Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i akuzoi si të korruptuar të gjithë ata ndërkombëtarë që fshinë nga raportet e tyre drogën, krimin dhe korrupsionin në Shqipëri.
Nga “çadra e lirisë”, Basha në fjalimin e rradhës tha se këta ndërkombëtarë nuk u bënë njësh me aleatët strategjikë të Shqipërisë, por u bënë njësh me xhepat e tyre të korruptuar.
“Ata nuk ia dolën dot, pasi miqtë tanë në Bruksel dhe Uashington tashmë e dinë të gjithë realitetin për drogën, krimin dhe korrupsionin qeveritar në Tiranë”, tha Basha.
Sipas kreut demokrat, tashmë po ofron dita kur republika e vjetër e krimit, drogës dhe korrupsionit do të shembet nga themelet duke i hapur rrugën një republike të re.
“Kupola e politikës së vjetër me në krye Edi Ramën shkatërroi të gjithë themelet e bashkëjetesës politike.
Demokraci me të vërtetë do të thotë vendimmarje nga shumica politike e zgjedhur, por do të thotë gjithashtu edhe kontroll nga pakica e zgjedhur.
Agjenda e vetme e kupolës së republikës së vjetër ka qenë oligarkia dhe pasurimi i një grupi pushtetarësh me në krye Edi Ramën.
Për këto arsye Edi Rama ka jetike kapjen e zgjedhjeve të ardhshme. Kjo është arsyeja që Edi Rama e ka jetike që reforma në drejtësi të mos bëhet sipas formulës euro-amerikane, por të bëhet sipas formulës Rama, Xhafaj, Shullazi.
Një grusht njerëzish u pasuruan, e kthyen Shqipërinë në kolumbinë e Europës. Arsimi është në ditën e tij më të zezë, ekonomia u shkatërrua, studentët u lanë jashtë universiteteve, ndërsa pensionistët mbetën me sytë përtokë. Këto janë veprat e rilindjes së krimit dhe krimit të ngjitur në nivelet më të larta shtetërore”, tha Basha.
Referuar negociatave me Kryeministrin Edi Rama, Basha tha se është i gatshëm për të marrë përgjegjësitë që i takojnë, por shtoi se nuk ka negociatë dhe ndërkombëtar që mund të bindë Ramën për të arritur marrëveshjen që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sipas Bashës, negociatat e deritanishme kanë qenë shterpë dhe për këtë përgjegjësia bie mbi Kryeministrin.