Home KRYESORE Paskali dhe Rozi ishin çifti më i pëlqyer në Universitet.

Paskali dhe Rozi ishin çifti më i pëlqyer në Universitet.

Nga Agim Xhafka

Paskali dhe Rozi ishin çifti më i pëlqyer në Universitet. Studjonin për inxhinieri,ishin në një kurs. Moshatarë,por Rozi ishte e imët dhe tregonte disa vjet më e vogël se Paskali. Ai ishte i gjatë,elegant,me flokë të zinj e sy jeshilë. Si sytë e Rozit,veç ajo i kishte flokët gështenjë. Nga fundi i vitit të parë u fejuan,pa mbushur ende 20 vjeç. Shkonin bashkë në fakultet,bashkë në mencë,bashkë në bibliotekë e shëtitje. Ndaheshim veç kur binte nata e sejcili rehatohej në konviktin e vet pas një dite të lodhshme por të bukur.

Qyteti Studenti kishte plot çifte të fejuarish,por si ata nuk gjeje të dytë. Se shkonin si portrete,qeshnin gjithmonë e kryesorja i shihje veç duke folur me njeri tjetrin. Pa rreshtur,pa pushuar kurrë. Komunikimi është dashuri,pasion i shfaqur,etje per partnerin dhe ngazëllim që të merr frymën.

Jeta i çoi në shumë ndërtime kombëtare,në diga e kombinate. Nëpër kantiere ngritën familjen,u bënë me fëmijë dhe kur ndodhi përmbysja e madhe fati ua solli që Rozi kishte gjyshin në Amerikë dhe Paskali me gruan e me tre djemtë u bënë qytetarë amerikanë një ditë para 25 vjetësh. Sot janë në Georgia dhe fëmijët në Karolinën e Jugut,Alabama e Ilinois. Mbetur vetëm,por pa dert se në USA të gjithë duan të rrinë vetëm. I nxisin fëmijët të ikin tek e mira e tyre,kërkojnë t’i çlirojnë nga detyrimet që brezit të ri ia dikton tradita njerëzore.

Një nga keto ditë i takuam rastësisht në Atlanta. Na dolën përballë. Të shkathët,por të mpakur pak ,të zbardhur e disi të avashëm,por sërish me ata sy,me atë qeshje dhe me atë komunikim. Nuk u pushonte goja,si zogj që vetëm cicërojnë. I takuam me mall. Sidomos gruaja ime se e ka pasur Rozin në konvikt në kohën e studentllëkut.

Pas një kafe e një interviste për njëri -tjetrin pyeta Paskalin:

-Po si nuk u mërzite duke qënë një jetë non stop 24 orë me Rozin? A ke ndonjë sekret? Se ja ne shkuam e erdhëm dje nga Alabama,8 orë rrugë e nuk folëm një fjalë të paktën për motin.

Ai qeshi e ndërsa po mendohej të fliste ,ndërhyri gruaja ime.

-Dashuria e këtij çifti ishte akt,vepër,jo fjalë. Dhe po e tregoj diçka që mbase as Paskali nuk e ka mësuar.

Ngjarja u bë intriguese. Dinte diçka gruaja për Rozin që Paskali nuk e kishte mësuar?! Çudi.

-E pi cigaren akoma?- e pyeti gruaja ime.
-Po,-i tha Paskali.
-Kur e ndizje atëhere,që ishe student,nuk e ke ditur se ato lekë të perditshëm ishin të latës së Rozit.
-Nuk po kuptoj,-tha ai e ua afrua më pranë tavolinës.
-Rozi çdo darkë shiste latën e ushqimit të mëngjesit. Ty të thoshte se nuk kishte uri në atë orë. Shkonte pa ngrënë në leksione dhe lekët që merrte blinte cigare për ty,ditë per ditë për …
-Katër vjet rresht,-psherëtiu Paskali dhe perqafoi Rozin. Gati po qante.
-Unë u çudita në fillim,por ajo më tha se i vëllai i dërgonte ca lekë shtesë mbi bursën që merrte nga shkolla dhe e paskam besuar. O zot,sa kanabil paskam qënë,-thoshte pa shaka e sërish përqafonte Rozin.

Ajo si e zënë në një grackë pa dhimbje edhe donte ta dëgjonte këtë dialog,edhe nuk donte të zgjatej.

-Po pse nuk më detyrove ta lija duhanin?-e pyeti Paskali.
-Në se do e bëja mes nesh nuk do kishte dashuri,nuk do kishte asgjë të bukur. Sakrifica për atë që do është dhimbje,por ka shumë ëmbëlsi,kënaqësi e ngopje shpirti.

U ndamë. Ata majtas,ne djathtas. Nuk durova dhe e pyeta gruan:

-Moj,më duket se dhe unë kam pirë cigare kur isha student? Të kujtohet?

Share: