Nga Dr. MBA. MSc., Enriko Ceko
Turizmi është një nga sektorët me potencial shumë të lartë zhvillimi. Në Shqipëri ai është përgjegjës për rreth 7% të të ardhurave të përgjithëshme të vendit. Në këtë sektor janë të punësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, në mënyrë indirekte me furnizimet dhe në tregjet që lidhen me këtë sektor rreth 20% e forcave të punës në Shqipëri.
Sipas Shoqatës Shqiptare të Turizmit, në prononcimin që Z. Zak Topuzi, anëtar i bordit të kësaj shoqate, bëri në Forumin Kombëtar të Biznesit, që zhvilloi punimet para disa ditësh, problemet e turizmit janë:
1. Infrastrukturë e dobët
2. Probleme kritike me standardet, furnizimin me energji elektrike, ujë, etj
3. Mungesë e përpunimit të mbeturinave, ujit dhe ndotja e mjedisit
4. Sezon i shkurtër, duke filluar nga 45 – 60 ditë në vit
5. Niveli i lartë informaliteti
6. Taksat deri në 30%, të fimit (më të lartat në rajon)
Për te zgjeruar më tej diskutimin, të cilin kam dëshirë që të kthehet edhe në një debat të hapur midis qytetarëve dhe specialistëve të këtij sektori, patjetër edhe në hapsirën që ofron në mënyrë shumë profesionale edhe Revista Elektronike “Përqasje”, theksoj se TVSH në sektorin e turizmit në Shqipëri është 20%, që është pjesa më e madhe e barrës fiskale dhe arsyeja kryesore e çmimeve të larta në këtë sektor, krahasuar me vendet e tjera përreth dhe më gjerë në Evropë dhe në botë.
Në lidhje me TVSH, Shqipëria ze vendin më të lartë në Ballkan me normën e TVSH 20%, duke sjellë përkeqësim të gjendjes së avantazheve konkurruese dhe aftësisë konkurruesë të operatorëve turistikë shqiptarë.
Për të krahasuar gjendjen e TVSH me rajonin, mjafton të theksoj se Greqia e ka TVSH-në në sektorin e turizmit 6.5%, Mali i Zi 7%, Maqedonia 5%, Turqia 7%, Bullgaria 7%, Serbia 8%, Sllovenia 8.5% dhe Rumania 9%. Pra, as që mund të bëhen krahasime sepse çmimet e shërbimeve turistike në Shqipëri duket qartë se janë rreth 10 – 15% më të larta se vendet e tjera përreth vetëm për shkak të TVSH, pa përfshirë këtu edhe problematikën tjetër që bën që çmimet të jenë edhe më të larta.
Theksoj se këtu bëj fjalë për operatorët turistikë seriozë, që janë të regjistruar dhe deklarojnë në mënyrë të saktë të dhënat financiare dhe paguajnë në mënyrë të ndershme detyrimet ligjore fiskale dhe kryejnë të tëra pagesat e detyrueshmë sipas legjislacionit në Republikën e Shqipërisë.
Në fakt, autoritetet shqiptare fiskale janë edhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Direktivën e BE 006/112/EC, Direktivën 2006/117/EC dhe Direktivën 2009/47/EC të Bashkimit Evropian sipas të cilave në Evropë sugjerohet që TVSH në sektorin e turizimit të jetë 10%, kjo për të nxitur më tej zhvillimin e këtij sektori në Evropë, pasi konsiderohet si strategjik.
Mos harrojmë se rreth 40% e GDP në Evropë vjen nga Turizmi dhe sektorë të lidhur me të dhe në këtë sektor janë të punësuar rreth 30% e forcave të punës në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe jo të drejtpërdrejtë.
Por, një problematikë shumë serioze shfaqet në aspektin e manaxhimit të subjekteve turistike, kryesisht ato hoteliere. Sipas Z. Irtan Sejko, përfaqësues i Alba Tech Systems, rreth 80% e subjekteve hoteliere në Shqipëri nuk kanë software për manaxhimin e biznesit, përfshirë këtu edhe manaxhimin e dhomave, pastrimin e tyre, ditët e zëna të dhomave me klientë dhe të dhëna të tjera që lidhen me çmimet, pagesat, etj.
Manaxhimi i hoteleve dhe subjekteve të tjera turistike nëpërmjet softwareve ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në fitimet e biznesit, ndërsa mungesa e tyre sjell kushte për informalitet dhe korrupsion të lartë në këtë sektor.
Pra, vetëm duke përmendur dy aspekte, atë të TVSH-së dhe atë të keqmanaxhimit për shkak të mungesës së softwareve, sektori i turizmit ka probleme të mëdha, që mund të zgjidhen vetëm me ndërhyrje shtetërore dhe me dëshirën e mirë të shumicës së operatorëve të këtij sektori.
Shqipëria e ka një mundësi që të verë në funksion të ekonomisë kombëtare sektorin e turizmit, duke e furnizuar atë me produkte bujqësore dhe agrobiznesi vendase dhe kjo bën që edhe bujqësia dhe agrobiznesi të kenë edhe më shumë zhvillim dhe fitime.
Pra, nëse ne investojmë në turizëm, infrastrukturën e tij dhe në aspektet manaxheriale, përfshirë këtu edhe instalimin e softwareve përkatëse te operatorët turistikë, ne i japim një shans më të madh zhvillimit të bujqësisë dhe turizmit, duke shtuar numrin e turistëve, që janë konsumatorë të drejtpërdrejtë të produkteve tona bujqësore të freskëta dhe të përpunuara.
Le të shpresojmë se TVSH për turizmin do të ulet dhe të vendoset në kushte të njëjta me TVSH-në në vendet e tjera të rajonit dhe nga ana tjetër le të shpresojmë që operatorët turistikë do synojnë manaxhimin më të mirë të bizneseve të tyre, përfshirë edhe instalimin e softwareve për këtë qëllim.
Pra, si qeveria nga ana e saj, ashtu dhe bizneset nga ana tyre i kanë mundësitë që të gjejnë rrugët e bashkëpunimit dhe të krijimit të kushteve për zhvillimin e sektorit të turizmit, si një sektor premtues për ekonominë shqiptare, për ta bërë këtë ekonomi konkurruese në rajon dhe më gjerë.