Home KRYESORE Imami dhe Topalli/Të mblidhen forumet e PD, të shkarkojnë Lulzim Bashën. 26...

Imami dhe Topalli/Të mblidhen forumet e PD, të shkarkojnë Lulzim Bashën. 26 Qershori është vonë…

Deputeti aktual i Partisë Demokratike Arben Imami, një nga emrat që nuk është përfshirë në listën e kandidatëve për deputet të kësaj partie për zgjedhjet e 25 Qershorit, kërkoi sot mbledhjen e forumeve drejtuese të kësaj partie për të marrë vendimin për shkarkimin e personit përgjegjës që solli këtë situatë, Lulzim Bashës.

Imami në një deklaratë të përbashkët për mediat me Jozefina Topallin tha se nuk mund të largohet Edi Rama nga qeverisja, duke shkatërruar Partinë Demokratike.

Imami tha se vendimi për hartimin dhe zyrtarizimin e listës së kandidatëve për deputet është marrë në shkelje të plotë të statusit të PD-së, duke shtuar se asnjëherë në këtë parti nuk ka qenë traditë që vendimet të merreshin duke mos pyetur forumet vendimmarrëse.

“Të mblidhen forumet e PD-së dhe të shkarkohet personi përgjegjës për këtë situatë, që është Lulzim Basha. Kemi marrë këtë vendim pasi më 26 qershor do të jetë shumë vonë. i bëjmë apel anëtarëve të forumeve të PD të vazhdojnë me këtë frymë. Lista e publikuar e kandidatëve për deputet është humbëse”, tha Imami.

Në konferencën për mediat, Imami dhe Topalli e cilësuan një moment shumë delikat dhe kritik këtë ku ndodhet sot PD, duke shtuar se data 26 Qershor do të jetë shumë vonë.

Topalli dhe Imami thanë se sot kemi të bëjmë me Partinë e Lulzim Bashës që ka logon e PD-së.

Dy deputetët e cilësuan listën e kandidatëve për deputet jo si listën zyrtare të Partisë Demokratike, por si listën e Bashës dhe familjes së tij.

“Vlerësojmë se gjendja e krijuar pas publikimit të listave ka krijuar probleme serioze,me reagimin e mbështetësve, militantëve, deputetëve, kandidatëve për deputet. Ky është një moment kritik”, u shprehën dy deputetët e PD-së.

Share: