Gjykata franceze në Colmar të Francës pritet të marrë sot një vendim përfundimtar në lidhje me rastin Ramush Haradinaj. Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj është optimist për vendimin e gjykatës në Colmar të Francës dhe i qetë për nivelin e drejtësisë franceze, por jo edhe për atë serbe.
Gjatë një bisedë për Klan Kosova, Haradinaj ka thënë se nëse gjykata vendos që ai të ekstradohet, Serbia, që qeveriset nga bijtë e Sllobodan Milloshevicit do të marrë përgjigjen e njëjtë që e ka marrë në vitin 1999. Lideri i AAK-së ka thënë që nuk i “han çka thotë Serbia” për të.
Gjykata në Colmar të Francës, që ka shtyrë vendimin e saj përfundimtar prej më shumë se tre muajsh, ka pranuar akuza shtesë nga autoritetet serbe që dallojnë, siç thuhet, nga ato të gjykuara vite më parë nga Gjykata për krime lufte në ish-Jugosllavi me të cilat është përballur Haradinaj në dy rastet e gjykimit në Hagë.
Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit. Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte.
Nisur nga këto akuza, Prokuroria Speciale e Serbisë, pati paraqitur dhe kërkesën për ekstradimin e Haradinajt në Serbi. Pas seancave gjyqësore më 9 shkurt, 2 mars dhe 6 prill, tani vendimi i ri për Haradinajn do të dihet më 27 prill./lapsi.al