Home KRYESORE Më mirë pa zgjedhje sesa me ‘shtetin task force’

Më mirë pa zgjedhje sesa me ‘shtetin task force’

Nga Artan Fuga

Aman, më mirë mos bëni zgjedhje fare asnjëherë, sesa të gjeni kompromis sipas modelit të “task forcës”.

Me ca zëvendësministra që nuk dihet se çfarë do të jenë, as të mazhorancës, as të opozitës!

Pa ngjyrë, pa erë, pa shije politike!

Po ta dëgjonte këtë Maks Weber, themelues i sociologjisë të shtetit, do të ishte rrotulluar atje ku fle i qetë…

Pse, një individ si zëvendës ministër do të shohi se si dikasteri vepron ose jo, si bandë militantësh duke futur hundët në zgjedhje!

I mbyllur në një zyrë!

Rrethuar nga nëpunës që e shohin si ndonjë budallë i zbritur nga Hëna!

Që do e tallin si vetmitar, që sillet nëpër zyra si kujdestar surrat patate, mirë ja bënë zotërisë sate!!!

2. Rrethuar nga tre të huaj, si ato barcaletat me një shqiptar, një polak dhe një grek!

A thua sesi vepron shteti në kohë fushate nuk rregullohet me ligj, por me komisarë si Hekri në naftë! Me të deleguar?

3. Por, çfarë ligji të presim kur deputetët ikën me pushime, uuuuu, deri në tetor. Katër muaj pushime. Si çiliminjtë e fshatit tim!

4. A e dini se një zëvendës-ministër është një burokart në kuptimin e mirëfilltë të fjalës dhe si i tillë duhet t’i nënshtrohet hierarkisë vertikale sepse përndryshe e kap ligji, pra duhet t’i bindet ministrit, ministrit që gjoja duhet të kontrollojë.

5. O Zot, tani na duhet edhe të durojmë që të kemi një shtet ku zëvendësministri të kontrollojë ministrin!!!

Dhe këtë ta quajmë lojë shahu!!!
Ky është kumar, jo shah!

6. Një zëvendësministër që nuk ka vartës, drejtori në vartësi për misionin e tij, as buxhete as vetura, as platforma administrative!

7. Dhe vetëm në katër dikastere, a thua se i shëndetësisë, i ekonomisë, i kulturës nuk kanë nëpunës që fusin duart në kutitë e zgjedhjeve me anë të nëpunësve militantë.

Po ndonjë zëvendkryetar bashkie nuk menduat anëembanë!!!
Po ndonjë ndihmës zëvendës prefekt.
Perfekt!

8. Katër zëvendës ndihmës ministra me një tip trapi si gjoja zëvendës ndihmës kryeministër që qenkan shtet brenda shtetit, ekip brenda skuadrës, këta pesë trimat që na e kthekan shtetin në neutral!

Ne si qytetare duam administratë neutrale nëpërmjet një reforme administrative, jo shtet tasc forcë, që me pesë bashibozukë na garantojnë nderin dhe të drejtat tona qytetare.

Më mirë na lini pa zgjedhje fare! Kot që kot i kemi pasur!

Share: