Home KRYESORE Çfarë kam thënë vite më parë dhe çfarë ka ndodhur

Çfarë kam thënë vite më parë dhe çfarë ka ndodhur

“Në horizontin afatmesëm dhe afatgjatë, ne mbetemi të mendimit se qëndrueshmëria fiskale duhet të garantohet nëpërmjet një rregulli fiskal të qartë dhe të kujdesshëm.”. – Banka e Shqipërisë

Veprimet e bankave qendrore përbëjnë politikat më të rëndësishme që ndikojnë në veprimtarinë ekonomike nga tremujori në tremujor dhe nga viti në vit.

Në fakt politikat monetare janë politika makroekonomike të anës së kërkesës, sepse shërbejnë për të nxitur, ose shkurajuar shpenzimet për mallra dhe shërbime, ndërsa politika fiskale është një mjet i rëndësishëm në menaxhimin e ekonomisë, sepse ka aftësinë për të ndikuar mbi shumën totale të PBB – së.

Kjo ishte dhe mbetet arsyeja përse kërkohet kombinimi i mirë i tyre, veçanërisht, në kushtet e një ekonomie të vogël.

Nga përvoja e shumë vendeve dhe sipas studjuesve të politikave fiskale, rezulton se kur shpenzimet janë më të mëdha se të ardhurat (d.m.th. kur buxheti është me defiçit), shpesh, politika fiskale nuk e ve fokusin mbi nivelin e defiçitit, por në ndryshimin e tij dhe, në këtë drejtim, zvogëlimi i defiçitit quhet politikë fiskale e tkurrur, edhe pse buxheti përsëri është me defiçit.

Pjesa më e madhe e efektit të menjëhershëm të politikës fiskale është ndryshimi i kërkesës agregate për mallra dhe shërbime, sepse zgjerimi fiskal e rrit kërkesën agregate nëpërmjet dy kanaleve:

 kur qeveria i rrit blerjet e saj, por tatimet i mban konstant, në mënyrë direkte ajo rrit kërkesën;
 kur qeveria rrit shpenzimet, rrit të ardhurat e familjeve, të cilat duke harxhuar më shumë për konsum, rrit kërkesën agregate.

Në qoftë se ekonomia e vendit nuk vuan nga papunësia, ose kjo e fundit mbetet po ajo, zgjerimi fiskal do të kishte më shumë efekt mbi çmimet dhe më pak ndikim mbi prodhimin e brendshëm bruto, por në rastin e rënies ekonomike në qoftë se qeveria zbaton një politikë zgjeruese fiskale ajo ndihmon për të restauruar prodhimin në nivelin e tij normal dhe për të ruajtur vendet e punës.

“Politika fiskale ka patur natyrë ekspansioniste gjatë pjesës më të madhe të vitit (2009 K.S.), duke u materializuar në një defiçit buxhetor rreth nivelit 6 për qind të PBB – së. Rritja e defiçitit buxhetor pasqyron si veprimin e stabilizatorëve automatikë, në formën e uljes së të ardhurave, ashtu edhe karakterin e synuar kundër ciklik të politikës fiskale, nëpërmjet rritjes së pagave dhe të shpenzimeve kapitale.”. – Banka e Shqipërisë

Kur buxheti është me defiçit, qeveria disa shpenzime i përballon me paratë e mbledhura nga emetimi i bonove të thesarit, por duke vepruar kështu ajo shpesh konkurron bankat në lidhje me huamarrjen e parave të kursyera dhe, në këto kushte, zgjerimi fiskal rrit përqindjet e interesit, por le jashtë dore investimet private, duke zvogëluar në këtë mënyrë volumin e prodhimit të brendshëm bruto.

“Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në vend ka diktuar një ritëm të ngadaltë të rritjes së të ardhurave buxhetore, veçanërisht pas tremujorit të parë të vitit (2009 K.S.). Në fund të muajit nëntor, rritja vjetore e të ardhurave buxhetore ishte vetëm 2 për qind, duke reflektuar thuajse tërësisht ritmin e ulët të gjenerimit të të ardhurave tatimore. Nga ana tjetër, shpenzimet publike kanë ruajtur norma të larta rritje, duke shënuar vlerën 16.4 për qind në muajin nëntor.”. – Banka e Shqipërisë

Në një ekonomi të hapur politika fiskale ndikon mbi përqindjen e këmbimit dhe balancën e tregtisë dhe, në rastin e zgjerimit fiscal, rritja e përqindjeve të interesit për shkak të huamarrjes së qeverisë, tërheq kapitalin e huaj që, në përpjekjet e tij për të fituar nga investimet, e ngre vlerën e valutës (euro, ose US$), duke shkaktuar vlerësim të përqindjes së këmbimit (në rastin e vitit 2009 zhvlerësimin e monedhës lek) për një periudhë afatshkurtër.

“Në prani edhe të nënçmimit të kursit të këmbimit, kjo politikë (politika monetare e BSH – K.S.) ka sjellë një lehtësim të kushteve monetare, duke i shërbyer nxitjes së aktivitetit ekonomik. Megjithëatë, përcjellja e politikës lehtësuese monetare në normat e interesit të produkteve bankare ka qenë e kufizuar, si pasojë e problemeve të likuiditetit të sistemit bankar dhe e kërkesës së sektorit publik për fonde.”. – Banka e Shqipërisë

Ndikimi i parë i politikës së zgjerimit fiskal është rritja e kërkesës për mallra dhe shërbime, sepse një kërkesë më e madhe të çon si në rritjen e çmimit ashtu dhe në rritjen e prodhimit dhe, shkalla me të cilën një kërkesë më e madhe rrit çmimin dhe prodhimin, në kthim, varet nga gjendja e ciklit të biznesit, por në qoftë se ekonomia është në rënie ose ngadalësim, atëhere zvogëlohet kapaciteti prodhues i vendit dhe rritet papunësia.

Rritja e kërkesës në pjesën më të madhe do të sjellë më shumë prodhim pa ndryshuar nivelin e çmimit, sepse “… ritmi i rritjes …(u karakterizua K.S.) nga një ngadalësim progresiv gjatë vitit 2009. Kjo ecuri …(u kushtëzua K.S.) nga reduktimi i kërkesës së jashtme dhe ngadalësimi i kërkesës së brendshme, në prani të një situate të shtrënguar likuiditeti, të kufizimit të financimit dhe të rritjes së pasigurisë. … Kërkesa konsumatore …(u mbështet K.S.) nga rritja e lehtë e punësimit dhe e pagave, ndërkohë që tkurrja e kredisë konsumatore dhe hipotekore, si dhe reduktimi i remitancave dhe rritja e pasigurisë, … (dhanë K.S.) efektin e kundërt.”. – Banka e Shqipërisë

Disa ekonomistë, sipas të aushtuquajturës politikë fiskale me maturi, në të tilla raste rekomandojnë ndryshime në politikën fiskale në përputhje me kushtet ekonomike, ndryshime këto që ata i shohin si një mjet për të moderuar ndikimin e krizës, por sugjerime të tilla janë të vështira gjatë kohës së ndikimit të krizave, fatkeqësisht, sepse politikat fiskale me maturi nuk mund t’i mbajnë premtimet e tyre për shkak të kohës së konsiderueshme që kërkohet për miratimin e tyre (veçanërisht, në kushtet kur vendi kalon një krizë politike).

Në këto rrethana, gjasat ishin se ndryshimet me maturi më shumë mund ta dëmtonin ekonominë se sa ta ndreqnin atë.
Në aspektin e rritjes afatgjatë të prodhimit, niveli i tij nuk përcaktohet nga kërkesa por nga oferta e faktorëve të prodhimit: kapitalit, punës dhe teknologjisë, sepse janë këta faktorë që përcaktojnë “përqindjen natyrore” të prodhimit mbi të cilët ciklet e biznesit dhe politikat makroekonomike mund të shkaktojnë vetëm ulje ngritje të përkohëshme dhe për pasojë:

“Ndryshe nga gjashtë muajt e parë të vitit 2009, kur frenimi i rritjes së kredisë ishte më shumë i ndikuar nga shtrëngimi i ofertës, në pjesën e dytë të vitit …(ishte K.S.) rënia e kërkesës për kredi ajo që po dikton(te K.S.) ecurinë e kredisë. Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik dhe pasiguria për të ardhmen, përballë kushteve ende të shtrënguara të kredidhënies nga ana e bankave, kanë udhëhequr vendimet e agjentëve ekonomikë (bizneseve K.S.) për të shtyrë planet e investimeve dhe për të financuar më pak konsumin nëpërmjet huamarrjes.” – Banka e Shqipërisë

