezërit Daka s’kanë dorë në këtë ngjarje. Një gjë duhet të kemi parasysh, sado i madh qofsh në detyrë, ose sado i zoti të jesh, atij tjetrit kur të akuzon apo të kap “se më ke vrarë mashkullin”, ti duhet t’i përgjigjesh me be, ose pastaj mbet në gjak. Mashkulli pasi vritet s’ta fal kush gjakun, as në atë kohë më përpara, as sot. Policia si pistë të saj për ngjarjen ka edhe atë të hakmarrjes… Për sa i përket kësaj ngjarjeje e them me bindje se familja Daka është jashtë komplet, sepse malësori kur ta bën benë, nuk ke më probleme mbrapa me të. Vrasja të lë për të dyshuar se Artan Cuku ka pasur problem me dikë tjetër. Bazohem te mënyra e vrasjes sepse është qëlluar sapo ka dalë nga shtëpia, dikush ka qenë duke e ruajtur për ta zhdukur. Është shumë e zorshme dhe janë raste shumë të rralla që pa të bërë diçka, pa të detyruar dhe po ta prishën gjumin e natës, ose pa pasur një shqetësim shumë të madh, atë tjetrin ti nuk shkon për ta vrarë. Mund të ketë pasur probleme të tjera Artan Cuku, të cilat i ka marrë me vete…/Panorama artan cuku

Share: