Nga Kasem Seferi
Lajmi “i vërtetë” i datës 25 maj 2017 ishte largimi nga kariera politike e Zotit Genc Ruli, nja nga themeluesit e PD, Ministër i Financave të Qeverisë së Stabilitetit, Ministri i parë i Financave i Qeverisë së Partisë Demokratike në vitin 1992, më pas Kryetar i Grupit Parlamentar të PD në Kuvendin e Shqipërisë, i shkëputur në vitin 1997 për të krijuar një parti të re me Zotin Dashamir Shehi, largim nga politika për njëfarë kohe në mjedisin e këshillimit deri në vitin 2005, kohë kur i ribashkohet PD – së dhe ministër e deputet i saj deri sa të legjitimohet Kuvendi i ri i Shqipërisë.
Me këtë rast, pod al nga fusha e profesionit tim si ekonomist dhe specialist tatimor, për të marrë përsipër një analizë që shumë mendojnë se i takon analistëve të politikës.
JO!
Kjo analizë niset nga një fakt mjaft domethënës: unë kam me Zotin Ruli, kam bashkëpunuar me Zotin Ruli dhe e kam ndjekur Zotin Ruli në ecurinë e tij politike.
Në këtë kontekst, analiza ime mbështetet në pyetjet klasike:
Kush është Zoti Ruli?
Me profesion ekonomist kontabël dhe jurist. Me një karierë profesionale dhe akademike të gjatë. Jo fort të rëndësishëm këto tregues në krahasim me tiparin e zgjuarsisë, nuhatjes, përzgjedhjes dhe thithjes së mendimit me vlerë,barazisë së trajtimit të mendimit, pavarësisht pozicionit/nivelit administrative, ironik, thumbues, largpamës, egoist i përmbajtur, me etikë njerëzore dhe me prirje artistike të të gjithë ngjyrave.
Kam qenë një prej vartësve të tij prej vitit 1992 deri 1994 në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë ku e kam njohur mjaft mirë se çfarë përfaqësonte një tridhjetë e ca vjeçar në një kohë të vështirë të fillimtranzicionit nga një ekonomi e planifikuar dhe centralizuar drejt një ekonomie tregu.
Thithi mendimin më të mire të specialistëve, duke vlerësuar profesorin e nderuar Baki Berberi, kontributi i të cilit jehon edhe sot.
U zevendësua nga Zoti Dishnica ekonomsit (që nuk la asnjë gjurmë), që u zevendësua nga Zoti Vrioni (fillimi i gafave politike të vendosjes së një inxhinjeri në një vend ku bota ve ekonomistë, ose juristë, por jo inxhinjerë si Vrioni apo profesorë matematike ose fizike si Zoti Islami – veprime PD – PS).
Me pak fjalë: në administratën e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në atë tatimorë dhe doganore la gjurmë si një ministër që arrinte të kuptonte shumë shpejt se çfarë ndodhte dhe përpiqej të korigjonte me shpejtësi të metat, gabimet dhe devijimet.
Nuk hoqi dorë kurrë nga këto fusha të financave publike, veçanërisht, të administrimit të politikave tatimore, doganore dhe buxhetore.
Ka kontribut praktik dhe akademik. Vlerësimi i këtij kontributi do të bëhet në një kohë tjetër.
Në vitet 2005 – 2012 detyra si Këshilltar i Presidentit Topi do të më lidhte jo aq shumë ngushtë me Zotin Ruli sikundër më pare, por bashkëpunimi do të ishte efektiv dhe efiçent në lidhje më ligjet e fushës të miratuar në Kuvend dhe që duheshin dekretuar nga Presidenti i Republikës.
I njëjti individ që kisha njohur që në vitin 1992, por me një pjekuri tjetër, natyrisht.
Në vitet 2013 – 2015 do të gjendesha i lirë në profesion dhe takimet me të ishin thjesht, ose rastësore dhe të rralla, ose nëpërmjet medias së shkruar dhe elektronike.
Po ai individ që kisha njohur. Kjo ishte dhe mbeti përshtypja, hamendësimi dhe mbresat e mia për Zotin Ruli.
“E papritura” e datës 25 maj 2017 më vuri në mendime dhe vendosa ta bëj këtë analizë, besoj, të ftohtë, duke u nisur nga disa shembuj të kundërt me Zotin Ruli, që për etikë nuk dua t’ua përmend emrat, që i janë ngjitur “karrocës” së politikës si rriqna në qafë të zogjve për t’u pirë gjakun.
Ve në dukje atë që e dine të gjithë se zogjtë e kruajnë kokën me këmbë sepse nuk kanë duar, ndërsa flatrat e tyre nuk janë të aftë për të shkulur rriqnën.
Shembulli i Zoti Ruli, në kontekstin e mësipërm, është risi dhe domethënie për kohën që demokracia shqiptare kërkon dhe bën përpjekje për t’u ngritur lart. Një shembull të tillë paraprirës e ka dhënë Zoti Nano.
Megjithatë jot ë gjithë lodhen në luftën politike për demokaci dhe pushtet. Ka edhe të forte edhe të dobët.
Të fortët janë ata që ia dalin të mbijetojnë dhe fitojnë në betejat politike. Të dobtit, janë ata që edhe pse të mundur ia lejojnë vetes, për hir të egos për karierë, të bien në nivele të tilla ku edhe bashkëbiseduesit/bashkëdebatuesit, edhe pse jo të denjë për emrin e tyre, i pranojnë, bien në nivelin e zakonshëm vulgar dhe … nuk tërhiqen.
Zoti Ruli, sipas mendimit tim, nuk është as njëri dhe as tjetri. Duke ndjekur (besoj) me vetëdije disiplinën e partisë, tipar ky themelor i partive liberale perëndimore, ka zgjedhur të largohet për të mos kaluar derën e PD – së drejt një dere tjetër partiake.
U largua me dinjitet, sikundër duhet të largoheshin edhe shumë të tjerë, për t’i hapur “derën” erës së re të gjeneratave të reja.
Përveç respektit, nuk kam gëzuar asnjë privilegj prej tij.
Kasem Seferi – ekonomist