Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani zhvilloi një vizitë pune në Himarë, në qytetin buzë brigjeve të detit Jon. Pas urimit dhe mikpritjes së ngrohtë në shesh mitingun e shëtitores së Himarës, në një ceremoni të veçantë në prani të Kryetarit të Bashkisë Gjergji Goro, drejtuesve vendorë, anëtarëve të Këshillit Bashkiak, artistëve, dhe qytetarëve të shumtë të mbledhur me këtë rast Kreu i Shtetit çmoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” Krahinën e Himarës me motivacionin: “Për kontributin e shquar në historinë e luftërave të kombit tonë për liri dhe emancipim shoqëror, për traditën e lavdishme, të karakterizuar ndër shekuj nga bujaria dhe besa. Bijtë e saj, me pushkë e penë, kanë ditur të shkruajnë faqe të lavdishme në identitetin tonë kombëtar, dhe të shpalosin vlera të rralla etnofolklorike kulturore”.
Presidenti Nishani vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Lefter Çipën me motivacionin: “Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për mbajtjen gjallë të vlerave më të mira kulturore, tradicionale të bregdetit të Himarës, si një interpretues me nivel të lartë dhe krijues i suksesshëm poezish e këngësh, që janë kthyer në perla të iso-polifonisë himarjote”, Neço Mukon (pas vdekjes) me motivacionin: “Si një nga studiuesit dhe krijuesit e talentuar të trashëgimisë folklorike himarjote. Me virtuozitetin e tij të rrallë mundësoi përçimin e vlerave folklorike kombëtare brenda dhe përtej kufijve”, Odhise Kasnecin (pas vdekjes) me motivacionin: “Për kontributin e tij të çmuar për Pavarësinë e Atdheut, për rolin e tij të jashtëzakonshëm në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si dhe për ndihmesën e dhënë në përhapjen e dijes e shkollave shqipe”.
Me Titullin “Mjeshtër i Madh” u nderuan nga Kreu i Shtetit Koço Çakali (pas vdekjes) me motivacionin: “Për talentin e tij të spikatur në interpretimin e këngës polifonike himarjote. Me artin dhe mjeshtërinë e tij të të kënduarit, ka arritur të lartësojë eposin kulturor të krahinës së tij” dhe Dhamiano Bollano (pas vdekjes) me motivacionin: “Për kontributin e tij të vyer si veprimtar shoqëror, si njohës i mirë i historisë dhe traditave himarjote, me ndikim të madh në informimin dhe edukimin intelektual të shoqërisë shqiptare”.
Me Titullin “Naim Frashëri”, u vlerësua Ansambli Artistik “Bejkë e Bardhë”, Pilur: “Për nivelin e shquar artistik, shkallën e lartë të interpretimit dhe origjinalitetin e transmetimit të thesarit të këngës e valles pilurjote. Me talentin dhe virtuozitetin e tij, ky ansambël ka shënuar një faqe të veçantë në historinë e polifonisë shqiptare” si dhe Grupin karakteristik të Himarës me motivacionin: “Për ruajtjen e traditës, riteve dhe kostumeve popullore dhe interpretimin e valleve, melodive, si dhe për transmetimin e këngës tipologjike himarjote me një nivel të lartë artistik. Me interpretimin e tij virtuoz, ky grup ka mbajtur gjallë dhe ka ngritur lart nivelin etnokulturor të krahinës së Himarës”.