Një ngjarje e dhimbshme është diskutuar ditën e sotme në emisionin “Më zemër të hapur” në News24.
Pas lajmit se një vajzë 3 vjeçare humbi jetën në spital pak ditë më parë, e ëma e saj, Anila Derrasa duket se nuk gjen paqe, dhe akuzon mjekët për humbjen e së bijës.
Vajza e Anilës, Iza vdiq në ditën e tretë në spital, por nëna e saj thotë që nuk vuante nga ndonjë sëmundje e veçantë. Ajo ka treguar me detaje të gjithë ngjarjen që kur shtroi vajzën në spital, e deri kur ajo ndërroi jetë. “Infermierja u tregua mizore. I gjithë populli i Beratit është shokuar, se ajo shkoi në spital duke kërcyer e duke qeshur.
Unë sa i hoqa termometrin vajzës kishte shumë ftohtë, i hodha një xhup e batanije por prapë kishte ftohtë. E çova tek doktoresha, ajo i ngre rrobat dhe thotë: Ka reaksion. E mora vajzën e çoj te dhoma ku bënte serumin dhe ma morën vajzën dhe e çuan në reanimacion. Unë u mbyta në lot dhe shkova ta shoh, lloj lloj infermieresh vinin aty që unë i thojo shikoni se vajza nuk është mirë, e ato më thonin: ik se nuk merr vesh. Ata nuk iu afruan njëherë te koka.
Asnjëherë nuk ishin prezentë tek koka e vajzës. Kur vjen shefi i pavijonit ta kontrollojë, vajza u çua dhe kërkoi suko. I ati ia dha, por vajza nuk e pinte dot. U lëshua direkt, i punonte vetëm zemra dhe vetëm nxirrte djersë. Po të kishin shpëtuar Izën e vogël do bënin një mrekulli, por tre mjekët e infermierët e spitalit të Beratit nuk u përkushtuan sa duhet, “rrëfen e ëma e viktimës”.
Ndërkohë për t’iu kundërpërgjigjur asaj që nëna e vajzës thotë në një lidhje telefonike me emisionin, shefi i pavijonit Vladimir Kumaraku ka thënë se e kuptonte dhimbjen e prindërve por mjekët bënë gjithçka ishte e mundur.
“Ne i dhamë ndihmën me të gjitha mundësitë për ta nxjerrë fëmijën nga gjendja por nuk reagoi. Unë i thashë që ne kemi bërë gjithçka. Jam larguar nga koka e fëmijës kur e pashë se nuk kishim më ç’të bënim”, tha Kumaraku./360grade.al