Nga Kasem Seferi
Bashkëpunimi rajonal ka qenë dhe mbetet vendimtar për zhvillimin ekonomik në Ballkan.
Por, aftësia e secilit vend të rajonit për të joshur investimin e huaj është varur nga shkalla e të qenit i perceptuar si pjesë e një rajoni më të madh që përfaqëson një treg me rreth 55 milion njerëz, që shkon deri në 130 milion në qoftë se përfshihen edhe Greqia me Turqinë.
Zakonisht, ato që kanë investuar deri tani në rajon janë bazuar në një vend ndërkohë që operojnë në disa prej tyre, por shumë investitorë të tjerë potencialë, në të kundërtën, janë larguar për arsye se rajoni ende nuk funksionon si një treg i vetëm.
Efekti i mirëpritur nga çdo vend në lidhje me këtë bashkëpunim biznesi, është themeli më i fortë i stabilitetit politik, ndërsa zhvillimi i marrëdhënieve ndërkufitare, e nxit interesin bazuar në sigurinë e rajonit, e kundërt me interesin që kanë shumë lojtarë të fuqishëm të ekonomisë informale në kohë konflikti dhe paqendrueshmërie.
Ndërvarësia ekonomike forcon gjithashtu marrëdhëniet më të mira politike ndërmjet qeverive të vendeve të Ballkanit.
Skeptikët me të drejtë venë në dukje se bashkëpunimi rajonal është thënë me zë të lartë si një ideal dhe është promovuar si një politikë për vite, ndërkohë që ka pasur pak përparim në këtë drejtim, koncepti ky i mbrojtur kryesisht nga BE – ja, e cila në një fazë e bëri atë parakusht të progresit drejt anëtarësisë për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Diferencat ekzistuese shumë të mëdha ndërmjet vendeve të Ballkanit bënë të mundur që shtetet që ecën më përpara dhe janë stabël të kishin frikë për arsye se hyrja e tyre në BE do të sakrifikohej për hir të fqinjëve më të dobët.
Në këtë mënyrë bashkëpunimi rajonal u pa si një kërcënim, si një masë e hartuar për t’i përjashtuar vendet e Ballkanit nga përfitimet e integrimit europian.
Procedurat e reja të BE – së e ringjallën me sukses entuziazmin e vendeve të Ballkanit për integrimin europian. Por, një pasojë më pak pozitive, ishte se BE – ja do të ngurronte për të promovuar kontakte shumëpalëshe brenda rajonit.
Proçesi i Bashkëpunimit të Europës Juglindore në vitin 2000, rregullisht, ka mbledhur sëbashku kryetarët e shteteve dhe parlamentarë nga rajoni për të diskutuar çështje të interesit të përbashkët.
Megjithëatë, asnjë institucion nuk i ka pasur burimet, ose instrumentet e politikës për të vënë në jetë vendimet që merreshin në takimet e tyre dhe suksesi i përpjekjeve të tyre, tek e fundit fare, mbështetej mbi vullnetin politik të liderëve kombëtarë.
Pak politikanë kanë pritur të fitonin ndonjë kapital politik vendas nga promovimi i bashkëpunimit në Ballkan, prandaj, liderëve rajonalë u kanë munguar nxitësit politikë për të forcuar lidhjet me vendet fqinje.
Njerëzit e biznesit në vendet e Ballkanit janë gjithashtu një burim i madh përvoje, pasi ata kanë vazhduar të operojnë në kushte të vështira politike dhe ekonomike vitet e fundit; ata duhej të mobilizoheshin në grupe efektive (dhe transparente) lobimi, për të modeluar dhe për t’u dhënë përgjigje politikave që do ndikonin operimet e tyre.
Për shumë vjet me radhë që nga fundi i konfliktit të Kosovës dhe konfliktit të Maqedonisë, shpresa e anëtarësisë në BE ka motivuar reformat dhe pajtimin përgjatë rajonit, ndërkohë që BE dhe NATO kanë punuar së bashku për të ruajtur paqen.
Shumë politikëbërës në Bruksel dhe kryeqytetet europiane e kanë parë me dyshim prospektin e zgjerimit të BE – së në vendet e Ballkanit Perëdimor, për arsye se ende janë vendet më të varfëra që kanë aplikuar ndonjëherë për anëtarësim në BE.
Arsyeja kryesore ka qenë:
(1) ekonomi jokonkurruese me një barrë të madhe papunësie, që në të vërtetë kanë bërë përpara por mbeten shtete të dobëta.
Vonesa e hyrjes në një të ardhme të pafund e ka minuar progresin e viteve të fundit mbi paqen dhe stabilitetin në rajon.
Mungesa e stabilitetit në vendet e Ballkanit sikundër po shihet qartë këto muajt e fundit më shumë është një problem i Europës. Politika e BE – së duhej t’i adresonte risqet: si riskun e hyrjes së parakohëshme, ashtu dhe riskun e vonesës së tepruar, për arsye se rrugëzgjidhja “herë shpejt dhe herë ngadalë” tashmë konsiderohet një zgjidhje e mangët.
Sipas parashikimeve të ndryshme, rasti më i mirë i hyrjes së vendeve të Balllkanit Perëndimor daton përtej vitit 2020, prandaj, BE – ja nuk dihet nëse ka menduar se si mund të maksimizojë influencën e saj në rajon dhe t’i kyçë mirë shtetet ballkanike në shtegun e reformës me qëllim që ato të lëvizin pa u shmagur drejt së ardhmes europiane dhe jo të kthehen sipas disa simptomave, mbrapa tek mungesa e stabilitetit.
Përfundimisht, kreditimet në dispozion në vendet e Ballkanit Perëndimor janë kufizuar në mënyrë serioze, dhënia e huave është bërë e komplikuar dhe ato që vuajnë janë bizneset vendore dhe konsumi privat, të cilat janë kyç për çdo shërim ekonomik.
Kriza ekonomike dhe financiare nuk kërcënoi vetëm rritjen ekonomike përshtypjelënëse të viteve të kaluara dhe përpjekjet e lidhura me reformat, ajo gjithashtu është një provë vendimtare e aftësisë për përgatitjet institucionale të rajonit për t’i rezistuar krizave.
Nivelet e zvogëluara të prodhimit dhe të ardhurave tatimore si dhe borxhi i huaj i rritur, pozojnë një sfidë domethënëse për qeveritë dhe u lenë atyre vetëm një hapsirë të vogël për të manovruar me kundërmasa monetare dhe fiskale.
Papunësia dhe varfëria duken si pasoja shoqërore të pashmangshme të krizës ekonomike dhe financiare, që kanë ndikuar jo pak në krizën politike që ka mbërthyer disa vende këto vite të fundit.
Përveç arsyeve të tjera ndërkombëtare, një nga arsyet e brendshme është varfëria që lidhet me papunësinë dhe mbijetesën që kanë nxitur shumimin e veprimtarive të jashtëligjshme, por mjaft fitimprurëse me ndikim negativ në të gjithë fushat e veprimtarisë njerëzore.
Naiviteti i politikës në këto vende dhe, natyrisht, në vendin tonë, në qoftë se nuk do t’i japin zgjidhje ngërçit të tanishëm politik në lidhje me zgjedhjet, do të ngelet një njollë e zezë në historinë e integrimit në BE.
Nuk ka aspak rëndësi se ku do të vendoset gishti tregues i fajit, por vonesa që Shqipëria do të ketë në proçesin e integrimit.
Kasem Seferi – ekonomist