Home KRYESORE Ben Blushi, LIBRA, plangprishësit, idealistët dhe idealistët e manipuluar

Ben Blushi, LIBRA, plangprishësit, idealistët dhe idealistët e manipuluar

Nga Ardi Stefa

Papa Françesku shkruan: “Në realitet, vrazhdësia teatrore është simptomë e frikës dhe pasigurisë”!… Do më thoni se çfarë lidhje ka kjo me LIBRA-n dhe kryetarin e saj. Në fakt, e ka një lidhje.

Nuk e mohoj që kam qenë nga mbështetësit dhe nxitësit e tij, këtu e një vit përpara për të krijuar një forcë politike, e cila do të përpiqej të sillte e të bënte ndryshimin. Kjo për shkak të njohjeve të vjetra të universitetit, por edhe për shkak të retorikës së tij, e cila, duhet pranuar, ka qenë dhe është brilante. Por duhet të pranoj edhe faktin që shtatë muaj pas themelimit të kësaj partie, nuk kam vërejtur rritje, por një tkurrje të entusiazmit dhe të pasuesve të tij.

Me largimin e tij nga Partia Socialiste, duhet pohuar se një numër jo i vogël qytetarësh shpresuan se Blushi do të ishte zëri ndryshe, opozita ndryshe dhe se do të bëhej interpreti dhe zëri i intelektualëve dhe personaliteteve të vërteta shqiptare, të cilët nuk e gjenin veten të përfaqësuar apo të përfaqësonin politikën shqiptare.

Por shtatë muaj më pas, themeluesit kanë ngelur të vetëm dhe LIBRA-s nuk i është bashkuar asnjë personazh publik me peshë në opinionin shqiptar.

Dhe kjo, ndoshta për arsye objektive, po aq sa edhe për arsye subjektive.

Blushi nuk kishte nevojë për personalitete publike apo me peshë, të cilët mund ta errësonin disi figurën dhe sharmin e tij.

Ai kishte nevojë që të ngelej i vetëm, zëri i vetëm “opozitar”, i vetmi që duhet të dinte të përdorte shkëlqyeshëm retorikën, i vetmi, i cili do të mund të thithte sa të mundte “elektorat”, jo për të ndryshuar jetën e skenën politike shqiptare, por për t’ju imponuar partisë mëmë, madje edhe kryetarit të saj, i cili ndoshta pas disa kohësh do të bindej e t’i linte në dorë, pa zgjedhje, pa demokraci, ose me një demokraci të shtirur unazën e trashëgimtarit të tij në udhëheqjen e partisë.

Në funksion të kësaj është historia e tij politike.

Ai, fillimisht krijoi LMN-në së bashku me dy deputetë të tjerë të majtë, për të kërkuar largimin e Edi Ramës nga drejtimi i PS pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2009.
Pasi braktisi LMN-në, Blushi u afrua sërish me Ramën dhe u bashkua në projektin e “Rilindjes” në vitin 2013, projekt të cilin e braktisi, ashtu si atë të parin për arsye që askush nuk i ka të qarta.

Ai zgjodhi të marrë përsipër një rol të fortë opozitar si ndaj qeverisë, ashtu edhe ndaj opozitës.

Një nga nismat e ndërmarra nga Blushi ishte zgjedhja e Presidentit të Republikës nga populli. Deputeti tashmë në konflikt të hapur me qeverinë, ndoshta kishte menduar për të garuar për postin e Presidentit, gjë e cila u artikulua nga shumë analistë, por që unë personalisht nuk e besoj.

Por, nëse presidenti do të zgjidhej nga parlamenti, ai e dinte fare mirë se mundësitë e tij ishin fare të vogla. Nga ana tjetër, nëse Presidenti do të zgjidhej nga populli, mundësitë për të do të ishin më të mëdha, duke parë që ai ishte kritik i fortë i politikës shqiptare, jo vetëm asaj të sotme, por politikës në këto 25 vite, në të cilën ai mendon, artikulon dhe përpiqet të argumentojë se nuk ka qenë asnjëherë pjesë e saj.

Sot, pas kaq muajsh, propozimi i ish- deputetit që mban gjallë “shpresën” e shqiptarëve ka dështuar në çdo këndvështrim.

Në peticionin e reklamuar online, “Presidenti nga populli” arriti të grumbullojë vetëm 10 mijë firma. Deri këtu nuk ka asgjë jashtë normales dhe normave demokratike.
Një nismë dështon dhe kjo është pjesë e politikës. Ajo që të çudit nga lideri “shpresëdhënës” është se gjatë këtyre muajve, nuk ka pasur asnjë reagim për nismën e tij dhe të mbështetur fort nga shumë analistë të brezit tonë, miq të tij.
Asnjë fjalë të vetme nga Blushi, nga sinqeriteti i tij, nga parimet morale dhe nga politika ndryshe që ai kërkon të na propagandojë ditë pas ditë.

Sot, shtatë muaj më pas, ai ka partinë e tij të re, e cila nis me një dështim të papranuar në CV-në e saj. Ndoshta, peticionin me 10 mijë vota, Blushi e ka përdori si sondazh për partinë e tij që priste të krijonte. Kjo ka më shumë mundësi, nëse hedh një vështrim në të kaluarën e Blushit si pjesë e politikës në këto 25 vite. Ai ishte pjesë e një qeverie të dështuar socialiste kur drejtohej nga Fatos Nano. Ishte pjesë e opozitës së dështuar të Edi Ramës në vitet 2005-2013 dhe, sigurisht që ishte pjesë e koalicionit të dështuar “Rama – Meta” të vitit 2013, në të cilën nuk gjeti hapësira dhe tani i kërkon me një “frymë të re”.
Kryetari i LIBRA-s është një manipulator i përkryer i opinionit publik. I ka të gjitha cilësitë.

Zgjuarsinë, retorikën, prezantimin në publik, hundën që s’e ul…

E njeh mirë këtë fushë, siç njeh edhe shantazhin politik. Gjasme mosregjistrimi i LIBRA-s në KQZ u shfrytëzua mjeshtërisht për të testuar partinë në Tiranë e mbarë Shqipërinë me mbledhjen e firmave. Dhe firmat i shërbyen si shantazh, jo për KQZ, por për Ramën dhe PS…

Përllogaritja e firmave të grumbulluara e ngriti moralisht dhe mendoi, se në Tiranë do të nxirrte dy deputetë, dhe, sidomos me PD jashtë zgjedhjeve deti do të bëhej kos e të gjithë që do të merrnin nga një lugë, do të hanin.

I bëri thirrje elektoratit të majtë ta mbështeste për të rrëzuar Ramën. Por elektorati i majtë është aq fanatik, saqë vetëm fërshëllima e Ramës dhe e Ruçit i vinte ata në radhë. Pastaj i bëri thirrje elektoratit të djathtë ta mbështeste, se do të ishte zëri i tyre në parlament. E, të gjitha këto akrobacira dëshmojnë për etjen e pashterrur për pushtet dhe jo për një moral të pastër që propagandon…

Historiku i tij është një varg dështimesh.

Fillimisht dështimin me “Presidentin nga Populli”, ndërsa tashmë kemi dështimin e radhës me LIBRA-n, e cila u përpoq të sillte “frymën e re”, por me përjashtim të zgjedhjes së kryetarit me një mënyrë demokratike, e cila ishte risi për politikën shqiptare, nuk pati më asgjë demokratike në jetën e saj të brendshme. Statuti nuk u respektua, demokracia e brendshme jo e jo, përzgjedhja e kandidatëve për deputetë nuk ishte një proces edhe aq transparent, votimi për pjesëmarrje në koalicione apo për të dalë e vetme në zgjedhje LIBRA nuk u zhvillua asnjëherë…

Kryetari vendosi, vulosi…

Sepse atij nuk i intereson as LIBRA, asgjë tjetër. I intereson vetëm vetja, rizgjedhja deputet, të qenit në politikë, ekzistenca politike, që i siguron benefitet, të cilat i di e i njeh mirë… I intreson vetëm të qenit e tij në skenën qendrore politike dhe aspak pasuesit e tij, qoftë edhe ata më të ngushtë që sakrifikuan gjithçka. Aq më pak i interesojnë mbështetësit e tij nëpër qatetet e Shqipërisë…

Ne si popull vërtet kërkojmë politikë të re, por nga njerëz të rinj, nga njerëz të cilët nuk kanë qenë të ndikuar nga sistemi komunist dhe jo politikë të re nga individë, të cilët kanë qenë pjesë e dështimeve të çdo sistemi. Blushi ka 100% të drejtë në ato që thotë, por përvoja na ka treguar se nuk ka të drejtë në ato që ka bërë, për shkak të bëmave të tij në qeveri dhe opozitë.

“Ku ishte ai që sot vetëm artikulon kundër politikëbërjes në Shqipëri në këto 25 vite”?
E pra, ishte në radhën e parë të pengmarrjes së Shqipërisë.

Në radhën e parë të llumit të politikës shqiptare. Flet për moral politik dhe “partinë e njerëzve të zakonshëm”, por vetëm moral politik nuk ka dhe votat e “njerëzve të zakonshëm” do të hyjnë shumë shpejt në kazanin e partisë mëmë!

Retorika të josh për momentin, të ekzalton, por shumë shpejt retorika ia lë vendin veprimeve dhe veprimet zbulojnë natyrën dhe karakterin e vërtetë dhe synimet e folësve.
Projekti i tij politik, LIBRA është një përpjekje për të qëndruar brenda rrethit të pengmarrësve të jetëve dhe të së ardhmes së shqiptarëve. Sepse Blushi nuk thotë se kriza e shoqërisë shqiptare është krizë morale. E, në bazë të moralit të munguar, ai duhej ta kishte lënë mandatin parlamentar, ngaqë nuk i përket atij, por ish-partisë. Nuk i përket, sepse Blushi nuk është votuar asnjëherë si person, por si një emër në një listë të mbyllur. Pragmatikisht ai është në rregull, moralisht e ka bërë baltë pa e nisur mirë punën! Ai nuk sakrifikoi një mandat deputeti; po më tej, sa i gatshëm është të sakrifikojë? Dhe çfarë është i gatshëm të sakrifikojë? Fjalë, fjalë, vetëm fjalë të bukura…

Si politikan Blushi hyn te plangprishësit, që shpeshherë i bien me shkelm kusisë me qumësht me t’u mbushur ajo. Ai shtysë ka mërinë, jo idealin, aspak idealin, aspak moralin. Ai u ngjan themeluesve të Aleancës Demokratike, plangprishësve më të hershëm të PD-së, ai u ngjan ai plangprishësve të ish-partisë së tij? Dhe dihet cili ka qenë fati i tyre: Në analizë të fundit përqafimi me pushtetin ose shuarja.

Blushi nuk është risi. Ai aty ka qenë, aty është e aty do të jetë. Ai nuk thotë se çfarë do të bëhet me të pasuruarit padrejtësisht, me vjedhësit e pasurisë kombëtare, me të ngrysurit xhepzbrazur të gdhirë milionerë, saktësisht me ata që sillen rreth tij nganjëherë si miq e nganjëherë si armiq.

Shoqëria shqiptare nuk ka nevojë sot për parti të re politike, por për një lëvizje morale, nuk ka nevojë për plangprishës, por për idealistë, jo për idealistë të manipuluar…

Share: