6 ministrat teknikë të PD-së dhe zëvendëskryeministrja kanë nisur dje detyrën, menjëherë pas betimit në Presidencë në mungesë të Edi Ramës.
E para që ka mbërritur në zyrë ka qenë pasuesja e Niko Peleshit, zëvendëskryeministrja e re, Ledina Mandia.
Ajo u prit në kryeministri nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, i cili e ka shoqëruar numrin dy të qeverisë në zyrën e saj duke e njohur me infrastrukturën dhe ku ka pasur një mbledhje të shkurtër me stafin ndihmës, raporton shqiptarja.com.
Më pas, Mandia, e shoqëruar nga Agaçi kanë shoqëruar gjashtë ministrat e rinj në marrjen e detyrës.
I pari ka qenë Kolonel Dritan Demiraj i cili është mirëpritur në zyrë nga ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Pas 30 minutash bisedë, ata janë larguar së bashku për të vijuar më tej me prezantimin e ministrave të rinj.
Demiraj ka zhvilluar një mbledhje të shkurtër prezantuese me drejtorët e përgjithshëm të ministrisë dhe nuk mësohet të ketë pasur vendimmarrje të tjera brenda ditës së djeshme.
Në fakt, Fatmir Xhafaj i kishte paraprirë këtij vendimi duke liruar që para se të shkarkohej nga parlamenti, pra paraditen e së hënës, të gjithë stafin politik të tij.
Ministri i ri i Drejtësisë Gazmend Bardhi ka zhvilluar mbledhjen e parë në zyrën e Petrit Vasilit, ku është njohur me dorëheqjen e shefit të kabinetit, Bledi Dervishaj.
Më pas, Bardhi ka thirrur në mbledhje 5 këshilltarët e tjerë duke ju kërkuar dorëheqjen, me argumentin se kishte nevojë të punonte me të besuarit e tij.
Në ministrinë e Financave është larguar Arben Ahmetaj dhe Helga Vukaj ka bërë një mbledhje me stafin aktual, teksa një pjesë e këshilltarëve kishin dorëzuar dorëheqjen menjëherë pas largimit të Ahmetajt.
Detyrën e ka marrë edhe Mirela Karabino, Ministër i Arsimit dhe Sportit, e cila është ulur në zyrën e Lindita Nikollës, por nuk mësohet për zëvendësime që në ditën e parë. Burime pranë kësaj ministrie thanë që mbrëmë se i gjithë stafi politik, këshilltarët dhe zëdhënësit ishin ende në detyrë.
Në Ministrinë e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu i ka dorëzuar detyrën mjekut Arben Beqiri, dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe Olta Xhaçka, në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, duke i dorëzuar detyrën Xhuljeta Kërtushës.
Kërtusha ka kryer veprime administrative duke firmosur udhëzime të brendshme, por nuk bëhen me dije zëvendësime të menjëhershme në personel.
Më përjashtim të zëvendëskryeministres që ka staf në organikën e kryeministrisë dhe jo të mëvetshme, thuajse në të gjitha ministritë, janë vetëlarguar shefat e kabineteve dhe disa nga këshilltarët e komunikimit, teksa pritet të mësohen gjatë ditës së sotme të mësohen emrat e stafeve politike të ministrave të rinj teknikë./shqiptarja.com