Home KRYESORE Matteo Renzi rimerr Partinë Demokratike me mbi 70% të votave

Matteo Renzi rimerr Partinë Demokratike me mbi 70% të votave

Janë zhvilluar në Itali zgjedhjet primare të Partisë Demokratike italiane. Rreth 2 milionë përkrahës të kësaj force politike kanë votuar për zgjedhjen e kreu të ri të PD.

Me mbi 70 % të votave, ish-kryeministri italian Matteo Renzi është rizgjedhur në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të forcës më të rëndësishme të së majtës italiane duke mundur dy rivalë të fuqishëm, Andrea Orlandon, aktualisht Ministër i Drejtësisë në qeverinë e Paolo Gentilonit, e Michele Emiliano, Guvernator i rajonit të Puglias.

“Sot kemi arritur një gjë të jashtëzakonshme. Një përgjegjësi të jashtëzakonshme! Demokracia është mundësia për të zgjedhur e faleminderit të gjithëve”, ka deklaruar menjëherë pas rezultatit të votimeve ish-kryeministri Renzi.

“PD nuk është një parti personale, e këtë e dëshmon numri i 2 milionë zgjedhësve që kanë votuar sot. PD nuk është një njeri i vetëm që komandon por një komunitet i tërë. Raporti me popullin e dallon forcën tonë politike nga të gjithë të tjerat. Të gjithë flasin për populizëm, por alternativa nuk është në sallonin e pritjes, por tek populli. Sot nis një histori totalisht e re për PD, nis historia e një partie të re drejt së ardhmes. Do të përpiqemi të bëjmë një koalicion të madh me qytetarët e jo me partitë që nuk prezantojnë as vetveten. Kemi detyrën historike të mos e lëmë Italinë në kënetë. Mos keni frikë nga demokracia, nga votimi, nga primaret” ka përfunduar ai.

Matteo Renzi ka marrë për herë të parë drejtimin e Partisë Demokratike më 15 dhjetor të 2013 e më 17 shkurt të 2014, pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Enrico Lettas, ngarkohet nga Presidenti Napoletano me detyrën e Kryeministrit të qeverisë së re italiane.

Më 5 dhjetor të 2016, Matteo Renzi, jep dorëheqjen nga posti i Kryeministrit për shkak të humbjes në referendumin mbi reformën kushtetuese.

Partia Demokratike italiane hyn në një krizë të thellë, duke u përçarë në dy grupime të mëdha pro e kundër Renzit.

Më 19 shkurt të 2017, si rrjedhojë e kritikave e polemikave të shumta ndaj tij, Matteo Renzi jep dorëheqjen dhe nga kreu drejtues i PD, duke i hapur rrugë kështu fazës së zgjedhjeve primare të kësaj force politike e përgatisjes së mbajtjes së Kongresit i cili do të zyrtarizojë dhe liderin e saj të ri.

Share: