Nga Kasem Seferi
Për hir të dyndjeve/ardhjeve me dhunë në territorin ku jemi ngulur, shumuar, trashëguar dhe kemi krijuar dhe krijojmë kulturën tonë arbërore, kemi rrënjosur, kemi mbjellë “farë” të reja, në dhënie dhe marrje me fqinjët dhe të tjerë ardhacakë nga lindja dhe perëndimi, veçanërisht, nga ky i fundit ku bëjmë pjesë, fatkeqësisht, kemi pësuar një “dreqosje” përsa i përket asaj pjese të kombit tonë shekullor: elitës.
Nga kjo trashëgimi dreqosje, që përshkruhet mirë në historinë e Pallatit Top Kapi të Perandorisë Osmane (në fakt, trashëguar me shumë fakte dhe dëshmi nga Perandoria Bizantine ku ndesheshin dy botë të ndryshme shpirtërore), që formonin ndërgjegjen shtetformuese të sitemeve politikë, ekonomikë dhe shoqërorë të kohës, del dhe përfundimi më i mirë i asaj që përjetojmë sot në trojet arbërore (Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë, duke përfshirë këtu shqiptarët në Malin e Zi dhe në veri të Greqisë).
Në librin me titull “Historia më e vjetër e Shqipërisë”, i përndjeri prift katolik nga fshatrat e Lionit në Francë, Zhan Klod Faveirial, i ngarkuar me detyrë për të studjuar një prej njësive administrative të Iliricum Sakcrum (Ilirija e Shenjtë), Ohrid – Justiniana, bazuar, kryesisht, në ditarin e peshkopit grek të Ohrit Teofillaktit, na jep një pamje të gjerë të asaj që ka ndodhur në trojet arbërore/shqiptare gjatë sundimit të Bizantit (periudhë e sundimit të ikonokllastëve).
Alessandro Barbero, një historian Italian i mesjetës së hershme, me shumë fakte, bën me dije se kush i solli hordhitë turke në Ballkan, duke përmendur takimin e Firences ndërmjet të dërguarve të titullarëve të grekëve të Bizantit dhe katolikëve romanë.
Në një vend që ndodhet udhëkryq, aq më shumë ku kalonin dhe kalojnë rrugët për në kontinentin europian (Via Egnatia me zgjatimin e udhës së mëndafshit sipas kujtimeve të Marco Polos), natyrisht, do të ndesheshin afëritë dhe largimet (përputhjet dhe mospërputhjet) ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.
Në luftën ndërmjet kulturave/interesave të dy botëve të ndryshme, ata që e pësonin më shumë ishin banorët vendas.
Popuj të ndryshëm në origjinë, shumë herë qëndrestarë dhe po aq kalimtarë, pra, në “tutje dhe tëhu”. Një përzirje racash, por njerëz të Zotit, nuk arrinin për këtë shkak të krijonin elitën e tyre të qëndrueshme.
Grekët “dorë” erdhën nga Lindja e Mesme, përfshinë në gjirin e tyre kulturën pellazge (ka pak dëshmi historike bindëse), përmbysën elitën e krijuar nga pellazgët që dëshmohet vetëm nga rrënojat e tyre.
E vërteton këtë gjë shumë më vonë historiani dhe studjuesi francez Pukëvil me thënien se shqiptarët rrinin dhe mbijetonin maleve dhe shihnin se si përlesheshin pushtuesit me njëri tjetrin në fushat poshtë dhe, në fund, ata i jepnin “fshesën” të mbeturve.
Një fakt, Lufta Ballkanike 1913. Fqinjët serbë, malazezë dhe grekë të yshtur/nxitur nga Rusia yshtje që filloi me Luftën Ruso – Turke në 1876, arritën t’ia bënin të pamundur përfaqësuesit të Perandorisë Osmane të vërtetën e qëndrimit të Shqipërisë së pavarur në Takimin e Berlinit, ku sipas të thënave Bismarku e kishte konsideruar Shqipërinë si një shprehje gjeografike.
1878, ose më saktë Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ishte as më pak dhe as më shumë një veprim politik kombëtar për t’i treguar Fuqive të Mëdha se Shqipëria nuk ishte aleate fluide/avulluese e Perandorisë Osmane.
Na ndanë në disa pjesë dhe, për këtë dhimbje të madhe kombëtare, Ismail Qemal Bej Vlora, në kujtimet e tij do të vinte në dukje se atdheut të të parëve të tij do t’i hiqeshin pjesët më të begata/pjellore dhe do t’i linin atë pjesë me male të zhveshura.
Lexoni ju, bashkëpatriotë këto kujtime dhe do të kuptoni përse nuk kemi pasur elita, sikundër kanë pasur kombet dhe shtetet e Perëndimit.
Historia na kujton se shkëputja nga Perandoria Osmane krijoi një elitë të brishtë (lexoni kujtimet e Eqrem Bej Vlorës dhe, veçanërisht, babait të tij Syrja Bej Vlorës), për të kuptuar arsyen e vërtetë përse diktatura e Enver Hoxhës hoqi qafe elitën e krijuar gjatë mbretërimit të Mbretit Zog i Parë dhe elitën e krijuar gjatë sistemit komunist (gjeneralët e Puçit Ushtarak).
Duke studjuar me kujdes gjithë këto ditë të krizës politike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, më ka rënë në sy një veçori: elitat e krijuara në periudhën postkomuniste si shënjestër kanë pasur vetëm:
Të pasurohen nga trashëgimia komuniste, duke u përshtatur politikisht si elitë demokratike.
Të luftojnë “komunizmin“ si ide dhe praktikë e humbur për të humbur gjurmët e së kaluarës.
Të grumbullojnë pasuri për të pasur gjithë pushtetet nën kontroll.
Të përshtaten dhe mbijetojnë në botën ku jetojnë.
Të krijojnë elitën e tyre dhe të përjashtojnë të tjerët.
Mjafton t’u bësh biografinë gjithë “personazheve“ të politikës shqiptare dhe as më pak dhe as më shumë, zorr se do të gjesh emra që rrjedhin nga elita e vjetër e fillimviteve të Pavarësisë dhe mbretërimit ë Mbretit Zog i I – rë.
Në përfundim, elitat në një shtet demokratik i shërbejnë qytetarit, ndërsa në një shtet autokratik elitat i shërbejnë vetvetes dhe mbështetësve të tyre me favore dhe lehtësi, me rekrutime qesharake, etj etj.
Ende nuk kemi një elitë siç duhet. Edhe ata që e quajnë ose e mendojnë një gjë të tillë ia bëjnë qejfin vetes.
Atdheu, ekonomia e shëndoshë e tij dhe qytetarë të kënaqur nga shteti i tyre tregojnë haptazi se kanë një elitë kombëtare që e do vendin e vet.
Kasem Seferi – ekonomist