Home KRYESORE Ballkani e Turqia të thellojnë reformat ekonomike dhe sociale me BE-në

Ballkani e Turqia të thellojnë reformat ekonomike dhe sociale me BE-në

Në Dialogun vjetor Ekonomik dhe Financiar me BE-në të mbajtur sot, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia ranë dakord të përshpejtojnë reformat ekonomike dhe sociale për të forcuar stabilitetin makroekonomik dhe për të nxitur konkurrencën, si dhe zhvillimin përfshirës.

Më 23 maj 2017, BE-ja, Ballkani Perëndimor dhe Turqia miratuan së bashku konkluzionet që përfshijnë udhërrëfyes politikë specifikë sipas vendeve, bazuar në Programet e Reformës Ekonomike të vendeve. Synimi i dialogut është t’i ndihmojë vendet që të përmirësojnë stabilitetin e tyre makroekonomik dhe menaxhimin e financave publike, si dhe të nxisë konkurrencën dhe zhvillimin afatgjatë në rajon.

“Sot të shtatë vendet kandidate dhe vendet kandidate potenciale për anëtarësim në BE u angazhuan të përshpejtojnë reformat ekonomike dhe sociale me synimin e përgjithshëm të nxitjes së konkurrencës dhe zhvillimit përfshirës. Jam i lumtur që vendet e zgjerimit kanë treguar angazhim ndaj këtij ushtrimi, që është një objektiv themelor i strategjisë së zgjerimit të BE-së. Fokusi tani është te zbatimi i reformave, në mënyrë që popujt e rajonit të shohin vende pune më të shumta dhe më të mira”, tha Johannes Hahn, Komisioner për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit.

“Perspektiva ekonomike për Ballkanin Perëndimor është përmirësuar. Megjithatë, ashtu si në BE, duhen zbatuar reformat strukturore me qëllim që të sigurohet zhvillimi dhe konkurrenca afatgjatë. Nivelet e larta dhe ende në rritje të borxhit në një numër të vendeve tona partnere janë një shqetësim i madh. Në të gjitha vendet, besueshmëria dhe qëndrueshmëria fiskale do të përfitonin nga një buxhetim më transparent, struktura fiskale afatmesme më të fuqishme dhe futja apo zbatimi i vazhdueshëm i rregullave fiskale të mirëpërcaktuara, të afta për t’i ngulitur fort shpresat”, tha Valdis Dombrovskis, Zëvendës President i Komisionit për Euron dhe Dialogun Social.

Udhërrëfyesi politik i miratuar bashkërisht bazohet në Programet e Reformës Ekonomike, që autoritetet i hartojnë mbi baza vjetore dhe ia paraqesin BE-së në fund të janarit. Programet zgjasin tre vjet. Ato përfshijnë një kuadër makroekonomik dhe të politikës fiskale, si dhe reforma strukturore parësore për nxitjen e zhvillimit dhe konkurrencës. Këto reforma strukturore shtrihen nga liberalizimi i energjisë dhe tregjeve të transportit, trajtimi i normave shumë të larta të papunësisë, rritja e cilësisë së sistemit arsimor, e deri te përmirësimi i mjedisit të biznesit dhe tërheqja e investimeve, ndër të tjera.

Ushtrimi synon t’i ndihmojë partnerët e zgjerimit të BE-së që të nxisin zhvillimin e tyre ekonomik dhe social. Ai do t’i ndihmojë gjithashtu të përmbushin gradualisht kriteret ekonomike për anëtarësim në BE dhe të ngrenë kapacitetet e tyre për përmbushjen e detyrimeve në kuadrin e mekanizmit mbikëqyrës të BE-së – i ashtuquajturi “Semestri Evropian” – kur të bëhen anëtarë të BE-së.

Share: