Shqiptari nga Kaçaniku i Kosovës, Lavdrim Muhaxheri një eksponent i njohur i ISIS dhe ekzekutues barbar i shumë personave në Siri, ka lëshuar në kërcënim të fortë për sulme me thika dhe makina bombë në Shqipëri.
Dita ekskluzivisht publikon sot komunikimet disa javore përmes rrjeteve sociale që gazetari Muhamed Veliu ka zhvilluar me një përfaqësues shqiptar të ISIS i cili punon në Ministrinë e Medias të Shtetit Islamik.
Qëllimi final ishte intervistimi i Lavdrim Muhaxherit i kthyer në njeriun më besnik të kreut të ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi.
Një pjesë e këtyre komunikimeve do të publikohen nga gazetari Veliu në një të përditshme britanike si pjesë e një investigimi disa mujor, ku do të tregohet se si rrjetet sociale si Facebook, Twitter dhe Telegram Messenger, janë kthyer në armën më të fortë propaganduese, urdhëruese të sulmeve në Europë dhe gjithashtu rekrutuese të Shtetit Islamik.
Komunikimi
Gazetari Muhamed Veliu në rrëfimin e tij për Dita tregon se gjithçka nisi kur një burim i tregoi për një llogari në facebook, që përdoret nga Lavdrim Muhaxheri. Në këtë llogari çdo ditë postohen lajme të detajuara që kanë të bëjnë me luftimet e ISIS në Siri dhe vende të tjera.
Është një informacion i dorës së parë që vjen nga Rakka kryeqendra e të ashtuquajturit Kalifatit Islamik.
“Mëngjesin e 7 prillit 2017 i dërgova një ftesë për miqësi në facebook Lavdërim Muhaxherit i cili llogarinë në facebook mban jo emrin e tij. Ftesën time e pranoi dhe i shkruajta se isha i interesuar për një intervistë e cila do të ishte në dy pjesë. Njëra kishte të bënte me Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë që do të botohej në median shqiptare dhe pjesa tjetër për mediat në Britaninë e Madhe për të cilat unë punoj si gazetar i lirë nga Tirana. Pas 13 ditësh nga kërkesa për intervistë vjen përgjigja: “Më vie keq por unë nuk jam Lavdërimi”. Ishte një mohim nga ana e tij paçka se burimi im i informacionit ngulmon se ajo llogari përdoret prej tij”, thotë Muhamed Veliu.
Ai tregon se disa ditë më pas ka marrë një ftesë për miqësi në facebook nga një shqiptar në Siri me emrin Ebu Musab El-Albani, i cili u prezantua si punonjës i Ministrisë së Medias në ISIS.
Ebu Musab El-Albani tregon Muhamed Veliu ishte në dijeni të kërkesës së tij për intervistë me Lavdërim Muhaxherin, fakt i cili lë të kuptohet se personi që mohoi të ishte Lavdërim Muhaxheri ishte pikërisht ai i cili tashmë e kishte kanalizuar kërkesën për intervistë, në Ministrisë së Medias në ISIS.
Por si u zhvillua biseda më pas me Ebu Musab El-Albanin shqiptarin e përfshirë në makinerinë e propagandës së ISIS?
Gazetari Veliu thotë:
“Më 21 prill ora 01:48 kam marrë në facebook messenger nga Ebu Musab El-Albani mesazhin ku shkruante: “Ne jemi lajmëruar se ju jeni të interesuar për një intervistë me ne. Më shkruani mua për
këto gjëra, unë jam punonjës i Ministrisë së Medieve”. Kërkesën për intervistë ia përsërita Ebu Musab El-Albanit i cili më la të kuptohej se ai ishte ngarkuar të ndërmjetësonte këtë intervistë nga Lavdrim Muhaxherit. Përgjigja e tij ishte: “Do të shikoj, por po të tregoj se rregullat e Shtetit nuk lejojnë intervista individuale, të cilat janë jashtë institucioneve mediale të Shtetit, për arsye që besoj se mund t’i kuptoni por megjithatë unë fjalët tua do t’i përcjell për çdo rast” më tha ai.
Mes gazetarit Veliu dhe Ebu Musab El-Albanit ishte vendosur tashmë komunikimi nga ku përmes bisedës me Ebu Musab El-Albanin, ishte i interesuar për detajet e intervistës. Në një prej mesazheve ai thotë: “Ne ende jemi duke pritur për përgjigjën e udhëheqësve shtetërorë rreth kërkesës suaj për intervistë. Ju duhet ta dini se kjo çështje nuk varet nga ne. Neve nuk na lejohet ta zhvillojmë këtë intervistë pa lejen e tyre. Ne jemi besuar për bindje ndaj tyre. Lavdërimi është në dijeni për këtë”.
Muhamed Veliu gjatë bisedës e pyet shqiptarin e Ministrisë së Medias të ISIS Ebu Musab El-Albanin se si është situata në Rakka? Ai i jep këtë përgjigje:
“Jemi nën rrethimin e jobesimtarëve dhe idhujtarëve, por me mirësinë e Allahut po qëndrojmë të palëkundur. Për ne nuk ka asgjë tjetër pos njërës nga dy të mirat: O fitues, o dëshmorë”.
Muhamed Veliu e pyet për numrin e shqiptarëve të mbetur në Siri.
Ebu Musab El-Albani përgjigjet:
“Ka ende shqiptarë edhe pse numri me kohën është zvogëluar”.
Më 24 prill ora 22:20, Ebu Musab El-Albani i dërgon një tjetër mesazh gazetarit Veliu ku i thotë:
“I nderuar. Ne ende jemi duke pritur përgjigjen e udhëheqësisë”.
Gazetari i përgjigjet se ai po qëndron në pritje të përgjigjes dhe se ai do të tregohet korrekt duke mos tjetërsuar përgjigjet e intervistës. Por Ebu Musab El-Albani përcjell një mesazh të Lavdërim Muhaxherit për të cilin thotë:
“Më është thënë se Lavdërimi është i gatshëm për intervistë, por dyshon se do të lejohet. Ai po ashtu ka shprehur dyshimin se ju do t’i përmbaheni premtimit tuaj. Ju duhet ta dini se ne edhe më parë kemi pranuar të flasim me gazetarë/medie të ndryshme, por ato/ata nuk e kanë mbajtur fjalën dhe i kanë ndryshuar fjalët tona”.
Pas këtij mesazhi Muhamed Veliu i është përgjigjur:
“Kam 15 vite që merrem me gazetari dhe kurrë nuk i kam ndryshuar thëniet askujt”.
Gjatë bisedës gazetari Veliu tenton të mësojë më shumë se kush është Ebu Musab El-Albani kur e pyet nëse është nga Shqipëria. Ai përgjigjet:
“Po, por jo nga Shqipëria e tanishme. E kam fjalën për kufijtë…”.
Pas disa ditësh gazetari Muhamed Veliu kërkon të dijë nga Ebu Musab El-Albani se cilat janë rrjetet e tjera të komunikimit të ISIS përveç facebook.
Ebu Musab El-Albani gjatë bisedës tregon se është aplikacioni Telegram Messenger the ata kanë një kanal në gjuhën shqipe.
Pas kësaj përgjigje Ebu Musab El-Albani i kërkon gazetarit Veliu ta ndërpresin komunikimin në facebook duke thënë: “ Unë do t’ju shkruaj nga tani e tutje përmes Telegramit, pasi që është më i sigurt”.
Ebu Musab El-Albani bën edhe një kërkesë tjetër. “Shlyheni bisedën tonë që e kemi zhvilluar këtu (në facebook).
Refuzimi Intervistës
Biseda mes gazetarit Veliu dhe Ebu Musab El-Albani ka vijuar në aplikacionin Telegram nga ku gazetari e ka pyetur se si do të zhvillohet intervista me Muhaxherin. Përmes Facebook Messenger, Skype apo me telefon dhe e pyet Ebu Musab El-Albanin nëse ata përdornin edhe telefonat. Ai thotë:
“Kemi, por është shumë e rrezikshme. Aeroplanët dhe dronet e gjithë botës po bombardojnë këtu. Ka edhe shqiptarë të vrarë nga këto sulme”.
Gjatë bisedës ai bën edhe një paralajmërim për Qeverinë Shqiptare.
“Qeveria felëshuese shqiptare bën mirë të mos vazhdojë punën si kukull e kryqtarëve. Ne jemi në dijeni se ajo po planifikon dërgimin e njësive kundër Shtetit Islam”, shkruante Ebu Musab El-Albani.
Sa shqiptarë muxhahidinë janë vrarë deri me tani nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia? Ishte pyetja e radhës e gazetarit për Ebu Musab El-Albani i cili jep këtë përgjigje.
“Thënë të drejtën nuk e di. Ka edhe shqiptarë nga vende të tjera të botës, përfshi këtu ata që janë shpërngulur dekada më parë drejt Turqisë, Sirisë etj. Unë si punonjës në medie nuk e di numrin, por jemi duke punuar edhe në këtë drejtim. Pra që kur të bien dëshmorë vëllezërit të jipet njoftimi edhe zyrtarisht”.
Disa ditë më pas Ebu Musab El-Albani kërkon t’i dërgohen me e-mail pyetjet për Lavdrim Muhamexherin.
Gazetari Veliu thotë se këtë moment iu duk se ishte një hap larg nga të intervistuarit e Lavdim Muhaxherit.
“Janë nga ato intervista që mund të ndodhin njëherë në jetë. Prandaj përgatitja e pyetjeve merrte një rëndësi të veçantë. Meqenëse çështja e ISIS është komplekse përpara përgatitjes së pyetjeve mu desh të konsultohesha me ekspertë që kanë dijeni për çështjet e terrorizmit dhe të fesë Islame. Shpenzova shumë kohë në internet duke mësuar më shumë rreth Lavdrim Muhaxherit dhe organizatës ku ai militon. Mu desh të formuloja 40 pyetje të ndarë në tre blloqe. Blloku i parë lidhej me aktivitetin e Lavdrim Muhaxherit në Siri dhe marrëdhëniet e tij me mbështetës të Shtetit Islamik në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Blloku i dytë lidhej me Britaninë e Madhe dhe sulmin e fundit të marrë përsipër nga ISIS në Londër dhe blloku i tretë për përdorimin e rrjeteve sociale nga ISIS.
Ebu Musab el-Albani, në 25.04.17 ora 23:02 përgjigjet se i ka marrë pyetjet të cilat i kishte parë edhe Lavdrim Muhamxheri por thoshte se “Mendoj se ka pyetje në të cilat ai nuk do të përgjigjej”.
Bëhet fjalë për disa pyetje rreth ekzekutimit të një të riu me anti-tank nga Lavdërim Muhaxheri. Pyetjet ishin. Cili është argumenti bazuar në fenë Islame që e justifikon vrasjen e këtij djali nga ana juaj me anti-tank?
Në Suren Maide 32 thuhet: Kush vret një njeri konsiderohet sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzimin. Pra vrasja e atij djali nga ana juaj është tërësisht e pa justifikuar apo jo?
Sipas Sheriatit për të cilin ju thoni se bazoheni në të dhe kërkoni të aplikohet në të gjithë botën thuhet se askush nuk mund të ekzekutohet pa gjyq. A ishte gjykuar ky djalë që e vratë me anti-tank sipas Sheriatit? A ka një vendim gjykate për atë djalë që e ekzekutuat?
Kush janë gjykatësit e Shtetit Islamik?
A kanë ata arsimin e duhur?
Po t i referohemi fesë Islame, nuk lejohet shpagimi më tepër nga ajo që ka bërë personi.
Si e justifikoni goditjen e tij me anti-tank? Të njëjtën vrasje kishte bërë edhe ai me anti-tank?
Një tjetër pyetje e cila ka vënë në vështirësi Lavdrim Muhaxherin lidhej me sulmet e ISIS në Francë ku u vranë edhe disa fëmijë. Kjo është pyetja ndërtuar nga gazetari Veliu:
Gjatë sulmit në Francë marrë përsipër nga Shteti Islamik janë vrarë edhe fëmijë. Me çfarë e justifikoni këtë? Në një kohë kur Profeti Muhamed a.s në një prej haditheve të tij thotë: “Kur luftoni me një popull mos shkatërroni të mbjellat, mos vrisni gra, fëmijë, pleq dhe njerëz të pa armatosur”.
Por Ebu Musab El-Albani gjatë bisedës së datës 25 Prill ora 23:01 ku diskutoheshin pyetjet thotë se ato tashmë ishin parë nga Lavdrimi.
“Ende nuk ka diçka vendimtare. Lavdërimi nuk po pranon të intervistohet. Ai i ka parë pyetjet dhe shumë prej tyre ishin pyetje ngacmuese. Ta dini se po të kisha edhe të dhënën më të vogël se ju jeni kundër Islamit dhe muslimanëve, unë nuk do t’i kisha marrë parasysh porositë e juaja dhe nuk do të lidhesha me ju. Përndryshe është edhe në dobinë tonë që bashkësia e gjerë të njoftohet rreth politikës së Shtetit Islam karshi trojeve shqiptare” shkruante shqiptari i medias në gjirin e ISIS.
Një tjetër pyetje e cila duket se kishte sjellë irritimin e Muhaxherit lidhej me sulmin e orkestruar nga ai ndaj ekipit të Izraelit që luante kundra Shqipërisë.
Në Shqipëri dhe Kosovë kanë ndodhur disa arrestime. Autoritetet e policisë në Kosovë dhe Shqipëri thanë se ata po përgatisnin një sulm ndaj ekipit të futbollit të Izraelit që zhvillonte një ndeshje kundra Shqipërisë dhe se urdhëruesi këtij sulmi ishit ju. A jeni ju urdhëruesi këtij sulmi?