Përpjekja për ta mbajtur prodhimin mbi përqindjen e tij natyrore me anë të politikave të kërkesës agregate do të çonte vetëm në një inflacion të përshpejtuar, ndryshe nga fakti që:

“Rritja nën potencial e ekonomisë ka krijuar një ambient me presione përgjithësisht të reduktuara inflacioniste. Inflacioni vjetor në muajin dhjetor shënoi vlerën 3.5 për qind, ndërkohë që norma mesatare vjetore e inflacionit ishte 2.2. për qind. Të dy këta tregues … (ishin K.S.) në përputhje me objektivin e Bankës së Shqipërisë.”. – Banka e Shqipërisë

Edhe politika e zgjerimit fiskal ka të metat e saj kur teprohet, sepse vërtetë të çon në rritjen e nivelit natyror të prodhimit në periudha afatshkurtëra, por e dëmton atë në kuptimin afatgjatë. Politika e zgjerimit fiskal ndikon mbi kursimet e individëve, bizneseve dhe të qeverisë, duke e detyruar qeverinë që ose të investojë më pak në infrastrukturë (rasti i buxhetit të vitit 2010, në krahasim me buxhetin e vitit 2009, veçanërisht, shpenzimeve kapitale), ose të rrisë huamarrjen nga jashtë, por që të dyja këto kanë pasoja të pakënaqshme në kuptimin e rritjes ekonomike afatgjatë.

“Defiçiti buxhetor arriti vlerën 65 miliard lekë në muajin nëntor. Defiçiti është financuar në pjesën më madhe nëpërmjet huamarrjes së huaj dhe të ardhurave të privatizimit, duke kufizuar presionet në tregun financiar vendas. Rritja e shpejtë e shpenzimeve dhe defiçitit buxhetor gjatë vitit 2009 ka rritur më tej nivelin e borxhit publik, i cili vlerësohet rreth nivelit 58 për qind të PBB – së në fund të muajit nëntor.”. – Banka e Shqipërisë

Politika fiskale ndryshon gjithashtu barrën tatimore në të ardhmen, sepse pagimi i borxheve nesër, si pasojë e një politike fiskale të zgjeruar sot, do të bëhet në kurriz të tatimpaguesve të së ardhmes, duke e transferuar kësisoj barrën tatimore mbi supet e gjeneratave të reja.

“Banka e Shqipërisë gjykon se orientimi i politikave të ardhshme buxhetore drejt konsolidimit fiskal, me qëllim reduktimin e borxhit publik, përbën tashmë një parakusht për stabilitetin makroekonomik në vend. Siç e kemi theksuar në vazhdimësi, reduktimi i borxhit publik do të ulë presionin e sektorit publik mbi tregjet financiare, duke krijuar më shumë hapësirë për sektorin privat. Konsolidimi i financave publike do të ulë gjithashtu primet e rrezikut në ekonomi dhe do të rrisë efektivitetin e politikës monetare.”. – Banka e Shqipërisë

Megjithëatë, pengesa më e madhe përsa i përket përdorimit më të mirë të politikës fiskale si mjet për rritjen ekonomike është fakti se ndryshimet në politikën fiskale nuk mund të bëhen brenda së njëjtës “buqetë” me ndryshimet e tjera dhe kështu, duan apo nuk duan politikëbërësit, ato sjellin rezultatet të tjera.

Në analizë të fundit, po ta shohësh problemin e hartimit dhe zbatimit të një politike fiskale të mirë kundrejt pengesave të përmendura më lart, rezulton se ajo mirfilli nuk është problem ekonomik, por problem politik.

Ja ku jemi sot dhe le të ftojmë “ustallarët“ që kanë marrë para për të qenë “roje” të politikës monetare dhe harmonizimit të saj me atë fiskale.

Kohën dhe historinë, nuk mund ta kapërcejnë individët, cilëtdo qofshin ata!

Kasem Seferi – ekonomist

Share: