Ndodh shpesh që në linjat urbane të Tiranës të ndodhin vjedhje të portofolave të qytetarëve për shkak të mbipopullimit të tyre, kryesisht në orët e para të mëngjesit të sotme.
Gjatë ditës së sotme është lajmëruar Policia për një vjedhje në urbanin e linjës “Tirana e Re” dhe udhëtarët kanë përjetuar ankth për më shumë se 45 minuta.
Pre e grabitjes kësaj here ka rënë një çift kosovar, të cilit i është vjedhur portofoli, tregon për JOQ një qytetare e pranishme në vendngjarje.
“Përshëndetje JOQ! përsëritet historia në urbanët e Tiranës, sapo u vodh një çift kosovar dhe si shumicën e rasteve hajduti është në drejtim të paditur. Ishim rrugës nga Astiri për tek stacioni i fabrikës së Miellit kur çifti kosovar u alarmua për vjedhjen që u kishin bërë dhe u mbyllëm në urban.
Ishim shumë veta dhe po plasnim deri sa erdhi Policia, e cila na bëri kontroll një për një, por vetëm hajduti nuk u gjet. Mjaft që po udhëtonim si sardele të ngjeshura, por u vonuam për punë e për shkollë të gjithë për më shumë se 45 minuta”, përfundoi qytetarja për JOQ./ Media