Home KRYESORE Marrëveshja në Kuvend/Si pritet të votojnë deputetët e partive të vogla…

Marrëveshja në Kuvend/Si pritet të votojnë deputetët e partive të vogla…

Kuvendi do të mblidhet pasditen e sotme në një seancë të jashtëzakonshme për të miratuar pikat e marrëveshjes tashmë të zyrtarizuar mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Një nga pikat e marrëveshjes, është ajo mbi konkurimin e subjekteve në zgjedhje, pa pasur mundësinë e koalicioneve, çka penalizon deri diku partitë e vogla. Kjo ka qenë edhe pika për të cilën drejtues të partive të vogla janë shprehur skeptikë.

Por gjithashtu konstitucionalistë dhe ekspertë zgjedhorë e kanë cilësuar moslejimin e krimit të koalicioneve si një gjë të pakuptueshme dhe në shkelje të kodit Zgjedhor.

360 grade.al ka mësuar se pavarësisht kontestimeve apo pakënaqësive që ka krijuar marrëveshja, deputetët që sot përfaqësojnë parti të vogla, qofshin në opozitë ashtu edhe në aleancë me PS-në, do të votojnë pro marrëveshjes.

PDIU ka një vendim kryesie për të mbështetur marrëveshjen, pavarësisht se ka shprehur shqetësimin e saj se sanksionimi i garimit të vetëm në zgjedhje të çdo partie, pa pasur më parë një system elektoral proporcional kombëtar, e bën votën të pabarabartë. Gjithsesi vendimi politik i kësaj force politike do të jetë pro marrëveshjes, pavarësisht se nuk ka një vendim nëse të gjithë deputetët duhet të jenë në seancë parlamentare.

Po kështu mësohet se edhe ligjvënësit e partive të vogla në koalicionin me PD-në do të votojnë pro marrëveshjes, pavarësisht të njëjtit shqetësim në lidhje me koalicionet.

Surprizë mbetet për t’u parë votat e dy deputetëve, Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi, të cilët janë shprehur kritikë për marrëveshjen. Si Blushi ashtu edhe Hafizi kanë deklaruar se marrëveshja nuk jep asnjë garanci për zgjedhjet dhe standardet zgjedhore.

Gjithsesi fakti që marrëveshja u ndërmjetësua nga SHBA dhe u arrit pas vizitës së zv.Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, Hyot Brian Yee, por edhe pas qëndrimit zyrtar të shprehur nga Brukseli, duket se votimi në Kuvend nuk do të ketë surpriza. E shumta që mund të ndodhë në seancë janë ose mungesë e deputetëve, veçanërisht e atyre që nuk janë rikonfirmuar në listat për zgjedhjet e 25 Qershorit, ose abstenim. /360grade.al/

Share: