Home KRYESORE Kryetarja e bashkisë Sarandë 1 mln dollarë dëm shtetit

Kryetarja e bashkisë Sarandë 1 mln dollarë dëm shtetit

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka hequr dje “petën e parë të lakrorit” në një veprimtari të kundërligjshme, të drejtuar nga kryebashkiakja e Sarandës, ku spikat fakti që, të paktën në një rast, pagesa nga buxheti i bashkisë së qytetit jugor i është bërë kompanisë private para se të kryheshin punimet.

KLSH njoftoi se ka përfunduar auditimin në Bashkinë Sarandë për periudhën 1 korrik 2015-31 dhjetor 2016, me objekt “Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare”. Konkluzioni i audituesve ka qenë ai se veprimet e drejtuesve të kësaj bashkie kanë sjellë impakt negativ në buxhet në vlerën 481 milionë lekë dhe dëm ekonomik të shkaktuar në vlerën totale 129.4 milionë lekë.

Sipas raportit, janë konstatuar shkelje lidhur me likuidimin e pagesave për punë të pakryera, në fushën e procedurave të prokurimit publik mbi vlerësimin e ofertave ekonomike dhe në zbatimin e punimeve. KLSH ngarkon me përgjegjësi penale Floriana Kokën, kryetare e Bashkisë Sarandë, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, për pagesa dhe investime të pakryera, por të situacionuara dhe likuiduara në vlerën 64.4 milionë lekë. Pra, ka autorizuar pagesën për punime fiktive, si psh në rastin e tubacioneve të ujësjellësit me 34.4 milionë lekë të likuiduar vetëm një ditë pas lidhjes së kontratës, apo rrjetin e ujërave të zeza, ku 30 milionë lekë janë likuiduar nga Bashkia vetëm pesë ditë pas lidhjes së kontratës.

Nga ana tjetër, është konstatuar shkelje edhe për ish-drejtorin e Shërbimeve Publike të Bashkisë Pëllumb Halimi, për marrjen në dorëzim të punimeve të pakryera; Eleron Gjoni, drejtor juridik, në cilësinë e kryetarit të komisionit të vlerësimit të ofertave dhe Teuta Stroka, drejtore ekonomike, anëtare e këtij komisioni. Këta të fundit kanë shpallur në të paktën tri raste fitues të tenderave për punë publike subjekte që nuk plotësonin kushtet e kërkuara. Tenderat kanë qenë me vlera voluminoze: Ujrat e zeza – 120.2 milionë lekë, EKO Kampus – 274.5 milionë lekë dhe Rruga e Flamurit – 85.4 milionë lekë.

KLSH ka bërë kallëzim për kryetaren Koka dhe zyrtarët e tjerë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Sarandë, për konsumimin e elementëve të figurës së veprave penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga nenet 258 dhe 248 të Kodit Penal. Të paktën një prej tenderave të cituar nga KLSH, ai më voluminozi i ishte dhënë nga Bashkia Sarandë një subjekti që ka lidhje me ish-deputetin socialist Koço Kokëdhima. Sikurse del nga pagesat e kryera në Thesarin e Shtetit gjatë vitit 2016, ka qenë kompania BEAN, që ka fituar-me shkelje, sipas KLSH-tenderin për projektin EKO Kampus Saranda. Kompania në fillim ka patur pronarë dhe administratorë pjesëtarë të familjes Gjojdeshi, ndërkohë që aktualisht si administrator paraqitet Eva Sadushi.

Kompania “Albania News Television”, të cilës Kokëdhima i ka shitur licensën e TV Ballkanit (nuk është miratuar nga AMA) ka për ortake me 50% të saj pikërisht Eva Sadushin dhe si administrator Neritan Gjojdeshin. Këtë të fundit Koço Kokëdhima kishte arritur ta emëronte edhe drejtor të Ujësjellësit të Tiranës, por më pas u shkarkua për shkelje administrative dhe më pas e kishte drejtor të televizionit A1 deri sa ky pushoi faktikisht së funksionuari. Kompania BEAN rezulton se një fitim prej vetëm 2.7 milionë lekësh në vitin 2012, por kërceu menjëherë në afro 13 milionë lekë fitim një vit më pas dhe afro 23 milionë të deklaruara në Tatime për vitin 2014. Ndërkohë, xhiroja e kësij firme gjatë vitit 2015 ka qenë 197.2 milionë lekë të reja. Një kërcim i konsiderueshëm për një subjekt tejet modest para se të vinin socialistët e Kokëdhimës në pushtet. shqiptarja.com

Share: