Home KRYESORE Ralf Gjoni: Konflikti PS-PD po tremb investitorët e huaj.

Ralf Gjoni: Konflikti PS-PD po tremb investitorët e huaj.

Konflikti PS-PD po tremb investitorët e huaj. Ne do dalim me ofertë të sinqertë përpara shqiptarëve dhe jemi të gatshëm të qeverisim Shqipërinë. I dhamë vendit një President, tani votoni ofertën e LSI në zgjedhje, se me këta të dy e provuat…

Mungesa e vullnetit nga PS e PD për të gjetur një zgjidhje të krizës politike, po bëhet shkak për trembjen e investitorëve. Elektorati shqiptar duhet të pranojë ofertën e sinqertë të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) për të qeverisur vendin.

Disa nga momentet e debatit mbrëmë në Versus / Report TV:

Konflikti PS-PD na çon prapa në kohë ndërkohë që sot ende diskutojmë për standarte zgjedhjesh. Janë pikërisht këto dy parti që e masakruan kodin elektoral në 2008, dhe sot flasim për standarte.

Ne sot duhet të ishim duke folur për ofertat tona politike, çfarë do u ofrojmë shqiptarëve në qershor, çfarë projektesh kemi për të qeverisur vendin pas zgjedhjeve të ardhshme. Te dyja partitë PS dhe PD kanë përgjegjësi edhe për ato që kanë ndodhur në të kaluarën dhe për krizën aktuale.

Investitorët e huaj sot zbrapsen nga Shqipëria për shkak të konfliktit politik dhe prej kaosit disa vjeçar me situatën e pronësisë. Hap sot lajmet online në anglisht dhe sheh që Shqipëria prodhon vetëm konflikte e kriza, se si do vidhen zgjedhjet e si do destabilizohet vendi.

E vërtetë që ka shqetësime mbi blerjen e votës apo mbi dekriminalizimin, por vendi nuk mund të shkojë në kaos e destabilizim. Shqiptarët janë të lodhur nga kjo krizë.

Ne si LSI jemi akuzuar shpeshherë se kemi qenë pro PD apo se mbajmë me oksigjen çadrën etj etj. Por e vërteta është se ne kemi luksin e qendrës dhe kemi provuar koalicione me të dy partitë e tjera.

Ndaj vendosëm në një moment të caktuar frustrimi, të pranonim që z. Meta të bëhej President, pra i dhamë vendit një President. Ne arritëm të prodhonim një zgjidhje për të garantuar një institucion shumë të rëndësishëm kushtetues, sidomos në rast se vendi shkon në krizë edhe më të thellë.

LSI ka qenë e bllokuar mes arrogancës dhe ultimatumeve. Ne nuk mund të pranonim as tonet arrogante të përbuzjes dhe talljeve, por as ultimatumet e panevojshme deri në një kokëfortësi të pakuptimtë.

Edhe z. Meta e vlerësoi nismën e Presidentit Nishani për të ulur palët në një tavolinë sepse shkuarja në zgjedhje pa PD nuk do të ishte mirë për vendin dhe nuk do të ishte mirë as për Partinë Demokratike. Ne nuk do donim t’i imagjinonim zgjedhjet pa opozitën, sepse nuk është demokratike, nuk është gjithëpërfshirëse, dhe nuk është as e ndershme përpara elektoratit. Por, vendi nuk mund të merret peng.

Evropianët e kanë zakon që bashkëpunojnë dhe nuk e kanë problem të ulen bashkë, të flasin e të negociojnë. Por nuk e kuptoj përse ne e kemi kaq problem të ulemi, të flasim, e të gjejmë një zgjidhje. Ka shqetësime të cilat edhe ne si forcë politike i kemi ndarë me opozitën, por duhet gjetur një zgjidhje për të dalë nga kriza.

Ndaj, pas moderimit që kemi bërë si parti gjatë gjithë këtyre muajve, ne kemi vendosur të dalim me një ofertë shumë të sinqertë dhe tepër pozitive përpara elektoratit shqiptar duke u thënë votuesve të ndershëm: “Me këta të dy e keni provuar dhe këta na çuan këtu ku jemi. Provojeni shansin me ne, sepse LSI do futet në zgjedhje me një plan dhe ofertë të qartë.”

Marrë nga Emisioni Versus / Report TV me gazetarin Artur Nura

Share: