Në vorbullën e “lajmeve” të ditës, veçanërisht, të 13 majit 2017, në sfondin e një proteste massive jo për nga numri i pjesëmarrësve, por nga cilësia e saj u ngrit një “monument”, “monumenti” i një proteste paqësore, i mirëpritur nga i gjithë populli shqiptar.
Dhe ka vetëm një arsye për këtë mirëpritje.
Kostot e çdo ngjarje të mbrapshtë i paguajnë qytetarët e thjeshtë, ata që për më shumë se njëzet e ca vjet pritën “mrekullinë” e ekonomisë së tregut që vetëm e tillë nuk ka qenë, nuk është dhe le të shpresojmë të jetë një ditë.
Zoti Kryeministër!
Ju nuk ishit në zyrën tuaj të praruar artistikisht. Natyrisht ju bête zgjedhjen tuaj të bënit “detyrën” tuaj politike t’i bënit të ditur Selenicës kandidatin tuaj për deputet “detyrë” e vogël krahasuar me besimin që ju dhanë nga votuesit më 2103 për ta rilindur dhe jo sfilitur Shqipërinë.
Një protestë paqësore, sado e “paarsyeshme” apo sikundër e cilësoni ju po e largon Shqipërinë nga Europa, është një arritje, madje më shumë se kaq një risi ndryshe nga 21 janari i 2011 – s.
Por, sipas mendimit tim dhe jo sipas disa analistëve të vetëcilësuar dhe të degjeneruar nga dukuria e sahanlëpirjes dhe sahanshpërblesës, është një shembull tipik i urtësisë popullore që tregohet thjesht dhe me shumë kuptim me domethënien që vijon:
Sherri ka kosto të mëdha, ndërsa pajtimi/ marrëveshja ka përfitime më të mëdha.
Shumë shkenca shoqërore kanë vërtetuar se individi kërkon të maksimizojë përfitimet dhe minimizojë kostot. Është tregu (jo vetëm tregu i mallrave dhe shërbimeve, por dhe tregu i ideve ku përfshihet politika) që vendos ekuilibrin në këtë treg.
Kur në treg ndërhyjnë forca që e shprishin këtë ekuilibër, atëhere ndërhyn shteti, ky organizëm që ngrihet me paratë e qytetarëve dhe në shërbim të qytetarëve.
Në rast se shteti ku qeveria, si pjesë përbërëse e pushtetit, ka rolin vendim – marrës më të pushtetshëm, ndërhyn më shumë se sa duhet në një rend demokratik duke përqendruar pushtetin në dorën e një njeriu të vetëm, një gjendje e tillë ose quhet demokraci autokratike, ose te më e pakta demokraci iliberale, ku kufizohen shumë prej të drejtave të qytetarëve.
Doni të shkoni në zgjedhje pa opozitën?!
Ftoni demokratët që të bashkohen me ju?!
Jam i bindur katërcipërisht që nuk bëni thirrje për të kaluar nga një formë demokratike me përmbajtje delikate demokratike te një formë në dukje demokratike me përmbajtje autokratike, ose më saktë te një pushtet në duart e një njeriu.
Kam një pikëpyetje të madhe në vetvete.
Ku ka arritur Edi Rama i vitit 1991 sot, pikërisht ai kampion i guximit dhe shpërthimit të dëshirës për fjalën e lirë, që diskretitonte politikën e PPSH – së dhe sjelljen diktatoriale të Enver Hoxhës?!
Për ta zbërthyer këtë pikëpyetje, po përpiqem t‘i shkoj, përgjatë dhe me respekt, letrës së shkrimtarit tonë Ismail Kadare, drejtuar Zonjës Romana Vlahutin në lidhje me një shkrim të botuar në median shqiptare, atdheun e tij dhe tonin gjithashtu, ku jo vetëm me mençuri dhe ndjenjë, por me shumë diplomaci, i shpreh keqardhjen e tij, duke vënë fort në dukje se individë të veçantë nuk përfaqësojnë as një popull dhe as një vend si i joni.
I madhi Kadare deklaron se është gati të bijë në gjunjë e t’i kërkojë falje Zonjës Vlahutin në emër dhe për hir të qytetarëve shqiptarë, për hir të kombit dhe vendit nga i cili rrjedh dhe është krenar, pavarësisht se nuk është aspak pjesë e kësaj sjellje bizantine prej sahanlëpirësish.
Zoti Kryeministër!
Zoti Basha!
Të tjerë zotërinj të nderuar politikanë!
Si qytetar, për dashurinë e këtij vendi ku kanë dhe kemi lindur, ku kanë dhe kemi jetuar, ku kanë dhe kemi shumuar dhe shpresojmë të trashëgohen ata breza që po lemë dhe do të lihen pas, a nuk do të ishte në nderin tuaj, të trashëgimisë së kaluar dhe asaj që do të rrjedhë në të ardhmen që “të bini në gjunjë“ para qytetarëve shqiptarë duke ia rikthyer atyre pushtetin që ata ua kanë dhënë dhe do t’ua japin me votë?!
Mendoj se ka ardhur ai çast kohor që të rënit në ujdi (e urrej fjalën e huaj dakordësi) kur politika të heqë dorë nga inatet personale, të pastrohet nga interesi vetiak i sëmurë (ndoshta të adoptojë mitin e Rozafës – të sakrifikohet karrigia e pushtetit) për të ndërtuar “kështjellën“ e Shqipërisë europiane.
Ndërkohë të mos harrojnë sahanlëpirësit!
Se nesërmja, sidoqoftë, do të nxjerrë në pah llumin e “derrave“ ku janë zhgërryer pikërisht në këto ditë të krizës, në këto ditë kur e ardhmja nuk vendoset vetëm brenda vendit por në kontekstin rajonit Ballkanik.
Po ashtu, nuk mund të jem indiferent, kur individë të veçantë të partive politike, pranojnë parimisht pozicionin e partisë dhe lëvizjeve politike përkatëse dhe, nga ana tjetër, në emër të fjalës dhe mendimit të lirë, në kuadër të demokracisë së brendshme në parti, shkelin disiplinën e pranuar dhe miratuar në statutin e partisë.
Një ide e vlefshme mund të jetë shumë e përkryer në përputhje me të ardhmen e vendit, por nuk bëhet e pranishme në kohë dhe me mjetet e duhura. Ky nuk është gabim në veprimin politik, kjo mund të jetë në e metë taktike në veprimin politik.
Për ta vërtetuar këtë tezë, por citoj shprehjen e të madhit Viktor Hygo:
“KUR NJË IDEJE I VJEN KOHA NUK KA FORCË QË TA NDALË!“
A nuk ka ardhur koha e idesë dhe realizimit në praktikë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme?!
Asnjë nuk e mohon. Të gjithë e pohojnë.
Ngecemi te një disa deklarata të ndërmjetësueve të huaj. Por, a duhet të paktën të mendojmë se edhe ata janë njësoj si ne individë që përpiqen të maksimizojnë përfitimet dhe të minimizojnë kostot, në raport me detyrat dhe përgjegjësitë që kanë për zgjerimin dhe mbarëvajtjen e punëve në rajonin e Ballkanit, veçanërisht, Ballkanit Perëndimor.
A nuk janë këta individë, që me të vërtetë përpiqen të na ndihmojnë për hir të detyrës/përgjegjësisë, po aq përgjegjës për deformimin e tregut politik, krahasuar me vlerat demokratike që respektohen dhe praktikohen në vendet anëtare të BE?!
Tregu, veçanërisht, tregu i politikës kërkon respektimin e standarteve të njëjta dhe jo të diferencuara sidomos në kushtet e atyre vendeve që aderojnë për t’iu bashkuar BE – së.
Mos vallë këta individë nuk janë të ndjeshëm kundrejt interesit vetiak?!
NUK E BESOJ!
Por jemi ne që duhet t’i ndihmojmë që të na ndihmojmë siduhet dhe ashtu sikundër atyre u kërkohet, sidomos, kur edhe vetë vendet anëtare të BE dhe vetë BE – ja ka pasur dhe ka ende mjaft probleme serioze që korkojnë kohë dhe kosto për t’i zgjidhur.
Kasem Seferi – ekonomist