Home KRYESORE “Dija flet, mënçuria dëgjon.“ dhe politika

“Dija flet, mënçuria dëgjon.“ dhe politika

Nga Kasem Seferi

Ortodoksia në qëndrime është vdekja e njohurive politike që nga koha kur njohuritë poltike të lidershipit varen tërësisht nga ekzistenca e të mos rënit në ujdi/mospranimit. E thënë më qartë: “Dija flet, mënçuria dëgjon.“.

Në këtë kontekst ta bësh mirë, natyrisht, është më mirë se ta thuash mirë. Pra, fanatiku është një njeri që nuk ndryshon mendjen e tij dhe nuk do ta ndryshojë subjektin e debatit politik. Bëhet shaka në politikën shqiptare, por shakaja është një diçka shumë serioze.

Lideri politik modern bën atë çfarë duhet të bëjë, pavarësisht pasojave personale, pavarësisht prej pengesave, rreziqeve dhe presioneve, për arsye se kjo ka qenë është dhe do të mbetet baza e gjithë moralit njerëzor.

Politikanit shqiptar i nevojitet aftësia për të parashikuar çfarë do të ndodhë nesër, javën që vjen, muajin që vjen dhe vitin që vjen. Pra, duhet të ketë aftësinë që, më pas, të shpjegojë përse nuk ndodhi ashtu sikundër e parashikoi ai.

Qëndrimi politik i liderit politik është një gjë e vogël që bën një diferencë të madhe. Në këtë kuptim, sipas Napoleonit, betejat fitohen me masakra dhe manovra dhe, sa më i madh të jetë gjenerali, aq më shumë kontribuon në manovër dhe më pak në masakër.

Me të drejtë, kuraja në politikë vlerësohet si e para prej cilësive njerëzore të liderit për arsye se është cilësi që garanton gjithë të tjerat; është ajo që i duhet liderit për të qëndruar dhe folur drejt; është gjithashtu ajo që i duhet liderit për t’u ulur dhe dëgjuar.

Çdo qytetar shqiptar ka vetëm një mendim për të gjithë liderët e politikës: “Le të negociojnë jashtë frikës dhe kurrë të mos frikësohen për të negociuar.”.

Një program veprimi politik i opozitës ka kosto dhe risqe por, nga ana tjetër, këto risqe, pak a shumë, nuk mund të krahasohen me kostot dhe risqet e pafund të mosveprimit të opozitës në kushte të rehatëshme.

Në këtë krizë politike liderët duhet të jenë të vetëdijshëm për rrezikun, por duhet të njohin edhe mundësitëë.

Një politikan i zakonshëm mendon për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa një politikan vizionar mendon për gjeneratat e ardhshme.

Dyfytyrësia në politikën shqiptare nuk është rrjedhojë e qëndrimeve dhe moralit të njëjtë, por i hendekut që ka krijuar midis asaj që thotë dhe asaj që bën.

Pra, politikani që nuk është në gjendje t’i bindë pasuesit e tij, i hedh ata në konfuzion. Në politikë një absurditet nuk është handikap, por një tërësi absurditetesh është i tillë.

Politika shqiptare deri tani (në bazë të listave të bëra nga lideri i parties) nuk ka dëshmuar ende se votuesit duhet të votojnë kandidatin më të mirë dhe kandidatin që i bën më pak dëm vendit.

Liderët politikë shqiptarë kanë bërë dhe bëjnë të njëjtin gabim: harrojnë se janë të zgjedhur dhe nuk mendojnë asnjëherë se janë bërë të mërzitshëm.

Politika në Shqipëri është arti i sherrit, që kërkohet edhe atje ku ai nuk ekziston, duke e diagnostikuar atë sipas oreksit dhe interesave dhe duke zbatuar formulën e gabuar për të zgjidhur një çështje të rëndësishme.

Me qëllim që të marrë kolltukun, politikani pozon si shërbëtor i popullit porn ë fakt ai shpalos artin e sjelljes mashtruese për të marrë votat e njerëzve të thjeshtë dhe paratë e bizneseve për fushatë, duke u premtuar të dy palëve ato gjëra që nuk plotësohen.