Shteti Islamik ka shpallur shumë vende si armike. A përfshihet në këtë listë edhe Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia?
Ebu Musab El-Albani dha këtë koment për këto pyetje.
“Jo me pyetje ngacmuese të cilat u shkaktojnë dëme dhe tortura të shtuara besimtarëve në burgjet e kryqtarëve sllavë dhe kokave të felëshimit edhe nëse ne nuk përgjigjemi në to”.
Pas kësaj bisede gazetari Veliu thotë se shpresat për të intervistuar Muhaxherin po zbeheshin. Por iu ndesh të ngulmonte për herë të fundit.
“Ebu unë i qëndroj asaj që kam thënë. Jam gazetar dhe në shërbim të gazetarisë dhe të informimit të publikut për të pasqyruar për të mësuar më shumë nga ajo që dihet për Lavdrimin deri me tani dhe Shtetin Islamik. Kaq është e gjitha. Një gazetar duhet të jetë i ftohtë. Të bëjë pyetjet e duhura. Ti mëshojë fakteve”, shkruante Veliu.
Më 28 Prill 2017 ora 20:31 Ebu Musab el-Albani dërgon përgjigjen refuzuese të intervistës ku thotë:
“Unë sapo jam njoftuar se kërkesa juaj për intervistë nuk është pranuar. Pos kësaj, mua më është ndaluar lidhja me ju dhe unë kam për të zbatuar bindjen ndaj udhëheqësisë. Më vjen keq, por kështu është vendosur”.
Përpara se ai të ndërpriste komunikimin me gazetarin Veliu i thotë se kishte një mesazh nga Lavdrim Muhaxheri i cili në radhët e ISIS njihet me emrin Abdullahu. Në fakt ishte një kërcënim i pastër.
Kërcënimi i Lavdrim Muhaxherit
Ebu Musab el-Albani, më 28.04.17 ora 20:33 thotë se Lavdërimi ka këtë porosi: “Shumë shpejt do ti shijoni dhe ti ndjeni të njëjtat dhimbje që po i ndjen populli musliman në Irak e Siri … s’do të kem mëshirë për ju asnjë pikë. .. o do të pranoni islamin dhe të jetoni me sherijatin e allahut … o mes neve dhe juve vetëm thika e makina bombë”.
Gazetari Veliu e pyet Ebu Musab el-Albanin se kujt ia drejtonte Muhaxheri këtë mesazh.
“Për kryqtarët sllavë, pushtetarët felëshues dhe veglat e tyre, pra gazetarët etj. (Nuk përfshihet këtu popullata muslimane), shkruan ai.
Ndërkohë Ebu Musab el-Albani vazhdoi të përcjell pjesën tjetër të mesazhit që ia çonte ato momente Lavdrim Muhaxheri.
“Ka shku koha e intervistave … qka ju dukemi ne juve …. i shifni nonstop nëpër lajme se si vriten e masakrohen muslimant në shtetin islam prej anës juve … ndërsa juve ju duket sikur të ishte duke u luajtur ndonjë film në cinema … Dhe asnejëher nuk delni kundra tyre me deklaratat tuaja … përkundrazi .. ju doni intervista qe me fitu lek e meu mbush gjepat e juj… me ndihmën e Allahut do ti përjetoni të gjitha qka i kanë përjetu muslimant në trojet e shtetit islam”.
Biseda disa ditore mes gazetarit Muhamed Veliu dhe Ebu Musab el-Albani mbyllet me një tjetër paralajmërim nga ky i fundit. “Bëjani si të doni, por kujdes nëse na paraqitni si armiq të popullit tonë”.
ISIS në rrjetet sociale flet shqip
Gazetari Veliu tregon se gjatë përgatitjeve të tij për intervistën me Lavdrim Muhaxherin ka vërejtur një mori llogarish në facebook ku i bëhet jehonë luftimeve të ISIS nga vetë Muhaxheri dhe Ministria e Medias e Shtetit Islamik në gjuhën shqipe. Gjatë komunikimit me Ebu Musab el-Albani, më 26.04.17 ora 20:59 e pyet atë se sa i rëndësishëm është facebook në propagandimin e Shtetit Islamik. Përgjigja e tij ishte: “Rrjeti shoqëror “Facebook” nuk përdoret zyrtarisht, për shkak të problemeve me serverët tanë dhe mbylljes së shpejtë të faqeve/profileve. Shtuar kësaj rrezikun e përgjimeve etj. Rrjetet “Facebook” dhe “Twitter” përdoren kryesisht nga mbështetës të Shtetit Islam.
Kur në Facebook publikoni diçka sa shpejt fshihet nga moderatorët postimet? Pyet gazetari Muhamed Veliu.
“Po para disa muajve kur ne e kemi patur në veprim faqen “Hilafeti”, kjo e fundit ka qëndruar në rrjet pesë deri në dhjetë ditë. Për këtë arsye unë u çudita me pyetjet rreth rrjeteve shoqërore, pasi që nuk besoj se Lavdërimi mund t’ju përgjigjet si duhet në këto pyetje si unë, punonjësi në Ministrinë e Medieve”, përgjigjet Ebu Musab el-Albani.
Ndërkohë sipas gazetarit Veliu, ISIS ka një kanal në aplikacionin Telegram mesenger, në gjuhën shqipe me 272 anëtarë, ku publikohen video dhe foto makabre me prerje kokash nga luftimet e ISIS të cilat mund të shkarkohen nga anëtarët e këtij kanali. “Se cilët janë anëtarët e këtij kanali, dhe vendndodhja e tyre është e pamundur të identifikohen, pasi moderatorët e kanalit e kanë bllokuar shikimin e tyre në këtë kanal në Telegram”, pohon Veliu.
Po ashtu Shteti Islamik ka një radio online në gjuhën shqipe të quajtur Albayanradio përfshi një faqe interneti me lajme drejtuar audiencës shqiptare.
Youtube është një tjetër burim shpalosje e propagandës së ISIS përmes videove në gjuhën shqipe.
A duhet intervistuar një terrorist?
Debatet nëse duhen intervistuar njerëz që janë të lidhur me terrorizmin si Lavdrim Muhaxheri janë të shumta dhe të vazhdueshme. Por gazetari shqiptar Muhamed Veliu i cili ishte shumë pranë realizimit të intervistës me të, pohon se nuk ka bërë asgjë më shumë apo më pak me kolegët e tij të mediave perëndimore që në pak raste ia kanë dalë të intervistojnë persona brenda gjirit të ISIS. Për këtë ai thotë:
“Po është e vërtetë se ka një debat nëse duhet ti japësh zë të tillë njerëzve. Jam i vetëdijshëm se pas këtij shkrimi nuk do të mungojnë njerëzit të cilët do të thonë: Po këtij çfarë i duhet që tenton intervista të tilla? Edhe unë kisha dilemat e mija nëse duhet të ndërmarrja këtë përpjekje për të intervistuar një terrorist brutal e të pashpirt si Lavdrim Muhaxheri. Qëllimi ishte të hyja në botën e errët të kësaj organizate që për fat të keq i janë bashkuar më shumë se 100 shqiptarë dhe për këtë më mirë se Muhaxheri rekrutuesi dhe tru-shpëlarësi i tyre nuk mund të fliste askush. Në të njëjtën kohë doja t’ju tregoja të gjithë atyre që do ta lexonin atë intervistë se ISIS është duke e keqpërdorur fenë Islame pasi Muhaxheri do të duhej ti jepte përgjigje pyetjeve të mija nga të cilat dilte qartë në pah se feja Islame në mënyrë kategorike e ndalon atë barbari vrasjesh ku është përfshirë Muhaxheri dhe ISIS.
Megjithatë besoj se kjo intervistë nëse do të ishte realizuar më shumë se sa një scoop gazetaresk, që në fund të fundit punon çdo gazetar dhe intervista të tilla mund të të ndodhin vetëm njëherë në jetë, mendoj se është detyra e çdo gazetari të kuptojë dhe të nxjerrë në sipërfaqe jo vetëm anën bardhë e zi por edhe atë gri të tilla ngjarjeve dhe personazheve. Për disa javë kam lundruar me orë të tëra në rrjetet sociale, ku propagandohet ISIS dhe lartësohen vrasjet makabre tërësisht të pabazuara në fenë Islame.
Kam bërë po të njëjtën gjë që e bën që prej vitit 2012 Rukmimi Callimachi korrespondente e njohur e New York Times e nominuar tre herë për çmimin Pulitzer e cila shkrimet e saj për Al-Kaedwn dhe tani ISIS i ka të bazuara në hulumtimet e rrjeteve sociale si Facebook, Twitter, Youtube dhe së fundmi Telegram”.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe gazetari i programit NewsNight në BBC2 Secunder Kermani, i cili mundi të intervistonte në 2015-tën një shtetas britanik në Siri që i ishte bashkuar ISIS. Gazetari Secunder Kermani tashmë ka krijuar profilin e një gazetari të specializuar për intervista online me luftëtarët e ISIS./Dita.al