Nga Sorina Koti*
Europa nuk është vetëm një treg i përbashkët, por ëndrra dhe vlera kulturore të përbashkëta. Ajo është mbrojtësja e të drejtave themelore, e Demokracisë…
Që nga Qershori 2014, kur Shqipëria mori Statusin e vendit kandidat, deri më sot, asnjë vlerësim pozitiv nuk është marrë nga BE. Hapja e negociatave është shtyrë dhe nuk dihet ende se kur mund të hapen. Bashkimi Europian kërkon Zgjedhje të lira e të ndershme…
Partia Demokratike po proteston dhe lufton për arritjen e këtyre standarteve. Për përmbushjen e një nga kritereve me themelore të një vendi: Garantimin e Zgjedhjeve, votimin e ndershëm si shprehjen e lirisë së vendosjes nga populli. Ne besojmë, që Qeveria Rama do blejë votat, do rrisë presionin ndaj biznesit dhe administratës, do manipulojë zgjedhësit për të fituar pandershëm. Ky zanat i mazhorancës tashmë është provuar me zë dhe figurë në zgjedhjet lokale (Korçë, Dibër dhe Kolonjë).
Zgjedhje të lira e të ndershme, nuk tregojnë vetëm Ditën e Votimit. Ato tregojnë gjithcka. Kulturën e votimit të çdo shqiptari; tregojnë kulturën e klasës politike. Përmes tyre shqiptarët kërkojnë përmirësimin e situatës ekonomike; zhvillimit të infrastrukturës. Zgjedhjet e lira e të ndershme kanë të bëjnë fort me dinjitetin dhe integritetin e një populli dhe ëndrrat e tij për të ardhmen.
Ne nuk duam, që Europa të jetë ende një ëndërr për ne. Ne duam që të jetë, jeta jonë e përditshme. Mjaft me Reforma false, mjaft me premtime boshe. Kjo duhet të marrë fund. Ne nuk duhet të kemi frikë nga e vërteta, edhe pse mund të na kushtojë shumë.
Republika e Re, e artikuluar nga kryetari Basha, do të jetë reale, me objektiva të realizueshme, ku ditë përditë, hap pas hapi, do ri-ndërtojmë institucionet qeveritare; do ri-ndërtojmë ekonominë shqiptare, duke shfrytëzuar potencialin tonë të brendshëm. Ditë për ditë, me punë do zhvillojmë ekonominë për të siguruar rritje konstante, por të vazhdueshme. Vetëm atëherë do jemi gati, që BE të na hapë derën e shtëpisë sonë. Ne jemi Europianë.
Tani është koha, që Shqipëria t’i japë fund vjedhjeve dhe abuzimeve me votën. Tani është momenti, që në qeveri mos jenë më pikërisht ata njerëz, që siç kemi pare, kanë vetëm këtë zanat e këtë qëllim. Është momenti kur klasa politike duhet të marrë një vendim të përbashkët për të mirën e Shqipërisë dhe brezave të ardhshëm. Klasa politike duhet të marrë vendimin, që abuzimi, korrupsioni të marrë fund; ku krijimi i një Qeverie Teknike, 3-6 muaj para datës së Zgjedhjeve Parlamentare, të mos tmerrojë, çudisë apo habisë askënd. Qeveria teknike duhet të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, duhet të garantojë demokracinë në këtë vend dhe pluralizmin politik. Në të kundërt shumë shpejt mund të shohim një parlament monist dhe shumë afër instalimin total të një diktature të re.
Është momenti, që të japim mesazhin, që Shqipëria ka shpresë, mesazhin se ne dhe fëmijët tanë mund të jetojmë të lirë dhe të barabartë. Kompromisi dhe zgjidhjet e përbashkëta duhet të jenë sjellja jonë politike, që sot e tutje.
Ta fillojmë që tani, me krijimin e Qeverisë Teknike dhe të japim shpresën, që ne dimë të votojmë të lirë, pa blerje vote, pa presione, duke ndërtuar një model ndershmërie.
Partia Demokratike e premton këtë që sot, secili nga ne ta bëjë sot… Atëherë, me bindje mund të themi se hapat drejt BE-së kanë filluar të përshpejtohen…
- Koordinatore, Partia Demokratike