Home KRYESORE Ja fjalët që tha në polici greku i kapur në Rinas me...

Ja fjalët që tha në polici greku i kapur në Rinas me pajisje përgjimi

Policia tha se një shtetas grek u ndalua të dielën në aeroportin e Rinasit, pasi në bagazhin e tij u zbulua një pajisje e dyshimtë, e ngjashme me atë të izraelitit Yoram Frig pak kohë më parë.

Sipas burimeve zyrtare Iraklis Dragounis, 52 vjeç, u ndalua nga shërbimet e sigurisë të aeroportit ICTS në momentin që po kalonte skanerin përpara se të linte Shqipërinë. Punonjësit e sigurisë njoftuan policinë dhe kjo e fundit prokurorinë. Menjëherë u nxorr vendimi për të bllokuar pasaportën e grekut pas dyshimeve se me pajisjen e dyshimtë mund të jenë kryer përgjime të paligjshme në Shqipëri.

Lapsi.al mësoi se në dëshminë përpara grupit hetimor Dragounis ka deklaruar se kishte ardhur në Shqipëri i kontraktuar nga një kompani celulare për të detektuar antenat e saj, nëse kishte ndërhyrje. Ai ka refuzuar të deklarojë emrin e kompanisë, pasi e ka konsideruar atë sekret tregtar dhe që binte ndesh me marrëveshjen e bërë me kontraktuesin.

52-vjeçari tha se ajo që ai kryente ishte një aktivitet i ligjshëm dhe se kompania e tij është e regjistruar në Qipro. Mësohet se ai ka hyrë disa herë të tjera në vendin tonë. Prokurori ka vendosur që pajisja e dyshuar se kryen përgjime t’i nënshtrohet ekspertizës./lapsi.al