Nga Ylli Manjani
Rexhep Tahipi fitoi një referendum që ja hip keqas shtetit Turk! Tashmë ai është Sulltan. Vetë shkrun e vetë vulos. Vetë Ali e vetë Kadi!
Modeli i sulltanatit të Xhepit, duket se frymëzohet më shumë nga modeli Carist i Putin. Emëron e shkarkon qeverinë, por edhe gjykatësit! Fiks vetë Ali e vetë Kadi!
Asnjë lidhje me modelin perëndimor të ndarjes së pushteteve dhe funksionimit te shtetit neutral! Skemë kjo e pëlqyer nga çdo sundimtar, i madh apo i vogël!
Një Referendum dhe cdo gjë përmbyset! Kjo ishte edhe skema rezervë e miratimit të reformës sonë në drejtësi! Injorim i dialogut, shmangie e konsensusit dhe cuarje e Paketës Kushtetuese në referendum! Me një “po” ose “jo”, do të duhej të shprehej populli! Njësoj si në Turqi!
Çështja është se një fletë votimi me “po” ose “jo” êshtë shumë pak për tu shprehur për fatin e Republikës. Anëtarët e një Republike që nuk lejohen të flasin dhe as te mendojnë lirisht, që nuk zgjedhin asgjë, por thjesht votojnë, nuk mund të vendosin as me Referendum!
Të paktën ne gjetëm disi një mirkuptim politik dhe u braktis ideja e frikshme e Referendumit! Ide e cila mbrohej me zell të lartë nga një ambasadoricë, që nuk përfaqëson aspak vlerat e organizatës perëndimore për të cilën punon!
Nuk them se teksti i kushtetutës së ndryshuar ishte brilant, përkundrazi! Por ruajtëm kufinjtë e bashkëpunimit politik në çështje të funksionimit të shtetit, i cili nuk është pronë e drejtuesve të sotëm! Dhe nuk është as i drejtuesve të arshëshëm!
Dikush thotë se po na bllokon opozita. E vërtetë është, por mund të ishte bërë vettingu i sundimtarit dhe sot do ishim duke bërë prova për parakalimin e 1 Majit, para Kryeministrisë!
Kushtetuta dhe konsticionalizmi si parim i ligjshmërisë së një shteti demokratik, janë garanci që ndalojnë sulltanatin, Carizmin e çdo model tjetër të ngjajshëm, përfshi edhe modelin e drejtimit të shtetit me “guvernatorë të pa emëruar”!
Referendumet kushtetuese në këto kushte përfundojnë si në Turqi! Çimentoset në pushtet leaderi, jo demokracia e “po”-së referendare! Erdogani bëri rrugë, ura, shkolla, kopështe e çerdhe. Bëri industri e ushtri, luftë e paqe! Sundoi me këto gjera në Turqinë demokratike! Gjithandej kështu thonë: bëri investime!
Puna është se demokracia nuk matet me investime e as me harxhime qeveritare! Demokracia nuk ka çmim! Televizorin me ngjyra e futi edhe Enver Hoxha tek ne, por sistemi politik kishte vetem dy ngjyra: bardh e zi!
Pra nuk janë investimet ato që masin sistemin politik! Janë liritë e të drejtat politike të njerëzve ato që përcaktojnë sistemin! Cilido që krenohet se ka bërë investime, rrugë e gjëra si këto është i rrezikshëm!
Është i rrezikshëm se kërkon të sundojë! Kulmi është që sundon me paratë e njerëzve, se rrugë e sheshet nuk bëhen me paratë e xhepit të sundimtarit!
Kështu ndodh gjithmonë me sundimtarët, sa herë që flasin me shifra investimesh, metra katrorë ndërtimesh, kosto të reduktuara (gjoja) administrative, përqindje më të larta krahasimesh me një të shkuar e të tjera si këto. Arritje boshe sepse ushqejnë vetëm propagandën e sundimtarit!
Në shtet të propagandës politika e dialogut dhe parlamenti janë në krizë! Janë në krizë sepse udhëheqësit e injorojnë rregullisht debatin, mbyllin çdo gojë kritike, sundojnë mbi deputetet ( të cilët i vënë për ti sunduar). Zgjedhjet i fiton gjithnjë i forti.
Ndërkohë propaganda flet për investime kolosale dhe për një jetë më të mirë se koha e shkuar! Kur nuk ja del me këto mjete fillon edhe gjetja e armikut të brendshëm e të jashtëm!
Fiks si në Turqinë e sotme të Rexhepit që ja-hipi shtetit e shoqërisë Turke, me një “po” referendare!
Ra ky referendum në Turqi e na u kujtuan ca gjëra të ngjajshme…
Nuk është aspak anti-demokratike të urosh: mos ndodhtë kurrë një referendum i tillë tek ne!
Kemi plot gjëra të tjera të tjera për të rregulluar që të mos vijmë edhe ne tek ky referendum!
Si fillim kemi zgjedhjet e lira në radhë…