Home KRYESORE Thaçi “tejkalon” Kushtetutën e Kosoves…

Thaçi “tejkalon” Kushtetutën e Kosoves…

Presidenti Hashim Thaçi ka sfiduar rendin kushtetues të Kosovës me deklaratën për bashkimin e shqiptarëve të rajonit. Kushtetuta ia ndalon Kosovës bashkimin me ndonjë shtet tjetër, shkruan sot Koha Ditore.

Reagime të ashpra ndërkombëtare ka nxitur qëndrimi i kreut të shtetit i shprehur një ditë më parë, por para tij edhe qëndrimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Në një intervistë për “Politico”, kreu i Qeverisë së Shqipërisë ka paralajmëruar se “Evropa mund të përballet me një makth” nëse vendet e Ballkanit “çmenden” si pasojë e nxjerrjes së zgjerimit jashtë agjendës së Bashkimit Evropian.

Në plan të parë ai e ka vënë bashkimin e shqiptarëve në kuadër të integrimit të tyre në BE. Por, nëse kjo rrugë pamundësohet, ka paralajmëruar edhe mënyra të tjera.

Dhe menjëherë pas kësaj deklarate presidenti Thaçi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme për t’u integruar pastaj tutje në familjen evropiane”.

Që në nenin e parë të saj Kushtetuta precizon se “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”/lapsi.al

Share: