Dy aeroplanë rusë me kapacitet për bartje të bombës atomike kanë fluturuar afër Alaskës në Shtetet e Bashkuara, duke e arritur distancën prej 100 kilometrave nga ishulli Kodiak.
Kjo është hera e parë prej se presidenti amerikan, Donald Trump, është inauguruar në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar të këtij viti, që Rusia dërgon bombardues aq afër Shteteve të Bashkuara.
Zyrtarët amerikanë thanë mbrëmë vonë se dy bombardues rusë të tipit, Tu-95 Bear, fluturuan 280 mila në jugperëndim të Bazës së Forcës Ajrore Elmendorf, brenda Zonës Identifikuese të Mbrojtjes Ajrore të Shteteve të Bashkuara.
Forca ajrore amerikane i ka ngritur dy aeroplanë luftarakë të tipit F-22, për t’i zmbrapsur bombarduesit rusë, në një operacion që ishte “i sigurt dhe profesional”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Gary Ross.
Gjatë këtij incidenti të pardjeshëm, aeroplanët luftarakë amerikanë fluturuan afër aeroplanëve rusë për 12 minuta dhe pastaj aeroplanët rusë e ndryshuan kursin, duke u kthyer prapa në bazën e tyre në pjesën lindore të Rusisë, ka raportuar rrjeti Fox News./360grade.al Media