Negociatat me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Donald Lu për zgjidhjen e krizës politike në vend po vijojnë, ndërsa të paktën zyrtarisht thuhet se ajo që po mban peng marrëveshjen mes palëve është data e zgjedhjeve.
Edi Rama si Kryetar i Partisë Socialiste dhe Kryeministër i vendit nuk pranon asnjë datë tjetër veç 18 Qershorit, duke e cilësuar të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve pas kësaj date.
Ndërkohë që opozita kërkon shtyrjen e zgjedhjeve me argumentin se paketa “McAllister Plus” kërkon kohën e saj për implementimin dhe garantimin e kushteve për zgjedhje sipas standardeve.
Opozita nga ana e saj ka deklaruar se mbështet plotësisht paketën McAllister Plus, e cila është një përmbledhje e propozimeve të bëra nga David McAllister por edhe propozimeve të bëra nga Edi Rama gjatë takimeve që zhvilloi në Presidencë me kreun e PD-së, Lulzim Basha.
Por referuar disa pikave që përmban paketa McAllister Plus dhe mospranimit të saj, të paktën deri tani, nga Partia Socialiste, duket se ngërçi që pengon arritjen e marrëveshjes nuk është vetëm data e zgjedhjeve.
Paketa “McAllister Plus” përcakton caktimin e 4 ministrave teknikë përmes së cilës synohet parandalimi i përdorimit të administratës në zgjedhje.
Gjithashtu përcaktohet emërimi i ekspertëve teknikë si zv.ministra, emërimi në poste zyrtare të individëve teknikë, si zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit dhe Policisë së Shtetit, por edhe monitorim ndërkombëtar për të parandaluar abuzimet e mundshme në administratë.
Gjithashtu, paketa në fjalë parashikon ngritjen e një strukture të veçantë në Policinë e Shtetit për të monitoruar problemet e lidhura me zgjedhjet, të përbërë nga Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm dhe 12 Zëvëndës Drejtorë rajonalë, të ndihmuar nga PAMECA dhe ICITAP.
Ndoshta këto pika mund të përbëjnë edhe shkakun kryesor sepse Kryeministri Edi Rama nuk pranon paketën “McAllister Plus”, duke pasur parasysh faktin se data e zgjedhjeve në 18 Qershor mund të rrëzohet, nëse Kolegji Zgjedhor në seancat e parashikuara për t’u zhvilluar ditën e enjte (18 maj) do të cilësojë depozitimin e listave të kandidatëve në KQZ përtej afateve ligjore që parashikon Kodi Zgjedhor.
4 pikat deçizive që parashikon ‘McAllister Plus”
Caktimi konsensual i katër ministrave (ekspertë teknik të respektuar) me qëllim parandalimin e keqpërdorimit të administratës publike dhe ndikimeve në procesin zgjedhor;
Emërimi i ekspertëve teknikë si zëvendësministra në ministritë që mund të ndikojnë në procesin zgjedhor, të ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët do të monitorojnë çdo çështje që ka të bëjë me procesin zgjedhor;
Caktimi i përkohshëm i personave të respektuar, të cilët nuk përfaqësojnë parti politike, si zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit dhe Policisë dhe monitorim i fortë ndërkombëtar për të parandaluar abuzimet e mundshme të administratës publike;
Strukturë e veçantë në Policinë e Shtetit për të monitoruar problemet e lidhura me zgjedhjet, të përbërë nga Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm dhe 12 Zëvëndës Drejtorë rajonalë, të ndihmuar nga PAMECA dhe ICITAP. /Gjergji Koja / /360grade.al/