Nga Kasem Seferi
O burra! Çfarë ka ndodh?!Lajmi! Ku ta gjejmë lajmin?!
Ja “lajmi”: lista e PD – së, ku nuk e gjen emrin e Jozefina Topallit, Majlinda Bregut, Eduard Selamit dhe Atrit Patozit, individë që i kam njohur personalisht në rrethana të ndryshme.
Asnjë koment rreth tyre, për arsye se e kanë shkruar emrin e tyre në karierën politike me një veprimtari aktive, plot ngjarje, që i kanë bërë të njohur në politikën shqiptare dhe në opinion.
Si individ, kam ushqyer dhe ushqej simpati për të katërt, madje nuk më erdhi mirë që nuk ishin në listën e kandidatëve për deputet të PD – së, por kjo është njëra anë e “monedhës” që u “rrotullua në ajër”.
Tjetra, që dihet se çfarë është, pritet ta shohë të vërtetën pas 25 qershorit 2017 e në vijim.
Pra, ashtu si monedha që ka dy anë, ashtu është edhe politika. Shorti, vërtetë, “rrotullohet në ajër”, por bie në tokë duke shfaqur vetëm njërën anë dhe duke e fshehur tjetrën edhe pse dihet çfarë përmban ajo anë dhe, sikundër e thashë më lart do të kthehet pas 25 qershorit 2017.
Prisni, o njerëz!
Bëni durim!
Në mos gjë tjetër, kujtoni atë që populli na e ka lënë me fjalën e urtë: “Dardha e ka bishtin prapa”!
Kur ekipi i futbollit të Republikës Federale Gjermane fitoi kampionatin botëror vite më parë, për fat isha ndër ata që e pashë këtë ngjarje madhore, që ngriti peshë emocionet e milionë qytetarëve të botës, me qetësi.
Duke kërkuar në internet, gjeta një analizë të “çuditëshme” të një profesori të Universitetit të Harvardit, i cili analizën e tij e mbështeste mbi 10 parimet e të madhit Peter F. Drucker, ose më saktë, gjeniut të menaxhimit modern në SHBA e përtej.
Shpesh, nga kjo analyze, kujtoj faktin që në elementin e parë të analizës, pra, krahasimin profesori i Harvardit vinte në dukje se ekipi kombëtar i Republikës Federale Gjermane nuk kishte titullarë me emër si Mesi, Ronaldo, etj, por përbëhej nga një ekip i unifikuar që vepronin si një “trup” i vetëm.
Nga analistë të ndryshëm të futbollit, anekënd botës, do të përmendej kjo dukuri menaxhuese si çelësi i suksesit gjerman.
Madje, pati edhe ndonjë që e ngriti këtë dukuri me “hipotezën” se në universitetet gjermane prej shumë vitesh ishin studjuar taktikat dhe strategjitë e ekipeve më të forta të botës.
Ndoshta.
E vërteta, krahasuese me shtjellimin e mësipërm, nuk mund të jetë në formë e njëjtë me politikën, por, gjithësesi, meqenëse si futbolli ashtu dhe politika, janë veprimtari njerëzore me qëllimin e vetëm, fitoren (futbolli për kampinonat, politika për pushtet), mund të konsiderohensi të krahasueshme në përmbajtje dhe jo në formë.
Analistë të vjetër dhe të rinj, opinionistë të vjetër dhe të rinj, tallagjarë sallonesh të oligarkisë, të paguar dhe të papaguar (në fakt të sëmurë si fansët e futbollit pas politikës), pas marëveshjes Rama – Basha u ka ngecur në qiellzë pasiguria/dilemma:
Çfarë do të ndodhë më 25 qershor, 2017?!
Në kontekstin e mësipërm, shtroj pyetjet që vijojnë:
A do të jetë ekipi garues i PD – së (Bashës) i modeluar si ekipi i kombëtares së Republikës Federale të Gjermanisë?!
A do të jetë ekipi garues i PS – së (Ramës) i modeluar në të njëjtën mënyrë sin ë vitin 2013?!
Dua ta mbyll me një rrëfenjë nga historitë e shumta dhe plot humor të mikut të ndjerë Ferdinand Radi, atëkohe kur jetonte dhe punonte në Uzinën “Partizani”.
Shpikja e kohës ishte një tigan i emaluar, i përbërë nga baza fërguese dhe bishti i tiganit që montohej me dy vida.
Dikush, në rininë e tij, pat menduar të bënte karierë në politikë dhe, për këtë arsye kishte arritur të kishte “privilegjin” e statusit të kandidatit të PPSH (periudhë prove).
Një ditë prej ditësh, në kontrollin e zakonshëm te porta e daljes së Uzinës, kandidati në fjalë, pasi kishte marrë një tigan të tillë dhe e kishte futur ndën pardesynë ”fëshfëshe“, me çelësat e dollapit personal, bashkëngjitur një zinxhiri (në mode atëhere për ta dredhur dhe zhdredhur te gishti tregues) u gjend në prani të rojes.
Në atë çast dikush e qëllon pa dashje te dora dhe zinxhiri me gjithë çelësa i bien nga dora. Tenton të ulet dhe i bie tigani në shesh.
E nesërmja e gjeti Uzinën “Partizani” me “alarmin” e organizatës së partisë, mës pas në analizën në çdo kolektiv sipas ndarjeve sektoriale dhe, së fundi, në mbledhjen e përgjithshme të kolektivit.
Çfarë nuk u tha dhe çfarë nuk u propozua për një tigan.
Në fund, kur gjithçka u mendua se ishte thënë u dëgjua zëri i të ndjerit Ferdinant Baltazar Radi që tha: Mud ta them edhe unë një mendim?!
Pasi mori miratimin, komediani, komiku, njerëzori, i ralli, sipas dëshmitarëve sy më sy pat thënë:
“Tani, të gjithë jemi të vetëdijshëm se kemi marrë nga një tigan për në shtëpi. Ju propozuat masa të ndryshme ndëshkuese, por unë mendoj se në vend të tyre, unë mendoj ta ulim në kategori se të gjithë tiganët i kemi marrë veç tavën fërguese nga bishti dhe i kemi montuar në shtëpi.”.
Të ndryshëm në analiza, të ndryshëm në opinione dhe mnndime, të ndryshëm në bindje dhe interesa, përse përpiqeni t’ia kaloni kohës kur dini fort mirë se nuk ia arrini këtij qëllimi.
Doni të thoni diçka?
Bëjeni!
Koha ecën para jush, ju pret një ditë të bukur.
Ndërkohë, mendoni se çfarë justifikimesh do të gjeni.
Kasem Seferi – ekonomist