Çdo palë në pushtet në më shumë se dy dekada energjitë kryesore ia ka kushtuar përpjekjeve për t’i provuar opinionit publik se pala tjetër është e papërshtatshme për të qeverisur dhe, zakonisht, nga përvoja rezulton se palët kanë të drejtë.

Në politikën shqiptare, ashtu si në ekonomi, politikanët të cilët nuk përballen me konkurencën, ndihen të vetëkënaqur, duke dështuar dhe duke venë në dyshim supozimet e tyre.

Detyra kryesore e politikanit shqiptar është puna me opinionin publik për të bërë të mundur atë që sot politikisht është e pamundur.

Menjëherë sapo politika bëhet tërheqje litari për pjesë në kulaçin e të ardhurave është e pamundur një qeveri e këndshme.

Politikanët shqiptarë kanë treguar deri tani se edhe kur shohin dritë në fund të tunelit, dalin jashtë tij dhe hynë në një tunel tjetër.

Ka nxitje dhe duf te politikanët opozitarë për të sharë dhe shkatërruar ndërkohë që i gjithë populli pa përjashtim vuan nga dyshimi i madh se nga kjo krizë që po përhapet mund të shkatërrohet gjithçka që është arritur dhe më pas gjithçkaje do t’ia nisë nga e para.

Demokracia është ideja më revolucionare në botë, është ajo që transferon fuqinë nga tregu në qendrën e votimit, nga kuleta te votimi i fshehtë. Kjo do të thotë se njerëzit që nuk kanë para kanë njëfarë fuqie mbi jetën e tyre.

Mesazhi që ata u japin liderëve të tyre është ajo se ata duan që ata t’i dëgjojnë, në qoftë se ata nuk duan t’i përfshijnë në një beteje me pasoja. Dhe cili e do atë në emër të Zotit.

Një burrë shteti që do të arrijë diçka të rëndësishme dhe shumë konstruktive për vendin e tij duhet të lëvizë në mënyrë të kujdesëshme dhe madje në mënyrë të drojtur, sidomos në një vend ku ka me mijëra kritika të pamenduara dhe të papërgjegjëshme rreth tij.

Në çdo hap që ai bën përpara, i duhet t’ua provojë se është një hap i menduar thellë, i paanshëm dhe në interes të vendit.

Frika, paniku dhe histeria në mendjet e njerëzve të çojnë drejt absolutizimit të pushtetit, ose drejt metodave për ta shkatërruar demokracinë nëpërmjet shtypjes së lirive civile dhe përndjekjes. Shpesh, këto teknika i kanë bërë njerëzit progresistë të tërhiqen nga jeta publike.

Kur dilet nga një shoqëri e ngrirë, duhet paguar një çmim për gjendjen e re, sepse papunësia, varfëria, njëfarë dekompozimi i lidhjeve grupore, transformimi i sistemit ekonomik drejt tregut të lirë të çojnë në një situatë shpërthyese, në të cilën shfaqen dy rreziqe: i pari është krimi, ndërsa i dyti është populizmi dhe që të dy nuk lenë pa shfrytëzuar tmerrin dhe frikën.

Padrejtësitë shoqërore dhe ndjenja e pasigurisë, së bashku, kanë krijuar një terren të favorshëm për demagogji autoritare populiste, si dhe kanë ngjallur kërkesën për njeriun e fortë, njeriun e dorës së hekurt në politikë.

Sidoqoftë, as droga, madje as alkooli nuk shkaktojnë sëmundje themelore të shoqërisë. Në qoftë se ne do të kërkojmë për burimin e shqetësimeve tona, ne nuk duhet t’i testojmë njerëzit për drogë, ne duhet t’i testojmë ata për budallallëk, padije, lakmi dhe dashurinë për pushtet. (PJ O’Rourke)

Tendenca për një qeveri demokratike që beson se ka pavarësi absolute/pushtet absolut mund të rezultojë në perqendrimin e autoritetit, shpesh, me mjete ekstrakushtetuese dhe me rezultate të zymta.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: