Nga avokat Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI
Origjina e fjalës “Republikë” vjen nga shprehja latine “Res Publica” dhe simbolizon edhe një nga periudhat historike të qeverisjes në Romën e lashtë, kohë gjatë së cilës Senati, ose
Parlamenti i parë modern, luante një rol shumë të rëndësishëm në qeverisjen e vendit e Romës dhe të provincave të saj.
Në gjuhën shqipe, kjo shprehje përkthehet si “Gjë e përbashkët”, ose “Gjë e të gjithëve”. Pra, vetë kuptimi i fjalës “Republikë”, si “Gjë e të gjithëve”, shpreh më së miri edhe atë çfarë pritet të jetë për një shtet dhe popullin përkatës, forma e organizimit shtetëror “Republikë”.
E thënë me fjalë të tjera, në një republikë, shteti u përket të gjithëve dhe është në shërbim të interesit të përgjithshëm të shoqërisë, pushteti shtetëror buron dhe është në shërbim ekskluziv të popullit dhe interesit të tij, ose interesit të përgjithshëm të shoqërisë.
Ndërkohë, vetë interesi i përgjithshëm i shoqërisë, është edhe vetë thelbi i legjitimitetit të pushtetit shtetëror dhe i vetë ekzistencës së shtetit. Nga ana tjetër, në një shoqëri demokratike lidhja organike midis popullit, sovranitetit popullor dhe interesit të përgjithshëm të shoqërisë, realizohet nëpërmjet pjesëmarrjes së popullit në vendimmarrjen publike, duke e shndërruar interesin e përgjithshëm të shoqërisë në thelbin e moralit që mbron dhe përfaqëson ligji, si një akt i sovranit.
Parë nga ky këndvështrim, vendimmarrja demokratike do të cilësohej e tillë vetëm nëse populli do të përfshiht drejtpërdrejtë në vendimmarrjet e rëndësishme, apo në rastin ideal në çdo vendimmarrje me ndikim të përgjithshëm. Megjithatë, kjo gjë, praktikisht, në shoqëritë moderne me shumë anëtarë, me shtrirje gjeografike të madhe dhe si pasojë e kërkesave të natyrshme të kohës për marrjen e shumë vendimeve brenda një kohe të shkurtër, ka çuar drejt ndërtimin të demokracive përfaqësuese, në të cilat vendimmarrja e sovranit bëhet nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur drejtpërdrejtë nga ai.
Gjithashtu, një formë qeverisë “republikë” dhe një demokraci e vërtet, kërkon gjithashtu edhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, që të gjitha bashkë çojnë në atë që njihet sot nga teoria e shtetit dhe e së drejtës si “Shteti i së drejtës”.
Po në rastin e Shqipërisë, a kemi ne një formë qeverisëse “Republikë”, e cila plotëson të gjithë parakushtet e mësipërme?
Sigurisht, nga pikëpamja formale, Kushtetuta e RSH në parim garanton dhe parashikon një Republikë Parlamentare, e cila është konceptuar të jetë demokratike dhe që respekton në thelb sovranitetin popullor dhe ku vetë ekzistenca e shtetit është në shërbim të respektimit dhe përmbushjes së interesit të përgjithshëm të shoqërisë. Nga ana tjetër, në praktikë, sigurisht që, republika jonë nuk plotëson shumë nga këto parakushte.
Konkretisht, sistemi zgjedhor i ynë nuk garanton të drejtën për zgjedhje të lira e demokratike, sepse deputetet e Kuvendit të Shqipërisë nuk i zgjedh populli, por i zgjedhin kryetarët e partive, nëpërmjet një procesi krejtësisht jo demokratik, jo transparent dhe jo mbi bazën e meritave. Pra, qytetarët nuk kanë alternativë të zgjedhin si përfaqësues njerëzit që ata duan, por vetëm ato që duan kryetarët e partive. Po ashtu, edhe kandidimi i kandidatëve të pavarur është bërë, thuajse, i pamundur dhe me kosto të papërballueshme nga një qytetar i zakonshëm.
Gjithashtu, organizimi i sistemit aktual si proporcional me bazë rajonale, çon edhe në cenimin e barazisë së votës, pasi vota e një qytetari në Tiranë nuk është e barabartë me votën e një qytetari në disa qarqe të tjera të vendit, kjo për shkak të pabarazisë së numrit të popullsisë dhe formulës së padrejtë të ndarjes së numrit të mandateve për çdo qark.
Në vendin tonë, edhe pas gati tre dekadash, ende nuk kemi mundur të bëjmë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të gjithëpranuara. Ne, ende sot, nuk i numërojmë dot votat, apo duhet të presim disa muaj për të marr vesh rezultatin përfundimtar, kur vendet tona fqinje nxjerrin rezultatin brenda pak orësh. Ne, ende sot, nuk votojmë do të lirë, sepse vota blihet dhe shitet me pak para, apo me ndonjë thes miell. Një pjesë jona, sot, nuk votojnë dot, sepse e japin letërnjoftimin e tyre tek blerësit e votave. Një pjesë e jona nuk voton dot, sot, sepse kanë problem vetë ekzistencën e tyre.
Ne, sot, kemi një sistem elektoral që mundëson që në Kuvend të përfundojnë njerëz pa arsim, pa formim intelektual, me precedentë penal, pa personalitetit dhe dinjitet etj. Në fakt, këto njerëz, për shkak të asaj çfarë ato përfaqësojnë dhe mënyrës se si zgjidhen, nuk mund të quhen dhe as nuk mund të jenë njerëz të lirë, por vetëm shërbëtorë të verbuar të interesit të klasës qeverisëse dhe jo të sovranit që pretendohet që përfaqësojnë.
E, pra, është pikërisht, ky sistem zgjedhor, ai që ushqen dhe mban gjallë një sistem qeverisje jo demokratik, por edhe që thellon deri në ekstrem deficitin demokratik të vendimmarrjes në vendin tonë, si dhe krijon edhe kushtet e tjera të nevojshme për vendimmarrje nepotike, vendimmarrje, e cila bien ndesh me interesin e përgjithshëm të shoqërisë. Kjo gjë mishërohet më së mirë në frymën e jo pak ligjeve që janë miratuar nga Kuvendi, ligje, të cilat, jo vetëm që bien ndesh me interesin e përgjithshëm të shoqërisë, por edhe hartohen për t’ju shërbyer interesave të një grupi të caktuar, apo disa individëve.
Këto ligje nuk do mund të quhen ligje demokratike, por janë, në thelb, instrumente të kontrollit social që përdoren nga klasa qeverisëse. Pa dyshim, këto edhe shumë probleme të tjera që shqetësojnë shoqërinë tonë, si: krimi i organizuar, korrupsioni, mosrespektimi thelbësor i të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, dobësimi i sistemit arsimor në tërësi, cenimi i sistemit të vlerave shoqërore, varfëria etj., krijojnë kushtet përfekte për një sistem qeverisës jo demokratik që, në rastin më të keq, do të duhej të quhej diktaturë dhe në rastin më të mirë diktaturë oligarkike.
Për të gjitha këto dhe shumë arsye të tjera, vendit tonë i duhet padyshim një “Republike e Re”, e cila do të duhej të shkëputej nga ajo çfarë kemi pasur për gjithë këto vite tranzicioni të pafund, që po kalon Shqipëria. Kjo “Republike e Re” do të duhej të konceptohej si një kontratë e re sociale, e cila nëpërmjet edhe ndryshimeve kushtetuese të mirëstudiuara, të mirëformuluara dhe të miratuara me një konsensus mbarëkombëtar, do të rivendoste ekuilibrat ekomomik, social dhe politik të humbur prej kohësh.
Rikonceptimi i kontratës së re sociale do të duhej të fillonte më demokratizimin e sistemit zgjedhor nëpërmjet një sistemi mazhoritar të pastër, apo, në rastin me të keq, me një kombinim të një sistemi mazhoritar dhe një sistemi proporcional kombëtar, sistem në të cilin do duhet të mbizotërojë sistemi mazhoritar dhe të vijonte më tej në rivendosjen e meritokracisë, si parim bazë, njohjen dhe forcimin e të drejtës për referendume qendrore dhe vendore, reformim tërësor i administratës publike, ndarjen formale dhe thelbësore të qeverisjes shtetërore nga qeverisja dhe organizimi i brendshëm partiak, respektimin absolut të parimit të ndarjes dhe drejtpeshimit të pushteteve (parimi, i cili është cenuar në thelbin e saj, si pasojë e ndryshimeve kushtetuese në lidhje me mocionin e besimit dhe mosbesimit etj.), forcimin e pozitës së Presidentit të Republikës, i cili, do të duhej të zgjidhej drejtpërdrejtë nga populli, ndryshimin rrënjësor të procesit të vendimmarrjes në Kuvend (ndryshimin tërësor të Rregullores së Kuvendit), duke shmangur në maksimum diktimin e vendimmarrjes nga partitë dhe cenimin në këtë mënyrë të pavarësisë së deputetit, si dhe kryerjen e shumë reformave të tjera të pandikuara nga interesat elektorale, por vetëm nga interesi kombëtar.
Një qasje e re kushtetuese për problemin e borxhit publik dhe koncesioneve duhet të jetë, po ashtu, objekt i ndryshimeve kushtetuese. Një ndryshim tjetër do të duhej të prekte mënyrën e hartimit dhe miratimit të ligjeve, ku të garantohej proces transparent dhe të përfshihej gjerësisht edhe publiku.
Të tjera ndryshime do të duhej të preknin organizimin dhe funksionimin e partive politike dhe financimin e tyre. Ndryshime të tjera tërësore do të duhej të bëheshin në sistemin tatimor dhe doganor. Do të duhej të bëhet një riorganizim i institucioneve të pavarura kushtetuese. Do të duhej të zbatohej reforma në drejtësi, duke e bërë sistemin të hapur ndaj dijes, integritetit dhe profesionalizmit dhe jo sistem në shërbim të klaneve të ndryshme, apo pushtetit politik të radhës.
Ndryshime të tjera, po kaq të rëndësishme, do të duhej të preknin sistemin arsimor në tërësi, reformim tërësor të Akademisë së Shkencave, e cila të prodhojë realisht shkencë dhe inovacion në shërbim të vendit, rikonceptimin dhe forcimin e statusit të personelit akademik në vend. Do të duhej rikonceptim i studimeve pasuniversitare dhe procedurave e meritave për marrjen e titujve akademik etj. Pra, fryma e rivendosjes së ekuilibrave të humbur ekonomik, social dhe politik kërkon me doemos ndryshime të shumta cilësore kushtetuese dhe ligjore, si dhe kërkon ndryshimin e koncepteve aktuale, që mbizotërojnë, të cilat, në thelb, janë jo demokratike, por që shiten nga klasa politike si të tilla.
Pra, të dashur bashkëqytetarë, Shqipëria ka sot nevojë më shumë se kurrë tjetër për një Republikë të Re, për një republikë që do t’i kthente popullit pushtetit e grabitur dhe dinjitetin e munguar. Po! Shqipëria mundet të bëhet, por ajo mund bëhet vetëm nga burra dhe gra të lirë, me dinjitet dhe të ditur, të cilët duan vendin e tyre përpara partive politike dhe ku ndarja midis partive nuk është ndarje për luftë a vdekje, por vetëm një thesar i mendimeve të ndryshme në shërbim të interesit të përgjithshëm të shoqërisë.
Prandaj, unë si dhe çdo qytetar i ndershëm, jam me atë forcë politike që mbron dhe realizon këto ide.
Shqipëria është e shqiptarëve, dhe jo e horrave!